TITULLARITET APO “PRONËSI” MANDATI!

0
413

AV. XHABIR ZEJNUNI

Proçesi i “djegjes” së mandateve të opozitës dhe kthimi i tyre në popull (i opozitës dhe i mandateve!), u konsideruan: si një risi shqiptare; si një ngjarje historike; si kalimi në një epokë të re; si fillimi i fundit të regjimit gjakatar të satrapit Rama; si shprehja e vullnetit të lirë të popullit “sovran”, etj.

Dihet tashmë se vendimi i “djegjes” së mandateve u mor nga krerët e opozitës (1+1+2!), por pa u këshilluar ata më parë me bazën e partive opozitare, me kandidatët e listës dhe me popullin “sovran”! U supozua se kësaj “djegjeje” do i nështroheshin edhe kandidatët e listës pritëse. Arsyet(imet) ishin të natyrave të ndryshme, si: mandatet janë të Partisë; kush pranon mandatin është tradhëtar i idealeve të larta të Partisë dhe popullit “sovran”; kush pranon mandatin është mercenar që shitet për 30 aspra tek satrapi Rama; kandidatët e listës pritëse nuk e kanë formimin e duhur teknik, politik dhe ideologjik për të përballuar ngarkesën dhe presionin e madh të pozitës në Parlament; përfaqësimi i kandidatëve të listës pritëse në Parlament është një falsitet etj.

Por, nuk ndodhi kështu, pasi ndonjë deputet nuk e “dogji” mandatin e tij dhe shumë kandidatë të listës pritëse po hyjnë në Parlament!
Problemi kryesor tani është se kujtë i takon mandati, ose kush është TITULLARI REAL (ose “pronari”!) i mandatit, i cili ka më pas tagër që t’ja akordojë atë personave të caktuar.

Është populli apo Partia?
A kanë të drejtë të hyjnë në Parlament kandidatët e listës pritëse, pavarësisht arsyeve (edhe të “paparashikuara”!) të krijimit të pavlefshmërisë së mandatit?

Kushtetuta tek neni 70, par. 1, disponon se “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”. Që deputetët “nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”, u pa konkretisht me disa deputetë të cilët vazhduan mandatin e tyre!

Nëse deputetët “përfaqësojnë popullin”, atëherë do thotë që ata nuk përfaqësojnë Partinë, edhe pse kjo parti i ka futur ata në listën e kandidimit. E njëjta gjë ndodh atëherë edhe me kandidatët e listës pritëse, të cilët në bazë të Kodit Zgjedhor kanë të drejtë që të zëvendësojnë deputetët që për arsye të ndryshme ndërpresin mandatin e tyre (përfshirë edhe “djegjen” e mandatit!).

Të ngulmosh kaq shumë që kandidatët e listës pritëse nuk duhet të hyjnë në Parlament, të krijon idenë se vetëm deputetët që “dogjën” mandatin e tyre, janë të pazëvendësueshëm dhe se “flijimi” i tyre në altarin e demokracisë, shërben si një garanci që ata të jenë përsëri në listën e ardhshme. Kjo histori na kujton kohën e anëtarëve të dikurshëm të Byrosë Politike, të cilët rrinin me dekada në postin e tyre. Dihet edhe rezultati i punës së tyre!

T’i mohosh kandidatëve të listës pritëse përfaqësimin e popullit “sovran” në Parlament, sjell që të delegjitimosh vetë Partinë propozuese.

Në lidhje me ndërprerjen e mandatit, Kodi Zgjedhor tek neni 164 me titull “Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës”, tek par. 1, disponon se “Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”.

Por, “djegja” e mandatit, nuk parashikohet në nenin 71 të Kushtetutës. Dhe “marrëveshja apo deklarata paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”, në rastin konkret u kthye në “djegje” mandatesh! Kjo sjell që pasojat duhet t’i marrin përsipër vetëm ata persona që “dogjën” mandatin dhe jo kandidatët e listës, të cilët kanë të drejtën kushtetuese dhe ligjore të vazhdimësisë së përfaqësimit të elektoratit të tyre në Parlament.
Termi PARTI ka përcaktime të ndryshme juridike dhe filozofike.

Kemi përcaktimin marksist-leninist, i cili thotë se “Partitë janë pjesa më e ndërgjegshme e një klase (popullit), e cila shpreh dhe mbron interesat e kësaj klase (popullit)”. Përcaktim më se demagogjik.

Por, përcaktimi më i saktë dhe më i pranueshëm që i bëhet partive, është ai i filozofit Max Weber, i cili thotë se “Partitë janë fondacione me një pjesëmarrje të lirë, që krijohen me qëllim atribuimi krerëve të saj të një pozicioni pushteti brenda një grupi social dhe militantëve aktivë mundësinë e ndjekjes së qëllimeve objektive, ose për ndjekjen e avantazheve personale, ose për të dyja qëllimet”.

Në fakt, kandidatët për deputetë propozohen nga Kryetari i Partisë me listën e tij (në respektim të nenit 64, par. 1 të Kushtetutës).

Kandidaturat e deputetëvë, në bazë të nenit 68, par. 1, “Mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”. Por, të gjithë e dimë se si përfundon paraqitja e kandidaturave për deputetë nga “zgjedhësit”, ose nga populli “sovran”!

Më pas, këta deputetë edhe pse janë paraqitur nga “partitë politike, nga koalicionet e partive“, ata përfaqësojnë popullin (në respektim të nenit 70, par. 1 të Kushtetutës).
Në këtë rast, nuk ka pse të bëjë përjashtim as edhe lista pritëse me kandidatët më të mirë, e cila përpilohet nga Kryetari i Partisë.

Si rezultat, rrjedh se titullaritetin e mandatit e ka populli, ndërsa “pronësinë” e mandatit e ka Partia.
Ose më saktë, Kryetari i saj.
Kush ka të drejtë këtu(….)?!