SHQETËSIME PARA ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE NË SHBA

0
502
Sami Repishti

Prof. Sami Repishti, IllyriaPress.com

Me 3 nandor 2020, në Shtetet e Bashkueme do të mbahen zgjedhjet katër vjeçare për presidentin e ri amerikan. Zakonisht, zgjedhjet mbahen të marten e parë të muejit nandor dhe zgjasin vetëm një ditë. Kanë të drejtën e votës vetëm ata qytetarë amerikanë, dhe emigranë me residencë permanente që janë të rregjistruem për votim. Kësaj radhe mendohet se do të votojnë rreth 150 miljonë persona, shifër rekord!

SHBA ka shumë parti politike; prej tyne dy janë të mëdha me marrë pjesë në konkurrencen e zgjedhjeve: Partia Demokratike dhe Partia Republikane. E para ka programe progresive; e dyta mban qëndrime konservatore.

Në votimet e fundit, 2016, mandatin e mori Presidenti Donald J. Trump për nji periudhë katërvjeçare. Kjo periudhë mbaron me datën 20 janar 2021, 70 ditë mbas përfundimit të zgjedhjeve, ditën kur edhe presidenti i zgjedhun ban betimin para publikut, në prezencën e Kryetarit të Gjykatës së Naltë dhe nji numri autoritetesh që përfaqsojnë Administratën amerikane në kryeqytet dhe në shtetet tjera. Ma shumë se nji miljon qytetarë deshmojnë këte ceremoni. Kjo periudhë quhet “tranzicioni”.

Në përfundim të numrimit të votave ditën e zgjedhjeve, Komisioni për Mbikëqyrjen e Zgjedhjeve ban njoftimin zyrtar, dhe fituesin me votat ma të shumëta. Kandidati që humb, zakonisht i telefonon kandidatit fitues se pranon rezultatet e zgjedhjeve dhe uron presidentin e ri në detyrën e re. Por SHBA ka edhe nji procedurë jo të zakonshme: Kolegjin Elektoral. Ky institucion qytetarësh, të njohun si “electors”, ka 538 elektorë (zgjedhës) dhe secili përfaqëson votuesët e nji shteti të caktuem. Janë pikërisht këta elektorë që vendosin përfundimisht për presidentin e ri.

Po sa të përfundojë numrimi i votave të elektorëve, zyrtarët e zgjedhjeve njoftojnë kandidatin që ka fitue shumicën e votave (270 plus). Elektorët mblidhen me datën 24 dhetor dhe votojnë. Zakonisht elektorët votojnë për kandidatin që fiton shumicën e votave në shtetin e tyne. SHBA ka 50 shtete, disa të vogla nen nji miljon, dhe disa, si California, 40 miljonë banorë. Shtetet e vogla numerikisht kanë të drejten e nji “elektori” por përfitojnë edhe dy elektorë të tjerë me ngritë peshën në votim. Ky konçesion quhet “federalizëm”, që përfaqëson frymen federaliste.

Mbas deklarimit të fitimtarit, përfaqsues të Administratës së kalueme dhe asaj të ardhme takohen periodikisht dhe bajnë transferimin e autoritetit me të gjitha hollësitë e nevojshme, sidomos zyrtarët e ngarkuem për shërbime sekrete shtetnore. Nji ose dy takime bahen edhe në mes të dy ish kandidatëve ku shkëmbimi i informatave ka karakter tepër sekret, sidomos në fushën e armëve nukleare. Kjo ashtë, në përgjithësi, forma e ndjekun me sukses tradicionalisht.

Zgjedhjet e reja dhe përfundimi i tyne kanë tregue se ka mundësi, që njeni kandidat -sidomos ai që humbet – vendosë të mos pranojë rezultatet e Komisionit dhe të refuzojë dorëzimin e pushtetit. Në këte rast, kandidati Trump dhe kandidati Biden. Kjo situatë e krijueme nga deklaratat e Presidentit Trump se “zgjedhjet janë të montueme” dhe se ai nuk do të pranonte rezultatet e Komisonit të Zgjedhjeve, kanë shkaktue shqetësime të mëdha dhe tensione politike që, në se realizohen, do të jenë shkatërrimtare për demokracinë amerikane.

Amerika me peshën e saj të madhe në të gjithë kontinentet do të shkaktonte dridhje tektonike në botë, dhe nji ndamje në mes shtetesh pro-demokratike dhe ato gjysmë totalitare, sidomos në Europë, ku rreshtohen Hungaria, Polonia, Slovakia, Turqia e tjerë… Efekti i parë i këtij zhvillimi negativ do të ishte prishja e Bashkimit Europian ashtu si e njohim ne sot.

Prandej, zgjedhjet e 3 nandorit 2020 kanë nji randësi të dorës së parë!

Në edicionin e saj të 2 tetorit, gazeta shqiptare TEMA botonte përkthimin e nji artikulli të shkruem nga tre autorë të njohun të skenës gazetareske gjermane (Becker, Hoffmann, Matler) ku flitet për mundësinë e nji skenari të tillë. “Çfarë do të ndodhë sikur Donald Trump të refuzonte largimin nga detyra dhe pretendon para kohe dhe në mënyrë të paligjëshme fitoren“ shkruen gazeta, “dhe mban presidencën e republikës edhe për nji mandat katër vjeçar?” Pyetja tmerron Berlinin dhe Brukselin. Europa po përgatitet për ate ma të keqen e asaj që mund të ngjasë në Washington, D.C. shkruen TEMA. Në nji Raport të gazetës Der Spiegel të dërguem nga Uashingtoni theksohet se nji skenar i tillë nuk mund të shpërfillet. Raporti ven në dukje se SHBA rrezikon të bie në nji krizë të këtillë, e cila mund të zgjatë disa muej dhe të ketë pasoja shumë negative, për pjesën tjetër të botës.

Gjermanët mendojnë se në këtë gjendje i gjithë rendi botënor ashtë në balancë.

Para nji skenari të këtillë, udhëheqsi demokrat i Senatit amerikan, Senatori Menendez (D,N.Jersey) paraqiti nji “Raport”, ku thuhet se “…pasojat e fjalëve dhe veprimeve të Donald Trump-it kanë qenë pothuejse pa dyshim negative për popullin amerikan dhe për interesët afatgjata të SHBA si fuqi globale”. Ai i referohej rastit fatkeq të incidentit kur nji grup “supremacistësh të bardhë” tentuen grabitjen e governatorit demokrat te Michigan-it, gjykimin dhe ekzekutimin e saj për arsye të korrektesës së saj në marrjen e masave të nevojshme për luftimin e virusit COVID 19. Pak ditë ma vonë ky skenar u përsërit edhe për governatorin demokrat të shtetit Virginia. Konspiracioni u zbulue me kohë dhe 14 aktorë u arrestuen dhe do të dalin para gjyqit. Nji javë ma parë, nji djalosh 19 vjeçar, përkahës i Presidentit Trump, u kap 4 km. larg banesës së kandidatit demokrat J. R. Biden, Jr. me nji makinë të mbushun me armë e municion dhe me shënime për vrasjen e kandidatit Biden. Ai u arrestue dhe do të dalë para gjyqit.

Kandidati presidencial demokrat Joseph R. Biden, Jr. në nji analizë të botueme në Foreign Affairs, mars-prill 2020, shkruen: “Nga çdo kand që të veshtrojmë kredibiliteti dhe influenca e SHBA-s në botën tonë ashte pakësue… Donald Trump ka zvogëlue, dobësue, në disa raste abandonue aleatët e SHBA-së. Ai ka sulmue shërbimet tona informative të udhëhequna nga profesionistë, nga diplomatë, ashtu edhe si forcat e armatosuna. Ai ka forcue kështu kundërshtarët tonë: Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë, Afganistanin, Venezuelën etj. Ai ka krijue konflikte tregëtare të panevojshme që damtojnë klasën e mesme. Ai ka heq dorë nga politika që mbledh rreth vehtes shtete që bashkëndajnë vlerat tona, nji orientim që forcon kombin tonë e na bashkon si popull’.

Senatori Ben Sasse (R. Nebraska) qorton: “Mënyra si (Presidenti) përqafon me paturpësi diktatorët, due të them mënyra si injoron gjendjen e popullit mysliman Uighur të mbyllun literalisht në kampe përqendrimi në Xinjiang edhe sot e kësaj dite. Ai nuk lëvizi nji gisht me ndihmue demonstratat pro-demokraci në Hong Kong… Udhëheqja e tij gjatë krizës së epidemisë nuk ka qenë as e arsyeshme, pa sensin e përgjegjësisë, dhe as e drejtë”. Me shifrat e nalta të viktimave të pandemisë (po i afrohemi shifrës frikësuese 250.000 të vdekun) nji pjesë e madhe për gabime dhe pa aftësi udhëheqje, COVID ashtë ba problemi i parë i SHBA-së.

Prandej, votimet e 3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!

Analisti i mirënjohun i gazetës The NYTimes, Thomas L. Friedman, me 2 tetor shkruente: ”Me rizgjedhë Trumpin do të ishte nji “marrëzi kolektive”; masoshizmi në ditët e pandemisë nuk ashtë trimni, as nji akt çlirimtar; ashtë nji marrëzi e rrezikshme; mbyllja e disa aktiviteteve nuk ashtë kufizim lirie, ashtë mbrojtje kundër vdekjes nga virusi. Shkencëtarët nuk janë politikanë: fjala e tyne ashtë vendimtare, pavarësisht nga “politikanët”, sepse jo gjithëçka në veprimtaritë tona ashtë “politikë”. Prof. Dov Seidman, drejtor i Institutit LRN and How, këshillon: ”…Sot, na kemi nji krizë reale udhëheqje dhe autoriteti; populli nuk din ma cilin udhëheqës me besue, dhe cilin me mbështetë. Ajo që ashtë e qartë ashtë se udhëheqësit, që na kujtojmë e admirojmë janë ata që historia nderon. Presidenti Tump nuk ashtë njeni nga ata

Prandej zgjedhjet e 3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!

Analisti Frank Bruni shkruen: ”Amerika ashtë para nji rreziku të madh. Mos gaboni: ky vend i yni tashma pa cilësi qytetare, ashtë në prak të nji situate, që nuk mund të kontrollohet sepse institucionet e tij janë degradue kaq shumë, sepse partizania konsumon energjitë tona, dhe sepse Trumpi, që pruni në pushtet këto vese, ashtë mobilizue me rrenue Amerikën; e Partia Republikane nuk përdorë frenat për me e pengue” (The NYTimes 27 shtator). Kjo gazetë permbledh situatën e krijueme nga Presidenti me këto fjalë: “genjeshtra- zemrim- korrupsion- paaftësi- kaos- kalbëzim- Duhet të ndalojmë këte krizë kombëtare”. Unë e quej “nji tragjedi amerikane”!

Avokati personal i Presidentit, Michael Cohen, shkruen: “Ashtu siç e kam thanë që në fillim, Trump ashtë nji Mafioz, shkurt e thjeshtë”. “Presidenti ofendon njerëzit me sjelljen e tij, me gjuhen e tij, me mesazhet e tij…”, shkruen Ty Cobb ish avokati i Shtëpisë së Bardhë.

Donald Trump ashtë i pari president, që nuk përpiqet me bashkue popullin amerikan… Na kemi mundësi me qenë të bashkuem pa atë, tue marrë fuqi nga forcat tona në shoqëninë tonë civile”, shkruen Gjeneral Mathis, ish Sekretar i Mbrojtjes. ”Trump ka damtue atdheun… me përhapje të urrejtjes dhe ndasive, që e kanë ba popullin amerikan ma pak të sigurtë”, thotë Miles Taylor, ish shef i departmentit te Sigurimit të vendit.

Nji individ, që ashtë shumë i padisiplinuem…”, gjykon Rex Tillerson, ish Sekretar i Shtetit. ”Ai ka dalë jashtë binarit. Dhe ata të ndershmit që e sherbejnë e dijnë që ashtë i çmendun” komenton Anthony Scaramucci, ish drejtor i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë. ”(Presidenti) sheh konspiracione kudo, dhe mbetet jashtëzakonisht i pa informuem si punohet në Shtëpinë e Bardhë, aq ma pak në Administratën e madhe federale…”, shkruen diplomati John Bolton, ish drejtor i Këshillit Kombëtar të Sigurimit.

Prandej zgjedhjet e 3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!

Artikulli i Jeffrey Goldberg në revisten The Atlantic na paralajmëron se ka shumë mundësi – ashtu si u konfirmue pak orë ma vonë nga vetë Presidenti Trump me komentet e tia se “…ai (Trump) ka mundësi që të kontestojë zgjedhjet në nji mënyrë, që lejon me qendrue në fuqi pavarësisht se çka populli amerikan dëshiron dhe voton.” E pabesueshme, por e vertetë!

Prandej, zgjedhjet e 3 nandorit marrin nji randësi të dorës së parë!

Para se të shkojmë në qendrën e votimit, bashkëshortja e ime dhe unë, dy pleq tashma të krrusun, do të pyesim vehten: “Çka kemi mësue gjatë këtyne katër viteve të kalueme; dhe çka kanë mësue ata që e përkrahen këte Adminstratë të personifikueme nga nji individ narcisist in extremis, gënjeshtar patologjik dhe i rrezikshëm, për vehte e për të gjithë kombin amerikan.” Donald Trump nuk ashtë nji çfaqje spontane që rrethanat politike në SHBA e spjegojnë! Gjatë këtyne 50 viteve të fundit.

…kahet positive (në politikën amerikane) janë kthye mbrapa, si anëtarësia në organizatat qytetare ka ra shumë, polarizimi politik ashtë keqësue, mosbarazia ekonomike ashtë rritë, mirëbesimi social ashtë fundosë, pjesëmarrja në lutje fetare ashtë pakësue, mobiliteti social ka ra, vdekjet nga deshpërimi janë shtue shumë, e kështu me radhë”, shkruen Op-Ed shkruesi i NYTimes, David Brooks. Ai vazhdon: “Ndryshime rranjësore janë ba në botëkuptimin dhe në kulturën amerikane.” Historia e eksperimentit amerikan të shekullit 20 ashtë njena nga ngritjet drejt nji forcimi të solidaritetit të ndjekun nga ramja e thellë drejt individualizmit në rritje. Nga “unë” në “ne” dhe përsëri në “unë”… nji “unë” ku mbështetet e gjithë struktura mendore e Presidentit Trump”, spjegon ai.

Qytetari Donald Trump qendron si nji figurë e vetmueme, pa asnji rival, në historinë moderne të Amerikës. Në Editorialin e datës 19 tetor 2020, gazeta me influencë ndërkombëtare The NYTimes jep këte gjykim: “Ne jemi para zgjedhjeve në këto ditë të pandemisë. Megjithate, republikanët diskutojnë mbi taktikat agresive që synojnë, simbas disa akuzave, asgjasimin e votave Demokrate. Presidenti Trump ka mbjellë dyshime në avantazhin e votimeve me korrespondencë postare në këto ditë të vështira, dhe ka përsëritë se refuzon me premtue nji tranzicion paqësor të pushtetit, në rast të humbjes në votime. Demokratët shpresojnë për nji pjesëmarrje masive në votime (“blue wave-valë blu”) të mjaftueshme, për me pengue akrobaci të tilla të rrezikshme”.

Për katër vite të gjata, kongresistët republikanë heshtën para sulmeve shkatërrimtare të Presidentit Trump. Vetë Partia Republikane, me nji të kalueme të lavdishme si Partia e Abraham Lincoln-it u kthye në “Trump Party”, tue pranue politikën e rrezikshme të ‘kultit të individit’, që karakterizoi diktaturat fashiste, naziste e komuniste… e që shqiptarët njohin shumë mirë! Ata heshtën kur Presidenti Trump abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Europë e në Azi; sulmoi institucionet qeveritare të vendit, dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull.

Sot, ata janë para votimeve ku ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë në përfundimin, se Presidenti Trump do të pësojë humbje të thellë, dhe bajnë përpjekje me shpëtue pozitat e tyne personale në Kongres. Ata flasin për nji fytyrë tjetër republikane, që nuk ashtë ajo e Trump-it dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan.

Tërheqja e përkrahjes për Presidentin ka qenë e dukëshme në deklaratat e shumë figurave me randësi publike të Partisë Republikane, që dënojnë abandonimin e vlerave dhe parimeve tradicionale republikane. Ky moment reflekton edhe frikën se me humbjen në votime, kongresistët republikanë mund të fundosen bashkë me Presidentin. Nji skenar i njohun nga të gjithë. Gjithashtu tashti flitet haptas se qarqet republikane punojnë intensivisht për rindertimin e PR mbas humbjes që parashikohet të jetë e thellë në votime. Ma shumë se dyzetë personalitete republikane kane dhanë dorëheqjen dhe janë deklarue botënisht si “kundërshtarë” të Presidentit.

* * *

Jam jashtëzakonisht i shgënjyem nga situata politike në SHBA; por jam i bindun se ky sentiment vjen edhe nga simpatia e ime pa kufi për SHBA, që në vitet e rinisë sime studenteske, kur SHBA mendohej si “toka e shenjtë” e së tashmes dhe e së ardhmes për të gjithë. Koncepti “exceptionalism” nuk i referohet pasunisë përrallore të vendit, as edhe fuqisë superiore ushtarake të vendit; ai sentiment vjen nga aftësia e Shteteve të Bashkueme të Amerikës me u tregue si vendi i parë në histori, që eksperimenton për me krijue “atdheun universal”, për të gjithë dhe për të gjitha, në nji atmosferë ku mbretnon liria dhe drejtësia universale pa dallim, pa përjashtim!

Nji andërr? Ndoshta! Por nji andërr që frymëzon aksione qytetnuese dhe në anën e duhun të historisë, e konceptueme si marshi solemn i mbarë njerëzimit drejt lirisë së plotë për të gjithë, kudo që jetojnë!

Ashtë ky sentiment fisnik e thellësisht humanitar që justifikon çdo sakrificë!