Propagande ligjore

0
45


Nga Mero Baze

Shumica në Kuvendin e Shqipërisë miratoi dje një ndryshim në rregulloren e Kuvendit, sipas të cilës deputetit i kufizohet imuniteti. Miratimi pasoi një seancë të zakonshme degraduese të Berishës, i cili lexoi një libër të gjatë sharjesh me emra biznesmenësh, deputetësh opozitarë dhe gazetarësh që sipas tij janë e keqja e këtij vendi. Dhe pasi lexoi listën e armiqve të tij, akuzoi opozitën se nuk voton nismën e tij për kufizim imuniteti se është e korruptuar. Kaq pritej dhe sikur të mos mblidhej fare Kuvendi. E vetmja gjë që vlen për tu shënuar në këtë nisëm të re të opozitës është plotësimi i një tradite të propagandës ligjore në mandatin e qeverisjes Berisha.

Në dy mandatet e tij prej vitit 2005, Berisha ka ndërmarrë rreth 20 nisma ligjore antikushtetuese vetëm për propagandë. Ndër to shquan ligji për pastërtinë e figurave, një ligj tepër i domosdoshëm për Shqipërinë; ligji i pronave, një ligj mungesa e të cilit po shkatërron Shqipërinë; dhe natyrisht nisma e djeshme për kufizimin e imunitetit, që është shumë e nevojshme pasi vetë Sali Berisha dhe së paku tri ministra të tij kanë shpëtuar nga burgu prej imunitetit. E gjitha kjo përbën atë që mund ta konsiderojmë pa frikë propaganda ligjore e Sali Berishës.

Çfarë është ky fenomen?
Shumë opozitarë dhe kritikë të Berishës i bien shkurt dhe e quajnë Berishën injorant. Jo. Kjo nuk është injorancë, por është një lëvizje e qëllimshme për të pasur mbështetjen e shtresës injorante të popullsisë. Është thjeshtë një lëvizje regresive politike. Duke qenë i qartë për shembull se mes bashkëpunëtorëve të tij ka plot ish- bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët dhe vetë i ka quajtur të tillë kur i kanë dalë kundër, (lexoni RD e dikurshme për denoncimet e Rulit apo Qukapikun), Berishës i duhej para zgjedhjeve të vitit 2009 një përpjekje për tu treguar ish të persekutuarve, që akoma nuk u ka dhënë lekët e burgut, që po përpiqej të ndëshkonte persekutorët e tyre. Me koshiencë të plotë futi një nen në mes të ligjit ku ndalonte Gjykatën Kushtuese ta abrogojë këtë ligj për konflikt interesi, dhe kaq i mjaftonte tu shkelte syrin gjithë spiunëve të tij të ishin të qetë se ligji ishte kot.

E shikon se ka bërë një masakër me pronat në Shqipëri, dhe ka rishpërndarë tokat e pronarëve të mëdhenj tek Familja e tij, dhe për tu hedhur hi syve pronarëve, ribën një ligj për pronën sipas të cilit qeveria e tij ka të drejtë të shpërndajë tituj pronësie, duke dalë mbi vendimet e mëparshme të gjykatave dhe aktet e trashëgimisë. I sigurt se dhe ky nuk miratohej, ai vazhdon të grabisë gjithë tokat e bregdetit shqiptar, së paku nga Semani deri në Lëkurës në Sarandë, me një grup të famshëm avokatësh dhe pronarësh që shfaqen gjithkund bashkë, nga Semani në Sarandë.

Pasi mbron Fatmir Mediun nga burgu me imunitet, tutorin politik të djalit të tij në tragjedinë e Gërdecit, pasi shpëton Lulëzim Bashën me procedurë, pasi i shpëton vetë prokurorisë pa shkuar asnjë herë para saj që nga vrasja e Azem Hajdarit e deri më sot, pasi mbrohet vetë në Gjykatë të Lartë për shpifjet ndaj qytetarëve me imunitet, dje bën një propozim ligjor qesharak sipas të cilit deputetëve u kufizohet imuniteti në rregullore, ndërsa fuqia e tyre imunitare buron nga Kushtetuta. Kjo do të thotë që nëse do të kishim vërtet një prokurore të Përgjithshme trime sot, duhet t’i priste një fletëthirrje Sali Berishës për katër vrasjet e fundit, dhe ky i fundit kur të dilte para Gjykatës do shpëtonte, pasi Gjykata nuk do ta konsideronte thirrjen pa i hequr imunitetin ligjor që i buron nga Kushtetuta.

Pra, e gjitha kjo përpjekje e tij është jo për të hequr apo kufizuar imunitetin, por për të bërë propagandë rreth kësaj çështje me qëllim që realisht imuniteti i tij dhe ligjshkelësve të tjerë me imunitet të mos preket. Ai e komplikon gjithë historinë thjesht për ta bërë më të lehtë mbrojtjen me procedura në rast të arrestimeve që duhet të bëhen për katër vrasjet nëse këtu do të ketë ndonjë herë shtet ligjor. Nisma e djeshme është guri i fundit në gjerdanin e propagandës ligjore që Berisha po bën prej vitit 2005 pa miratuar asnjë ligj të rëndësishëm në pajtim me Kushtetutën.

Ashtu siç ka bërë rrëmujë qeverisjen, ashtu siç ka bërë rrëmujë reformat në financa dhe investimet publike, ashtu siç ka bërë piramidë buxhetin dhe ka krijuar një shtet privat të komandueshëm lehtësisht prej tij, ashtu ka bërë dhe propagandë ligjore duke ndërmarrë nisma nëpër konferencë shtypi pa i shërbyer aspak ndërtimit të një shteti modern në Shqipëri. Për gjithë këto arsye shqiptarët nuk e marrin seriozisht nismën e tij të fundit, por nuk mund të mos marrin seriozisht rezistencën e tij për të bërë rrëmujë dhe ligjet e shtetit shqiptar, përfshi dhe Kushtetutën, vetëm që të mos gjykohet për asnjë krim të bërë, për asnjë pare të vjedhur.