Kastriot Marku: Satirike për Vitin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1468-2018)

0
773
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

KUVEND POPULLOR MBARËKOMBËTAR PËR 550-VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT (1468-2018).

Nga: Kastriot Marku, Revista Drini, 4 qershor 2018

Në kuadër të Jubileut të 550-vjetorit të vdekjes së Heriot tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, klasa jonë punëtore, fshatarësia jonë kooperativiste, inteligjenca jonë popullore si dhe të gjitha partitë politike të të dy krahëve të majtë e të djathtë, shumicë e pakicë, organizatat dhe shoqatat jofitimprurëse dhe vdekjeprurëse vendase dhe të huaja (përjashto Sorosin për të cilin biem dakort që të gjithë), janë angazhuar e mobilizuar si asnjëherë tjetër, si kurrë më parë, duke u ngritur të gjithë në këmbë për të mbështetur fuqimisht në këtë atmosferë festive plot gëzim e hare të papërshkrueshme, organizimin e Kuvendit të Madh Popullor Mbarëkombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.

Kësaj atmosfere festive i janë bashkuar paraprakisht mësuesit dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare, të mesme të përgjithshme dhe ato profesionale në fshatra e qytete; studentët e universiteteve të shumta publike e jopublike anë e kënd vendit së bashku me stafet e profesorëve të tyre me doktorata të siguruara në vend, edhe pse nuk kanë kryer arsimin e mesëm, biznese private dhe ato shtetërore, (natyrisht të gjithë në pronësi private të qeverisë), qendra të punës e të prodhimit për import e eksport nga të katër anët e vendit dhe jashtë tij etj. Nuk ka mungur si për çdo rast edhe diaspora e cila edhe pse me probleme të mëdha me gjuhën amtare, prapëseprapë mbarë e mbrasht nuk ka qëndruar duarlidhur por i është bashkangjitur pa ngurrim thirrjes.

Në pararojë e në ballë të kësaj nisme qëndron kryministri i vendit shoku Edi Rama me skuadrën e tij të “rilindjes”, posaçërisht me administratën e tij, duke nisur nga shefi i tij i protokollit, i cili për mungesë hapësire ekspozimi në Muzeun Historik Kombëtar, organizoi me sukses ekspozitën në “Pallatin e Kongreseve”, madje nxori faqebardhë edhe shefin e qeverisë duke i sjellë atij mjaft kursime, ngase paratë e dhëna prej tij nuk shkuan kot por hynë prapë atje ku dolën. Hapjen e Kuvendit do t’i besohet Lal Erit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ngaqë Kuvendi do të mbahet në Tiranë dhe do të pasohet me një përformim të këngëtarëve të klubeve të natës të kryeqytetit.

Në këtë Kuvend janë të ftuar të mbajnë kumtesa e referate;
1. ushtarakë – të cilët do të flasin për llojin e kacafytjeve që realizonte Gjergji, heroi ynë gjatë përleshjeve me turqit. Preferohen kapterrë të liruar dhe në pension nga ata të Zall-Herrit;

2. sportistë të sporteve të rënda-për të folur për cilësitë fizike të Skëndebeut. Preferohen Presidenti i Republikës z. Ilir Meta dhe ish-kryetari i Akademisë së Shkencave z. Gudar Beqiraj;

3. veterinerë – për hulumtimin rreth mbarështimit të gjësë së gjallë si dhe efektet e pickimit të mizës së kalit që i pat ra disa herë kalit të Skënderbeut në vigjilje të betejave, një lloj zekthi i rritur në shkretëtirat e Perandorisë, e që Sulltanët e infiltronin qëllimisht përmes spiunëve e dezertorëve në viset e tij;

4. agronomë – për të ligjëruar për llojin e ushqimeve që hante heroi dhe sidomos për tagjinë dhe përgjithësisht grazhdin e veçantë që i rezervohej kalit të tij;

5. fermerë, kuzhinierë e kasapë – për të folur për gatimin, llojin e drithërave, perimeve e frutave që mbillte e mbilleshin për heroin djerrinave e zabeleve si dhe konsumimin me e pa kriter të tyre, efekti i gazrave dhe përjashtimi i groshës dhe qullit si dhe vendin e mishit të derrit të egër në kuzhinën skënderbeane.

6. tregtarë – për llojin e rripave dhe ndonjë rrobë për veshje që i sillnin prej Venetie, Raguze apo prej Selisë së Papëve;
7. stilistë -që të flasin për llojin e opingave me lëkurë lope dhe kollçikët/çorapet prej leshi e kmendë dhije;

8. dietologë –për të na bërë me dije se çfarë lloj diete mbante Gjergji i cili ishte krejt muskuj, ngaqë nuk e hante bukën e misrit për inat se kishte ardhur nga viset e pushtuesit; mbante Krezhmë apo edhe Ramazan dhe për këtë do të duhej të ftohej ndonjë hoxhë apo prift;

9. mjekë popullorë, falltarë, barnatorë – që të flasin për llojet e melhemeve që përdornin ata kur kali gërvishtej nëpër shkurre e shkëmbinj, se në luftë ai nuk u gërvisht as sa prek miza me fletë;

10. lajmës e fjaltorë –për llojin e kartës dhe bojës së shkrimit që përdorej dhe që postierët që i sillnin letrat me shkronja të stiluara prej Rome, Venetie, Raguze, Stambolli etj, i përcillnin në mot të lig për në Krujë.

11. pleqtarë -me demek juristë, gjygjtarë e prokurorë, që të diskutojnë për vendimet e pleqnisë së bërë me rend menjëherë mbas betejave si dhe llojin e bimës së ndaluar që ai përdorte e që i epte energji nëpër beteja;

12. kovaçë dhe nallbanë -për të folur për kapistrën dhe patkojt e thumbat me të cilët mbathej kali; a ishin ato njësoj sikurse përdorori Gjergj Elez Alia dhe Kostandini, i vëllai i Doruntinës?!…për llojin e shpatave, mburojave, thikave dhe biçakëve, zileve kumbonëve e pafteve. Preferohen te jenë nga komuniteti rom për arsye gjithëpërfshirëse, sugjeruar kjo nga Avokati i Popullit.

13. samarxhinj -për të folur për llojin e shalës dhe cilësitë e kashtës së samarit të kalit;
14. ahengxhinj –për të folur se si qimja e kalit të tij është përdorur si tel lahute për lahutarët e krejt Veriut, prandaj këtu hyn në sy edhe këngëtari me çifteli, me fyell si edhe polifonia dhe kënga majëkrahu; po ashtu duhet të flitet për llojin e daulles dhe sistemin e alarmit me shenja në ajër, bazuar në një poezi të Ismail Kadaresë.

15. topografë -nga ata teknikët e aluizmit, por edhe përmbarues të zellshëm, për të verifikuar se ku kanë qenë ekzaktësisht tokat, livadhet, konakët, shtrraku, gjollët dhe gurët e kufinit dhe gardhiqet e trojeve të Gjonit, të atit të Gjergjit, kuritë me të cilat kufizohej, në mënyrë që të kemi një ide të saktë se cili katund e cili bajrak e ka tagrin me e pasë të vetin Gjergjin, dhe kujt do të mund t’i kaloheshin në pronësi me tapitë e reja zotërimet e tij.

16. punonjës të Gjendjes Civile-për të relatuar origjinën, breznitë, pemën gjenalogjike dhe lidhjet fisnore me fiset e krahinave të ndryshme për të përforcuar pikën 15.
Drejtues shkencor i Kuvendit do të jetë Akademiku, ish-sekretar i Lidhjes së Shkrimtarë dhe Artistëve të Shqipërisë, vjershëtari i njohur z. Xhevahir Spahiu, i ndihmuar fuqimisht nga matematikani z. Skënder Gjinushi, të cilin nuk po e zë gjumi natë e ditë të riorganizojë Akademinë e Shkencave për ditë më fatlume si këto të sotmet në të ardhmen.

Me qëllim që t’i kontribuojmë sa më mirë këtij Kuvendi, jeni të ftuar po ashtu me shumë dashamirësi të jepni edhe ju vërejtje, sugjerimë dhe këshilla, të cilat organizatorët do i marrin me shumë kujdes në konsideratë.

Shefi i kuzhinës, njëkohësisht organizator i fushatës.

Akademiku popullor: g.t.
*Nuk lejohet kopjimi i tekstit pa lejen e autorit dhe Redaksisë së Revistës Drini.