PENA QË SHKRUAN ME NOSTALGJI PËR VENDLINDJE

0
680

(Reflektimi im rreth veprimtarisë së autorit Jashar Esati – në promovimin e librave Preshevë, 20.07.2018)

Shkruan: Rrahman Hyseni

Ardhja ime nga Medvegja në këtë përurim

librash, këtu në Preshevë, të shkrimtarit tashmë të njohur Jashar Esati, tregon se vlerat e artit dimë dhe duam t’i vlerësojmë. Ato e qëndisin letërsinë tonë kombëtare dhe i tregojmë botës se shqiptaria punon shumë në këtë fushë, në fushën e fjalës së bukur.

Ndjehem paksa i emocionuar kur gjendem para njerëzve të artit e sidomos para atyre që me mall shkruajnë jashtë atdheut.

Autorin e njohim edhe më mirë përmes veprave të tij letrare:
1. ”Netëve pa gjumë”, (poezi);
2. ”Vrapojmë drejt jetës” (poezi );

Dhe librat të cilat po përurohen sot:
1. ”Dallgët e mallit”, (poezi për të rritur);
2. “Brengat e jetës sime” (rrëfime autobiografike);
3. “Gjurmëve të jetës dhe veprës së Hamzë Bellanocës”;
4. “Ura e oqeanit”, (roman).

Prezenca ime këtu është për dy urime:
E përgëzoj autorin dhe suksese për kryetarin e shoqatës “FENIKS” z. Bilall Maliqi që me shumë vullnet e në kushte pa asnjë përkrahje materiale, punoi shumë dhe akoma po vepron që arti në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të ngritet e të kultivohet sa më shumë.

Është për t’u admiruar se si poetët mërgimtarë me aq dashuri i shkruajnë vendlindjes, kombit dhe gjuhës shqipe. Kjo ndodh pothuajse
te të gjithë poetët mërgimtarë që fati i jetës na shpërndau dhe ëndrra, nostlagjia dhe dashuria, dhe malli i dërgon vetëm në vendlindje, ndaj them: “Edhe ferra me gjemba në vendlindjen time, rishfaq kujtimet më të bukura rinore”.

Jashari është i dashur bujar, human i qetë e punëtor.
Biografia e tij është paksa e ndjerë, sikur edhe e shumë të tjerë krijuesve të cilëve fati i jetës ua imponoi që ta braktisin vendlindjen dhe ta marrin rrugën e mërgimit.
Ky mllef u shndërrohet në gëzim vetëm në vendlindjen e tyre. Jashari në gjithë librat e tij rishfaq mallin e pashuar për atdheun, vendlindjen, lirinë, dinjitetin trimërinë, besën, punën dhe qëndrimin ndaj saj, e për të mos i numëruar të gjitha, thjesht prek në çdo pore të aktualitetit jetësor.

Krejt në fund shpreh mendimin tim që librat të cilat botohen, t’i nënshtrohen një lektorimi e redaktimi të mirëfilltë, si në Preshevë, Prishtinë e Tiranë. Mendoj se këtu ka çalim, ndaj edhe lexuesi me të drejtë e humb durimin e të lexuarit.
Dhe për fund, nuk më mbetet asgjë, përveçse ta përgëzoj autorin, mikun tim të çmuar, Jashar Esatin nga fshati Miratoc, komuna e Preshevës, i cili jeton dhe vepron përkohësisht në SHBA. Autorit i uroj muzë të pashtershme edhe për shumë libra tjerë.

Preshevë, 20.7.2018

Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, gazetar