Skerdilajd Zaimi
Intervistë me nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu
Ndryshimi i kombësisë ndër shqiptarë duket se shkon përtej një akti formal të gjykatave të ndryshme në Shqipëri. Në intervistën e tij për gazetën “Shqip”, numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, jep disa copëza informacioni që duket se e adresojnë çështjen në fjalë si përgjegjësi të pjesës më të madhe të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, Spahiu ka parashtruar një kërkesë që shifrat zyrtare të ndryshimeve të vijnë jo vetëm nga gjykatat, por edhe nga ato të institucioneve që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë veprimtari.
Duke sqaruar idenë qendrore të shqetësimeve që janë përcjellë për regjistrimin, pra atë që lidhet me kërcënimin që procesi i ndërtuar mbi logjikën e vetëdeklarimit sjell mbi sovranitetin dhe stabilitetin, nënkryetari i KLD-së ka nënvizuar se përmes tij po sugjerohet transformimi i strukturës demografike të Shqipërisë dhe kthimi i saj në një shtet multietnik. Një analogji me Maqedoninë është sjellë si shembull ilustruese sesi kriza ndëretnike cenon stabilitetin, duke kushtëzuar edhe perspektivën.
Z. Spahiu, së fundmi ju jeni vënë në krye të asaj që mund të përkufizohet si një fushatë sensibilizimi për regjistrimin e popullsisë mbi bazë vetëdeklarimi. Sipas informacioneve që keni, cila është situata demografike dhe pse papritur flitet për sigurinë kombëtare në një vend anëtar të NATO-s?
Është një situatë disi e pritur dhe e “gatuar” prej shumë vitesh, me qëllim prishjen e balancave etnike në konfigurimin demografik të vendit. Shqipëria është një nga vendet e vetme në rajon që dekadat e fundit nuk ka pasur apo njohur konfliktet ose krizën e marrëdhënieve ndëretnike dhe fetare. Nëse Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, është pikërisht një arsye kryesore harmonia dhe bashkëjetesa mes etnive dhe ndarja e kulteve nga shteti. Nuk është e rastit që Maqedonisë, e cila ka tensione etnike, i është bllokuar anëtarësimi apo Turqia prej shumë kohësh ka marrëdhënie të ngrira në procesin e integrimit. Tendenca për të krijuar një shtet të paqenë multietnik në Shqipëri do ta cenonte drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe do të transformonte vendin në një shtet me sovranitet të kushtëzuar.
Ju keni përmendur disa shifra konkrete për vendime gjykatash që përfshijnë disa mijëra njerëz. Në fakt, sipas jush, si mund të arrihet që përmes regjistrimit me vetëdeklarim të vihet në pikëpyetje stabiliteti i Shqipërisë?
Te shifrat që kam nxjerrë ende edhe sot, nuk ka dalë asnjë zë i vetëm, përfshi këtu edhe qarqet më oponentë, që t’i kundërshtojnë, pasi janë të mbështetura mbi dokumente, akte dhe vendime zyrtare. Janë me mijëra dhe ndiej keqardhje që shumë pak vëmendje u kushtohet këtyre falsifikimeve pafund dhe debatohet mbi çështje sipërfaqësore.
Ndërkohë, për pyetjen mbi stabilitetin, i cili vihet në pikëpyetje nga vetëdeklarimi është shumë e thjeshtë. Në logjikën juridike, nëse i referohesh ligjit të miratuar në vitin 2000 nga Kuvendi i Shqipërisë “Për regjistrimin e popullsisë”, krejt arbitrarisht dhe jashtë çdo parimi kushtetues i lihet përparësi vetëdeklarimit në korrigjimin e pasaktësive të regjistrave të gjendjes civile. Kjo është e papranueshme që me një dispozitë antikushtetuese të hedhësh në kosh të plehrave regjistrat e gjendjes civile dhe t’i japësh përparësi një vetëdeklarimi të pabazuar në kritere objektive.
Për të mbetur te vendimet e gjykatave, në cilësinë e numrit dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, a do të ketë masa apo nisma për ata gjyqtarë që kanë shkelur ligjin në këtë rast?
Natyrisht do të ketë, duke respektuar çdo procedurë mbi masat disiplinore, por çështja është më e rëndë se një shkelje ligjore, pasi në thelb vetë ligji, i cili ka qenë i detyrueshëm për gjyqtarët, është konsideruar prej tyre si antikushtetues. Tre gjyqtarë nga Saranda, Shkodra dhe Përmeti i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese për ta vlerësuar ligjin “Për gjendjen civile” si antikushtetues në dispozitat për kombësinë. Në parim problematika ka buruar nga ligji dhe jo nga gjykata. Është rast unik në praktikat europiane që me ligj u lejohet hapësira qytetarëve të ndryshojnë kombësinë me vendim gjykate. Kjo çështje juridike është çelësi i zgjidhjes së kësaj dileme, ku ka aspekte që në asnjë vend nuk zgjidhen me vendim gjyqësor për sa u përket çështjeve që janë pjesë e etnologjisë.
Sipas deklarimeve zyrtare që vijnë nga INSTAT-i, në regjistrim do të përfshihen ata qytetarë që kanë banuar në Shqipëri në 12 muajt e fundit. Duke qenë se personat që kanë ndryshuar kombësinë në shumicë jetojnë jashtë, atëherë është logjike që edhe përfshirja e këtij kontingjenti në regjistrim nuk do të bëhet. Atëherë pse ky shqetësim për ndryshimin e raporteve të brendshme?
Askush nuk mund të thotë me saktësi nëse pjesa më e madhe që kanë ndryshuar kombësinë jetojnë jashtë apo në Shqipëri. Përkundrazi unë kam informacion dhe bindje të plotë që jashtë jetojnë ajo pjesë që ka ndryshuar shtetësinë dhe jo kombësinë. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme që nuk duhet t’i ngatërrojmë. Janë me mijëra dhe mijëra shqiptarë, të cilët kanë lënë kombësinë shqiptare ose tentojnë që ta ndërrojnë atë dhe një proces vetëdeklarimi do të zvogëlonte artificialisht numrin e popullsisë shqiptare.
Për të mbetur këtu; jemi në një situatë kur regjistrimin mbi bazë vetëdeklarimi ose jo, do ta bëjë edhe Greqia, vend në të cilin këta persona që kanë ndryshuar kombësinë në Shqipëri mund të deklarohen grekë aty, por me vendlindje dhe vendbanim në Shqipëri. Pra sërish do të kemi një statistikë që e rrit numrin ekzistues të homogjenëve, çka është edhe shqetësimi juaj. A është ky një fakt zyrtar që e konservon problemin?
Vendet e BE-së, përfshirë dhe Greqinë, nuk mund t’i kërkojnë Shqipërisë aplikimin e standardeve të paqena dhe për më tepër disa praktika, të cilat ato i refuzojnë me forcë që t’i aplikojnë. Shqipëria është një shtet, i cili ende nuk është pranuar as vend kandidat për në BE dhe është e patolerueshme që t’i serviren standarde jo europiane, të cilat vetë shtetet e BE-së i refuzojnë.
Keni një shifër konkrete sesa mund të jetë numri i shqiptarëve që kanë ndryshuar kombësinë në këto 20 vjet?
Natyrisht që kam një shifër, por kjo kërkon një përfshirje ndërinstitucionale të të gjithë faktorëve shtetërorë, pasi në procesin e ndryshimit të kombësive nuk janë përfshirë vetëm gjykatat, të cilat në këtë proces kanë majën e ajsbergut. Ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në sektorë dhe institucione të tjera, të cilat janë jashtë juridiksionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe për këtë arsye duhet që çdo segment i shtetit të nxjerrë një shifër zyrtare.
Z. Spahiu, a mendoni se pavarësisht përpjekjeve dhe devizës së integrimit, Shqipëria ka dështuar të realizojë projektin e vet për hyrje dinjitoze në familjen europiane, teksa shohim se ky “trafik” kombësie është manifestim i një dorëzimi vullnetar të identitetit?
Besoj se kjo ishte pasojë e një sistemi, i cili rrënoi shumë vlera të shoqërisë, kulturës, etnologjisë, historisë, qytetarisë dhe kombit tonë në tërësi.
A do të ishte sipas vlerësimit tuaj edhe si jurist zgjidhje heqja e së drejtës për dy shtetësi?
Nuk do të dëshiroja t’i përzieja këto dy çështje, pasi nuk jam i mendimit për momentin që qytetarëve t’u hiqet e drejta e dyshtetësisë. Përkundrazi, ne dëshirojmë të jemi qytetarë dhe shtetas europianë, por në BE duhet të hyjmë si shqiptarë dhe jo si…
Ju keni folur edhe për konfrontimin kushtetues që procesi i regjistrimit të popullsisë bart në vetvete. Nëse nuk pezullohet, a do ta çoni ju këtë në Gjykatën Kushtetuese?
Nuk duhet ta paragjykoj Kuvendin në vendimin që do të marrë, pasi kam bindjen dhe besimin që Kuvendi i Shqipërisë do ta marrë në konsideratë këtë nismë unike në historinë e shtetit të së drejtës së iniciativës ligjvënëse me 20 000 zgjedhës.
Z. Spahiu, a janë sipas jush çështjet që herë pas here zënë vend në media lidhur me marrëdhëniet me Greqinë, pjesë e angazhimit për të zgjidhur në rrugë dypalëshe disa mosmarrëveshje të trashëguara, për të cilat si garanci shërben edhe mbajtja formale në fuqi e ligjit të luftës?
Nuk mendoj se e keqja e Shqipërisë vjen nga fqinjët, por duhet të kemi më shumë respekt për veten.
Cila është përgjegjësia e qeverisë shqiptare në kuadër të këtij procesi, përderisa ajo është nismëtare e tij?
Deri tani është fakt që ky proces u shty. Në të ardhmen jam i sigurt se do të ketë reagime të tjera, të cilat do të mbërrijnë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri.