Nga Ben Andoni, “Mapo”
Askush prej politikanëve shqiptarë nuk ka marrë mësime të të folurit skenik. Të paktën me atë që dihet de jure. Por historia 100-vjeçare e ekzistencës së shtetit ka treguar se ata i kanë kaluar në intensitetin dhe llojin e ofendimeve, stigmave dhe politikanët e vendeve me traditë shumë më të hershme parlamentare. Duke shkuar me count-down që nga fjalimi i fundit i kryeministrit aktual, Sali Berisha, dhe duke vazhduar me Fatos Nanon etj., politikanët do të mbahen mend më shumë për batutat dhe fjalimet ofenduese publike sesa për veprat që kanë lënë në dobi të vendit. Argumenti i fundit, nëse do mund të merret ndonjëherë në shqyrtim me paanësi, do të tregojë se impenjimi për të përdhosur kundërshtarin politik ka marrë pa asnjë mëdyshje energjitë më të mëdha të politikës. Është kaq e vërtetë kjo, saqë z. Berisha ditët e fundit në një nga momentet më të vështira të qeverisjes së tij, në vend të merret me problemin e tij kryesor, zgjodhi të anatemojë ashpër kundërshtarin e tij, Edi Rama, me fjalët më fyese që mund të ketë hasur ndonjëherë foltorja e parlamentit shqiptar. U prekën në të njëjtën kohë nëna, gruaja dhe deri te fëmijët. Në një gjatësi vale, por me tonalitete më të ulëta përgjigjja e krye-opozitarit nuk vonoi, por pa mundur të hiqte zulmën e frikshme të fjalimit parlamentar të kryeministrit shqiptar. Sikur mos të kishte ndodhur asgjë, nga dy krahët e politikës, ndërsa zyrtarët e rangjeve më inferiore duhet të ulnin tonalitetet, ata u munduan t’i shtonin dhe disa nota të tjera. Pak vite më parë, të njëjtën gjë bëri personazhi më i njohur politik i fillimviteve ‘90, Fatos Nano. Në mbledhjen e famshme të KPD, ndërsa gjithë anëtarët e forumeve të tij dhe simpatizantët prisnin që të dilej me vërejtjet reale për gjendjen politike, ai iu përvesh anëtarëve më të lartë të partisë, me një fjalor halabakëror, të denjë për mejhanet e dikurshme të harruara të Tiranës.
Gati 20 vjet më parë, ai që do t’i kalonte këto retorika, ishte padyshim lideri politik më jetëgjatë shqiptar, Enver Hoxha. Në mbledhjet e plenumeve dhe të KQ të Partisë së Punës, me fjalimet përgatiste stigmën, që i çonte pastaj në Ferr kundërshtarët e tij. Në fund, ata që patën fat përfunduan në burg, ngaqë të tjerët përfunduan në varr.
Më i kursyer në fjalë ka qenë Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu, jo sepse ishte më i duruari, por nuk e zotëronte aftësinë e elokuencës, që kishin disa nga bashkëkohësit e tij, të shkolluar dhe stërvitur në shkolla dhe politika të njohura lindore. Ai foli pak, shpesh pa hequr sytë nga fjalimet që ia përgatisnin me kujdes. Ndërkaq, në kohën e tij, nëse do e etiketojmë kështu, kanë mbetur të paharruara anatemat kundrejt njëri-tjetrit të dy prej personazheve protagonistë të historisë sonë: Faik Konicës me Fan Nolin, apo të dyve bashkë kundër Zogut…
Çuditërisht, fundi është zakonisht me happy end. Konica përfundon duke e respektuar Zogun. Ky i fundit i jep paratë e një operacioni dhe i kërkon madje Nolit që të kryesojë qeverinë e tij të mërgimit. Noli flet me veneracion për Konicën dhe mundohet të përcjellë eshtrat e tij në Shqipëri. Vetëm Enver Hoxha nuk fal askënd, madje as Mehmet Shehun, që në një tablo sinoptike i nxjerr nga barku dhe ato që Mehmeti rrezik t’i ketë dëgjuar ndonjëherë në të gjallë… Kurse Sali Berisha, pasi e ka futur në burg Fatos Nanon, pak vite më vonë do përfundojnë në një honeymoon, që e shastis, kur ndodh – turmën e simpatizantëve të krahut të majtë dhe të djathtë. E tek e fundit të gjitha bashkë provojnë atë që për shqiptarët përbën një postulat: Shqiptarët e kanë kujtesën e shkurtër.
Mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore
Fjalimet fyese fillojnë herët në kohë dhe paçka brishtësisë së shtetit, ata nuk ia kursejnë fjalët më therëse njëri-tjetrit. Preng Bib Pasha, në takimin e vetëm me Princ Vidin, ku gjenden përballë katër burrat më të rëndësishëm të shtetit shqiptar, i thotë: “Madhëri, nëse do të bësh Shqipërinë, ke vetëm një mundësi. Ismail Beun, Esat Pashën dhe mua të na largosh nga Shqipëria. Secili nga ne është mësuar të urdhërojë dhe asnjeri nga ne nuk ka dëshirë të urdhërohet nga të tjerët. Në këtë mënyrë nuk bën dot shtet”.
Koço Tasi, një figurë interesante parlamentare e kohëve të para, do të shprehet në foltore: “Të gjitha mjerimet e Shqipërisë i kanë shkaktuar muhamedanët, si në kohën e shkuar, ashtu edhe në ditët e sotme. Muhamedanët kanë qenë e qenkan tradhëtorë kundër atdheut. Sikur të kish qenë puna në dorë të këtyre, Shqipërisë nuk do t’i kishte dhembur koka asfare”. Publicisti Faik Konica i drejtohet atij, që do të bëhet pak më vonë Mbret i shqiptarëve: “Gjarpër, malok e njeri me mendësi tipike orientale”. Sotir Peci kundër Zogut shkon edhe më tej: “Ahmet Zogu është një aventurier dhe autor kryesor i turbullimeve që kanë përgjakur Shqipërinë, një hipokrit e nepërkë dhe i zhveshur nga çdo skrupull njerëzor dhe një agjent i shkeljes së tokës shqiptare me fuqi të huaj, i cili për të siguruar përkrahjen e fqinjëve arriti në kulmin e tradhtisë duke u falur këtyre vise të vlefshme të atdheut”. Ai që do jetë në fokus të shumicës prej ngacmimeve do bëhet burri më i fortë i shtetit shqiptar. Prof. Jorgaqi e ka sjellë kështu portretin e kundërshtarit të të gjithëve: “Zogu ishte njeri i veprimit dhe jo i fjalëve. I mungonte elokuenca, rrinte i heshtur si sfinks. Ishte i zgjuar dhe dinak, trim dhe oportunist, i egër, realist dhe pragmatist i paskrupullt, konsekuent në synimet e veta dhe dyshues i përhershëm.
Ajo që do mbetet e paharruar në kujtesën e njerëzve do jetë polemika e madhe në çdo fushë e dy burrave. Konica do shprehet për Nolin: “Ti jeton vetëm me paratë e Kishës. Je i pagdhendur…”. Fan Noli është edhe më i ashpër në ofendimet e tij: Kundër Konicës do të thotë: “Pseudonacionalisti Faik Bej Konica është feudal, e vetëm feudal. S’duhet një mundim i math që ta provojmë. E kundërshtoi Ismail Qemalin dhe u hoth me Esat Pashën, me të cilin themeloi qeverinë e Durrësit. Kundër Avni Rustemit s’la gjë pa thënë e s’la intrigë pa bërë, pse ky harbut kuxoi të vrasë një bej feudal. E kundërshtoi Ahmet Zogun sa e kujtonet demokrat, i puthi çizmet e bardha posa u bind se është bej feudal”.
Më tej:
Noli kundër Zogut*
Ja tani pasqyra e qeverisë së sotme në qoftë se munt të quhet qeveri një çetë e hurit dhe e litarit.
1-Janë tradhëtorë. Hipën në fuqi me ndihmën e Pashiçit dhe, për të qëndruar në fuqi, i falën Serbisë copëra të tokës shqiptare, të fituara me një mijë mundime.
2-Janë kusarë të pasurive të shtetit. U shesin kapitalistëve të huaj pasuritë e shtetit dhe për të qëndruar në fuqi i falën Serbisë Copëra të tokës shqiptare, të fituara me një mijë mundime
3-Janë çkatërronjës. Çkallmojnë buxhetin, dyke e balancuar me kleçka për sy e faqe, e dyke krijuar në realitet një deficit prej tre milionash të pakën, i cili do të rritet me kredite të pasakonëshme.
4-Janë kriminalë. Me anën e veglave të tyre kanë asasinuar prapa kurrizit katër patriotë antiserbë si Bajram Curri, Luigj Guakuqi, Elez Isufi dhe Zija Dibra dhe dyzina të tjerë, emrat e të cilëve ca i dimë e ca do t’i mësojmë më vonë.
5-Janë tiranë. Të gjithë liritë e popullit janë marrë nëpër këmbë. Liria e shtypit nuk ekziston. “Dielli” që mban një paanësi mirëdashëse është i ndaluar.
6-Janë armiq të kanunit. Çkatërruan ushtrinë dhe xhandarmërinë kombëtare dhe lëshuan bashibozukët për të shtypur, për të plaçkitur e për të terrorizuar popullin e gjorë…Kjo fjalë u botua edhe në “Liria Kombëtare” 1925. Por, Konica ia kthen me argumente: “Deshmë të tregojmë se të paktën në sheshin e dipllomatisë kemë më tepër zotësi se Ahmed Zogu. Po dhe në këtë shesh, maloku genial na mundi. Ne çfaqmë zotësinë që kemi duke mos e bërë dot “guvernën” t’onë të pranohet dhe të njihet nga bota e qytetëruar, duke çkënaqur me talljet tona në Genevë, ata nga të cilat ka nevojë Shteti ynë, dhe duke vënë në dyshim Fuqitë e perëndimit me intrigat t’ona me Bolshevikët. Ahmed Zogu, nga ana tjatër, qe i zoti të fitojë besimin e Evropës dhe t’Amerikës në pakë kohë, e bëri guvernën e tij të pranohet zyrtarisht, ngreu kreditin e Shtetit jashtë dhe fitoj në sytë e Botës emrin e një udhëheqësi të vërtetë. Ne me frazat tona bombastike, kallmë anarqinë anë mb’anë të Shqipërisë kurse stërvitja jonë intellektuale duhej të na kishte bërë të zotët, të paktën në theori, t’i jipnim popullit një frymë regulle. Ahmed Zogu nga ana tjatër, me instiktin genialtë tij, e vuri turmën nën një disiplinë e cila, sado e mërzitshme, është më e dobishme se anarqia jonë. Edhe në këtë shesh na mundi Ahmed Zogu. I mir’ ai lik. Ahmed Zogu është mundës. Ne më të mirë se ay jemi të mundur. I mirë’ a i lik, Ahmed Zogu ka fituar besimin e popullit shqiptar dhe jashtë besimin e Fuqive të mbëdha”.
Zogu i shikon me kujdes të gjitha, por ruhet. Një moment do të shprehej publikisht se është i tërhequr për arsye të tjera: “Jam gati të vdes si luftëtar, por nuk kam asnjë dëshirë të vritem me një plumb ne nj qoshe rruge, si një qen”, thotë lakonik.
Pak vite më vonë, ndërsa Konica ia begenis në SHBA të motrat Mbretit dhe i shërben edhe tej pozicionit të tij si zyrtar deri si ciceron i thjeshtë, i shprehet Abdurrahim Krosit: “E përbuz mbretin për këto arsye: E kam vëzhguar që kur ka qenë tetëmbëdhjetëvjeçar dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë ose qoftë dhe patriotizëm të pagdhendur por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”…
Pas Luftës së Dytë
Kanë mbetur të paharruara fjalimet e Koçi Xoxes, ministrit të Brendshëm të qeverisë së parë të dalë pas lufte. Atë e kanë frikë të gjithë. Çdo gjë që thotë ai përcillet me represion. Por më e egra është kjo e një plenumi. Tashti s’ka shumë retorikë personale, por flitet në emër të parimeve dhe statuteve të partisë: “Partia Komuniste Shqiptare është si të gjitha partitë e tjera, parti e klasës punëtore, dhe si e tillë nuk do të thotë që në udhëheqjen e saj të vijnë kuadro të klasës punëtore”. Në këtë diskutim gjen mënyrën për të sulmuar Sejfulla Malëshovën: “Partia, pavarësisht se nuk kishte nevojë për kuadro të domosdoshëm të dalë nga klasa punëtore, kjo nuk do të thoshte që në krye të saj të vinin intelektualë të sëmurë dhe me dy fytyra. Partinë e dëmtojnë shumë intelektualë të tillë. Fjala është veç Sejfulla Malëshovës edhe për Enver Hoxhën, Omer Nishanin, Medar Shtyllën, Spiro Kolekën, që atëherë trajtoheshin sipas një fjale “njerëz që vënë njeriun për një kungull”. Por Enveri tregon se është më i fortë. Eliminon me radhë Koçi Xoxen, Malëshovën etj. Tani retorika e tij është e frikshme. Çdo fjali përkthehet direkt në dhunë dhe në atë që quhet Diktatura e Proletariatit. I paharruar ka qenë diskutimi në mbledhjen e organizatës-bazë të Partisë të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH, më 26 prill 1956 (Pas Konferencës së Tiranës): “Për armikun kjo udhëheqje duhet të hiqet e tëra dhe, natyrisht, në vend të saj të vijnë njerëz të tjerë si Tuk Jakova e Bedri Spahiu me shokë, sepse këta njerëz, në këto situata, që mendojnë se u bë deti kos, gabimet e tyre nuk i konsiderojnë gabime, pra gabimet e tyre duhet të fshihen.
E gjithë puna armiqësore që u shfaq në Konferencën e Tiranës kishte për qëllim shkatërrimin e Partisë sonë. Zbulimi i veprimtarisë armiqësore në këtë konferencë është një fitore e madhe për ne, por njëkohësisht Partia mëson nga gabimet e veta. Shikoni se si u shkund organizata e Partisë e Tiranës nga kjo ngjarje”. 10 vjet më vonë do të vijojë një tjetër fjalim dhe Shqipëria, pas tij do të jetë institucionalisht ateiste(?!) Në letrën drejtuar komiteteve të Partisë të rretheve mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare më 27 shkurt 1967 do të thotë… Feja është opiumi i popullit. Duhet të bëjmë çmos që këtë të vërtetë të madhe ta kuptojë çdo njeri, edhe ata që janë të helmatisur (e që nuk janë pak), duhet t’i shërojmë. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur.
Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptim siç janë mjaft popuj të tjerë, por prapëseprapë edhe ai diçka beson. Klerikët, me përjashtim të katolikëve, aktualisht janë injorantë dhe fenë që predikojnë e mbështetin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare, me anën e një liturgjie arkaike, me psoma dhe duara ose me lutje të mësuara përmendësh, në rastin e hoxhallarëve, pa u kuptuar as brendinë, pa lëre interpretimin e tyre filozofik…
Ç’lidhje mund të kenë këto ëndërrime të Muhamedit me realitetin tonë të shekullit të 20? Asnjë lidhje! Prandaj duhen zhdukur përfundimisht dhe pa nishan këto lidhje që e shtrëngojnë njeriun këmbë e duar dhe e poshtërojnë.
Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologji e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologji e shovinistëve grekë, që kanë pushtuar në të kaluarën vendin tonë, dhe feja katolike, me qendër Vatikanin ka qenë ideologji e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian. Njësoj i ashpër është raporti në Plenumin e 4 të KQ të PPSH, më 26 qershor 1973, i cili e përcjell vendin në një fushatë të pafundme represioni dhe internimesh: “Liberalizimi nuk bie nga qielli, ai është produkt i presionit ideologjik të armikut të jashtëm e të brendshëm, që ka për qëllim të minojë pushtetin popullor dhe socializmin. Por shfaqja e këtij fenomeni, dhe sidomos shkalla e përhapjes së tij, varen shumë nga puna e Partisë, nga kuptimi i rrezikshmërisë së tij dhe nga lufta që bën Partia për edukimin dhe kalitjen revolucionare të komunistëve dhe të punonjësve”.
Me radhë goditen shumë figura të rëndësishme të kulturës, luftës dhe socializmit dhe mënjanohen bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Kulmi arrin me vetëvrasjen e kryeministrit, Mehmet Shehu, të cilit, përveçse etiketohet si armik, i zhduket çdo meritë.
Pas ‘90
Por, nëse Enveri është larguar prej natyrës, shqiptarët nuk mund të heqin vesin e ofendimit publik. Në fushën e lojës politike kanë zbritur dy personazhe, që do jenë deri në ditët e fundit protagonistë. Sali Berisha, fillimisht si president dhe në vitet e fundit si kryeministër, do të jetë i pashembullt në anatemat e tij. Më 1997, fjalori i tij negativ do të arrijë kulmin me rizgjedhjen e tij si president me përcaktimin e asaj që ndodhi më 1997, duke e cilësuar gati si kryengritje e të kuqve. Kryetari i Shërbimit Informativ, Bashkim Gazidede, një nga besnikët e tij, do të shprehej për një plan me pesë pika dhe implikimin e Greqisë direkt në të: “Sillogjet vorioepiriote gjatë viteve 1991-1994 kanë pasur edhe mbështetjen e qeverisë së atëhershme greke, të drejtuar nga Micotaqis dhe qeveritarë të tjerë. Kështu, secilit nga ju mund t’i kujtohet në atë kohë deklarata prej pesë pikash e ish-kryeministrit Micotaqis, ndër të cilat çështja e minoritetit grek në Shqipëri krahasohej me problemin e Kosovës. Për të njohur gjendjen sa më mirë në Shqipëri u infiltruan ish-oficerë të liruar të ushtrisë, të policisë, të Sigurimit të Shtetit, duke përfshirë këtu edhe ish-ministrin e Mbrojtjes të kohës së komunizmit, Kiço Mustaqi, i cili ka informuar, sipas të dhënave të sakta që kemi, mbi gjendjen e teknikës luftarake në Shqipëri, për vendndodhjen e armatimit të rëndë, të aviacionit, për bazat ushtarake detare dhe pothuajse hollësisht për çdo gjë. Po kështu, nga ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit është dekonspiruar rrjeti i bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe të dhëna të tjera me karakter sekret. Nga ana jonë disponohen të dhëna që edhe Gramoz Ruçi, së bashku me Kiço Mustaqin kanë qenë në dijeni dhe janë integruar në planet për organizimin e kësaj kryengritjeje të armatosur. Në vitet 1991-1993, platforma e ndjekur nga qarqet shoviniste greke, duke gjetur edhe mbështetjen e qeverisë së Micotaqisit, synonte tjetërsimin e territorit të Shqipërisë. Kjo do të realizohej në atë kohë ndërmjet dy rrugëve…”. Por, s’mbaron me kaq. Në të njëjtën seancë, ish-kryetari i Komisionit të Kontrollit, Blerim Çela, do të shprehet në mënyrë të ashpër dhe pa takt: “Lobi grek në Amerikë dihet botërisht se është i fuqishëm dhe se, në administratën e Shtëpisë së Bardhë, këshilltarët e presidentit Klinton, janë me origjinë greke e miq të Nikollas Geixh. Ambasadorja e SHBA, zonja Mariza Lino, bëri një deklaratë në “Zërin e Amerikës” se nuk ka ndërhyrje të shërbimit të fshehtë të Amerikës në Shqipëri. Ne politikanët po bëjmë sikur e besojmë. Por, a e beson populli shqiptar këtë deklaratë? Edhe fëmija i djepit e di se këtë katrahurë e kurdisi Amerika dhe nuk është zor i madh të çekuilibrosh Shqipërinë e varfër ku, njerëzit pa karakter, blihen për njëqind dollarë”. Çuditërisht e pasojnë duartrokitje. Kohët kalojnë dhe në fuqi janë socialistët. Më e paharruar në jetën politike shqiptare do të mbetet fjala e hallakatur e ish-kryeministrit, Fatos Nano, para bashkëpunëtorëve të tij në KPD e famshme të dhjetorit të vitit 2001: Nano do t’i drejtohej ish-kryeministrit Bashkim Fino: “Largohu nga Miri i Xhikes, sepse ai nuk është mikut yt”. Kurse me batutat e tij ‘të famshme’ do e akuzojë Gramoz Ruçin me Bardhyl Agasin me fjalët: “Ti Bardhi mos e mbro Ruçin, se keni konflikt interesash, pasi votoni të dy në të njëjtën shportë”. Në të njëjtën ditë tallen dhe Anastas Angjeli dhe Mustafa Muçi, por edhe shumë të tjerë. Jeta politike shqiptare zbret në kuotat më të ulëta të besimit për të arritur në fjalimin e pak ditëve më parë të Berishës që e ngjit sërish në apogje kulturën vulgare të fjalimeve publike të zyrtarëve shqiptarë. Ai i drejtohet direkt kundërshtarit të tij, z. Edi Rama, me një fjalor që ka të ngjarë që të mbahet gjatë në mend: “Ti vuan nga një kompleks i tmerrshëm, nga një kompleks patologjik si askush tjetër….
Cili është ai burrë, çfarë burri është ai që bashkëshorten e vet e akuzon se ka fëmijë me të atin e tij, ashtu siç ka botuar dokumentet ndihmësi i tij ndër më kryesorët, Erion Baze, në fletushkën e tij?! Cili është ai baba, zoti Rama, që i mohon djalit kafshatën e gojës?! Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk i mohohet, aq më tepër kur ai ishte i vogël, i mitur…. Cili është ai burrë, shqiptar, ballkanas, ai evropian që nxjerr gruan e tij lakuriq në plazhet e botës? A mund të na e thuash pak, zoti Rama, ti që përmend familjen çdo ditë dhe çdo natë? A e di ti që ajo është një nënë, një motër, një bijë, është shqiptare, por edhe po të mos ishte shqiptare, po të ishte serbe, gjermane, franceze, italiane, nuk i bëhej kurrë ajo që ke bërë ti. Dhe e ke fotografuar. A e di ti që sot ajo shëtit rrugëve të Tiranës dhe e ke ndarë? Cili je ti që lakon familjen çdo ditë, duke dëshmuar kompleksin e tmerrshëm që ke, urrejtjen patologjike që ke për familjen si të tillë? Ke akuzuar babën, si baba të djalit, ke nxjerrë gruan lakuriq në plazhet e botës. Këtë s’e ka bërë kush kurrë. Zoti Rama, cili është ai burrë, që ngrihet nga shtrati i të shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe të deshve dhe e detyron të largohet natën e lemerisur? Cili është ai burrë? Ke muaj të tërë që më lakon, me diçka që e kam krenari shumë të madhe. Edhe ajo është një zonjë, një motër, një vajzë shqiptare. Ti që lakon familjen çdo ditë, a mund të më thuash, cili është ai burrë që rreh si kafshë te “Piazza” dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare? Je ti dhe askush tjetër. Kjo është e vërteta”.
Mund të shkruhet dhe shumë më tepër, por këto janë të mjafta, për të bërë një radiografi të politikës, që ka drejtuar fatin e Shqipërisë në 100 vitet e fundit.