1001 PERRALLAT E TRANZICIONIT # 35 – KAOSI TOTALITAR

0
50


Shenasi Rama

Asht thuejse e pashmangshme qe ne historine e nje populli sa here qe jepen gjykime per nje periudhe te caktuar, te gjenden e te perdoren paralele me periudhat e meparshme ne historine e atij shteti apo populli. Prandaj, kur ne fillim te viteve 1990-te u ba mode qe gjithkush qe kerkonte te gjente paralele midis nderrimit te sistemit e periudhave te tjera ne historine e shqiptareve, periudha te ciles iu drejtuan shumica ishte ajo e midis dy lufterave boterore.

Kjo periudhe dhe figurat qendrore te jetes kulturore e ideologjike te saj u kthyen ne etalonet kryesore per te matur sjelljen. Nder autoret e shumte citoheshin me se shumti antishqiptare e antikombetare te markave te ndryshme si Branko Merxhani apo Giuseppe Valentini, mercenare jenicere si Faik Konica, e mbi te gjitha Fan Noli.

Ne vecanti, shume individe shihnin tek argumenti i Nolit mbi pese anarkite, nje perseritje te tyre ne nje periudhe tjeter historike te popullit shqiptar. Në një fjalim te tijin në vitet 1920, duke përshkruar kaosin në të cilin gjendej shoqëria e atehershme shqiptare, Noli flet mbi pese anarkite. Se pari sipas tij, ishte anarkia fetare, me kater fe qe nuk kane zene rrenje ne zemren e nje populli pagan.

Se dyti, Noli flet per nje anarki sociale, për një shoqëri ku nuk kishte qartesi mbi shtresat e interesat e tyre ne shoqeri. Se treti kemi nje anarki morale ku sundon injoranca e poshtesia. Se katerti, ka nje anarki patriotike sepse tradhetaret shiten si patriote e sherbetoret e te huajve mburren si shtetformues. Ne fund, Noli flet per anarkine e boshllekun e idealeve e te vlerave si pengesen kryesore per ndertimin e nje shteti modern.

Paradoksi këtu është se të gjithë ata që deri dje flisnin për këtë paralelizëm me te shkuarën sot kanë heshtur. Edhe më keq, të pesë anarkitë për të cilat flet Noli nuk janë më thjesht një përshkrim i gjendjes në të cilën ishin shqiptarët. Edhe një vështrim i përciptë i gjendjes të bën të ndjehesh tejet i shqetësuar për fatin e këtij populli dhe për rrugën ku janë nisur shqiptarët. Ky nuk është kaosi i gjendjes që na lanë të tjerët. Ky është një kaos që e kemi krijuar e ushqyer vetë. Shteti shqiptar është në gjendjen e një kaosi të qëllimtë totalitar. Të gjitha anarkitë e përmendura nga Noli janë të pranishme, shumë më të mprehta e cka është me e keqja të kthyera në sistem.

Në drejtimin fetar, shqiptarët kanë nisur të ecin në rrugë të kundërta, duke përqafuar fe, besime e ideologji që vec i ndajnë e do ti ndajnë edhe në shumë në të ardhmen. Feja po përdoret si instrumenti kryesor nga palët e interesuara për të minuar e për të shembur idenë e kombit. Feja po kthehet në instrumentin kryesor të identifikimit me grupe, kombe, e interesa të cilat nuk kanë kurrgja të bëjnë me shqiptarët. Shqiptarët mund të kenë qënë dikur paganë apo në sistemin e mëparshëm ateistë por sot nuk janë më. Në mungesë të vlerave të vërteta e kombëtare, feja po bëhet boshti i identifikimit të njerëzve. E përplasja midis mbështetësve e besimtarëve të feve të ndryshme nuk është më e paevitueshme. Më e keqja është se ajo paraqitet nga paria e Tiranës si e evitueshme dhe nën kontroll.

Së dyti, në drejtim të anarkisë sociale, përzierja shoqërore që ka ndodhur në shtetin shqiptar në vecanti, mbas viteve 1944 e në vazhdim nuk ka lënë rrugë e mundësi për të ndërtuar një strukturë shoqërore të qëndrueshme e që do ti mbrojë interesat e saj në politikë. Mirëpo, nëse Noli shihte një popull ku të gjithë katundarët ishin bejlerë e agallarë, si thonë kolonjarët “dyzet bejlerë në një ferrë,” tash të gjithë duan me cdo kusht të jenë bejlerë. E më e keqja është se në këtë rrugë të polarizimit të qëllimtë të shoqërisë, paria sunduese ka punuar e punon sistematikisht që të polarizojë shoqërinë shqiptarë.

Më e keqja është se në vend që të ndërtohet një shoqëri e mundësive, paria e Tiranës po punon që të ndërtohet një shoqëri e skllevërve të saj. Mundësitë ekonomike e të pasurimit në fillimet e tranzicionit, gjaku e djersa e humbur e miliona emigrantëve, krijuan përshtypjet e rreme se mundësitë ishin për të gjithë. Por ashtu si pritej, ngushtimi i mundësive të pasurimit po con në ngushtimin e rrethit të parisë sunduese. Me ngushtimin e mundësive, edhe shteti, në vend që të shërbejë si ndërmjetës midis shtresave, është kthyer në instrument të pastër sundimi oligarkik të parisë së Tiranës. Shtresëzimi që po ndodh mbulohet më një cipë të hollë pasurimi të shtresave mikroborgjeze, por në thelb, parisë së Tiranës i intereson që të krijojë bindjen se të gjithë janë ashtu si iu thonë mjetet e saj të propagandës.

Së treti, anarkia e vlerave është një fenomen tejet shqetësues. Në shtetin shqiptar mbas viti 1990 u vendos diktatura e profesorëve të sistemit të mëparshëm. Shpejt u pa se këto konviktorë të të gjithë niveleve, edhe djemtë e Bllokut kishin jetuar si konviktorë në mos në vend, jashtë shtetit, ishin të gjithë të zhveshur tërësisht nga cdo vlerë njerëzore e morale. Në se në kohën e Nolit injoranti shitej se i dinte të gjitha, sot, këto ish-profesorët konviktorë që janë në krye të politikës, e përdorin të gjithë dijen që kanë pasur e që e kanë për të manipuluar, zvetënuar e shfrytëzuar shoqërinë.

Poshtërsia e tyre e krimi që e kanë kryer e që e kryejnë me vetëdije të plotë, nuk njeh kufinj. Të përgatitur për të qënë vegla të një sstemi të pashpirt, këto nuk dinë të bëjnë tjetër vec të ndërtojnë një system të pashpirt e të mbështetur në injorancën, poshtërsinë, e veset më të ulta e të ndyta. E nuk është për tu habitur që piramida më e madhe është ajo e edukimit.

Po ashtu, këto njerëz të zhveshur nga të gjithë vlerat njerëzore kanë sjellë moralin e të shkuarës së tyre në politikë. Ata shiten e blihen me cmimin e caktuar, ndrrojnë koalicione e parti, cka të thonë sot nuk ta thonë nesër si mos me kenë kurrgja. Sjellja e tyre është bërë norma e sjelljes në mbarë shoqërinë. Ekstremet puqen, dhe sjellja e atyre që duhej të ishin modele vlerash nuk ndryshon askund nga sjellja e lumpenit të shoqërisë nw vende tw tjera. Kjo që na shitet për politikë dikund tjeter është thjesht sjellja e burgaxhijve të dënuar si hajna xhepash. Por edhe kjo zhveshje nga vlerat morale, dinjiteti, e njerëzia e ka rrënjën e shpjegimin e vet tek synimi i parisë së Tiranës për të krijuar një shoqëri të lidhur vetëm mbas interesave e të terrorizuar për bukën e gojës.

Së katërti, në shtetin shqiptar të gjithë politikanët janë qartësisht në shërbim të interesave joshqiptare. Duke e anatemuar idenë kombëtare, ata po ju bëjnë shërbimin më të keq vetë shqiptarëve. Edhe më shumë se aq, shitja e vendit dhe e interesave afatgjata shteteve të interesuara, qysh nga të drejtat, qytetaria, territori, interesat bankare, koncesionet e me rradhë janë një provë e padyshimtë se kjo anarki vlerash është e qëllimtë. Patriotizmi është një virtyt i pacmueshëm. Por kur horrat duan të justifikohen me patriotizmin, atëherë patriotizmi është streha e fundit e horrit. E kjo pari politike, nuk ka kurrfarë ndjenje patriotike. Ajo punon vec për veten e vet e për interesat e saj. Anarkia e vlerave iu shërben këtyre interesave.

Në se njerëzit e dinë se cila është e mira e tyre, në se vendosin të punojnë për kombin e për veten e tyre, atëherë, cka iu duhen këto sundues??? Duke e ditur se ata nuk kanë vend në një system të drejtë shoqëror, paria punon me të gjithë mënyrat e metodat për të eleminuar e asgjësuar cdo ide kombetare e cdo përpjekje që e sheh shtetin si një instrument të fuqishëm në shërbim të interesave të shoqërisë. Një shtet i fuqizuar e në shërbim të shoqërisë është një armik për vdekje i parisë së Tiranës.

Në fund, anarkia e pestë është ajo e vlerave. Paria e Tiranës, konviktorët e katundarët e deridjeshëm, njerëzit që kanë pritur me orë me hangër një rriskë buke, caj pa sheqer e pak marmalatë konvikteve, janë përgatitur mos me pasë dashni për kërkend. Edhe njërëzit që punonin duke ngrënë një rriskë bukë misri me ujë e sheqer kanë një uri materiale që ua ngushton shikimin deri në ekstrem. Si intelektualët e të gjitha niveleve, si të tjerët, duhej të zhvisheshin nga çdo vlerë njerëzore për ti shërbyer sa më mirë që të ishte e mundur sistemit kriminal të atëhershëm.

Sjellja e tyre i ka rrënjët në të shkuarën e tyre, dhe anarkia e vlerave e manifestuar në dallkaukllëkun e luftën për të kapur një karrike me cdo kusht e me cdo cmim, kthimi I kësaj sjelljeje jot ë moralshme në normën shoqërore, është në rrënjë të kësaj anarkie. E paria e Tiranës, vepron kështu, jo pse nuk e din se ka rrugë e mënyra të tjera. Ajo e din se ka rrugë të tjera. Por kjo anarki është e qëllimtë sepse është në shërbim të interesave të saj.

Në një shikim të shpejtë si ky, duhet thenë se në shtetin shqiptar ka një përpjekje intensive për të atomizuar shoqërinë, për ta transformuar edhe më në drejtim të zhveshjes morale, për të krijuar një shoqëri ku të sundohet më lehtë përmes përçarjes, dhe të krijimit të një sistemi shoqëror ku çdo gjë e çdo vlerë e ka një çmim material.

Në përfundim duhet thënë se e vërteta e pastër është se të pesë anarkitë janë pesë shtyllat e agjendës politike të parisë së Tiranës. Kjo agjendë ndiqet në mënyrë sistematike, të qëllimtë, pa asnjë mëdyshje e me vetëdije të plotë nga ana e parisë sunduese. Arsyeja është e qartë dhe e thjeshtë. E vetmja mënyrë për të sunduar e shfrytëzuar këtë popull është që ky popull të mbahet in perpetuum në këtë gjendje anarkie totale e atomizimi të thellë shoqëror. Kjo është gjendja që asaj i shkon më për shtat: gjendja e kaosit totalitar.

Çdo përpjekje për të dalë nga kjo anarki e nga ky kaos totalitar paraqitet sikur është një aventurizëm politik, papjekuri, moskuptim i realitetit apo i konjukturave ndërkombëtare, apo edhe në papajtueshmëri të plotë me vlerat e sotme europiane. Paria e Tiranës lufton me të gjithë mënyrat për të mbrojtur interesat e saj. Kush pajtohet me argumentet e saj, dhe e sheh këtë kaos totalitar si gjendje normale, herët ose vonë do të detyrohet që lejë peng si veten e vet ashtu edhe të ardhmen e fëmijëve e të familjes së tij.