PËR NDER TË MOTRËS – roman

0
767

PËR NDER TË MOTRËS

ROMAN

GJERGJ JOZEF KOLA

Kjo rini asht si nji tufë e plagosun ujqish te rij, ata janë të mbushun me plagë e na i nxjerrim në rrugë, në vend që me u përkujdesë e me ju shërue plagët, e nëse nuk e bajmë ket atëhere kanë me u lindë Janare të përgjakuna,
siç ishte Janari i 2019. Sistemi aktual asht i sëmurë!

Autori

Kapitulli 1.

Si me u mshefë prej vedit brenda tejet.

Asht e marte dhe zakonisht nadje herët vijnë e marrin kazanat e plehit në bodrum të pallatit. Rrotat e vogla të kazanave plastik përplasen në shkallat përdhese derisa dalin në katin e parë ku i pret makina.

Unë jam në kokërr të gjumit dhe zhurma që m`hini ne shtrat pa më pyetë u shndërrue në nji bateri luftarake e gatshme me nisë ushtrinë në luftë. Zhurmat jashtë dhe ato mrendë u bashkuen ne nji vorbull stuhijet e më zhbiruen nji terr të zi në mushkëni, gati me ma marrë frymën.

Hapi sytë fort sic kam ba gjithnji kur më asht dashtë me mbijetue e shof ditën në fytyrë. E kuptoj: kjo asht ajo dita e madhe me pastrue përfundimisht plehun brenda mejet.

Mramë jam la në vaskë gati nji orë e prep më vjen erë e randë, porse kjo nuk asht era e lëkurës e as e mishit, porse vjen prej dickaje të pakapshme mrenda mejet. E ndij si me vjen era porse nuk mundem me ba kurgja për momentin me e pastrue. Po kërkoj me nxjerrë ma të mirën e të vaforshmen nga situata. Mbylli sytë i kënaqun me vedi, krejt shkurt, sa me shijue në gojë amelcinë e lirisë që me dha ky vendim i papritun, kur motra m`u afrue në banjo ku po lajë fytyrën dhe më shterngon fort me ato dy krahët e saj të hodhë e të gjatë si prej shelgut.

” Rri këtu vlla e mos më len me ikë.”
„E ke marrë kot me frikë martesën motër.“
„Po unë nuk e due atë!“, pëshpëritë me lotë nepër faqe ajo.
„Dashunia asht e pandershme, moter. Fatin nuk e don kerkush kur nuk e zgjedh vetë.“, ja mbylli unë.

Dritarja e vogël me xhamin e thyem u përplas prej korrentit të erës e unë i baj me shenjë asaj se më duhet me ikë tashma.

“Kur isha i vogël nuk më ka nxanë kjo dritare, porse tash që jam rritë, jam i sigurte se kaloj nëpër te e dalë jashtë.”, ja kthej e habitem se po tham gjana pa kuptim porse të rrealizueshme.

E shtyva lehte motrën e ja ula poshtë ato dy krahët e gjatë si prej shelgu, u kacavjerra ne dritare dhe isha gati me dalë jashtë, kur ajo më mbertheu nga kambet e nuk me la me kalue matanë. Më përlutet tanë lot:

“Hamza mos ikë vlla, rri me mue e mos më len vetëm. Kush ka me ma mbrojtë Nderin mue?”
„Nderin mbroje vetë, me jetën tande.“, ja kthej e kacavjerrem poshtë.

Unë kaloj matane e rrëxohem ne oborrin e pallatit, i cili nuk më duket aq i ndryshëm me atë të fshatit tonë, dheu ishte njilloj i fortë e tanë pluhun.
Rrugës për në shkollë po mendoj se edhe rruga nuk kishte aq shumë ndryshim me atë të fshatit tonë, vetëm se këtu ishte e asfaltueme e në vendin tonë asfalti nuk kishte me shkue kurrë. Kryeplaku thoshte se asfalti i zi asht haram, se asht shtroja e ferrit e në verë ai digjet njilloj si në ferr, prandaj nuk na duhet gja se asht plot me sëmundje, e duhet me ja ba hallall qeverisë që na mbron e nuk e bjen deri këtu, asfaltin e zi.

Në banjon e shkollës ndeshi prep motrën dhe cuditem me te e me vedi se si e ka marrë guximin me ardhë në banjon e djemve. Ajo më thote se kjo nuk asht e djemve dhe as e vajzave.

Unë dal jashtë e shof se dikush i ka ba dopjo simbolet e genderit në dyert e banjos në përpjekje me ba nji të tretë:

“Motër a e ke bat i kët marri?”
„A më ke premtue se do me ma mbrojtë Nderin!“, më pyetë për të njiqinden herë.
„Po edhe me gjakun tem nëse duhet!“, ja kthej.

Ajo qetësohet e më qeshe lehtë, me shtërngon me ato dy krahët e saj të gjatë si prej shelgut, tash vendosë disa pasqyra nëpër muret e banjos së shkollës e më shtyn me gjetë vedin në sejcilën prej tyne tue më thanë:

„KJO ASHT MËNYRA MA E MIRË ME IKË PREJ VEDI, ME JA NGATËRRUE FIGURAT KOHËS, kështu ti ke gjithnji nji kujtesë të shkurtë e kërkush nuk të gjenë.“

Ajo largohet e më len në dyshimin tem e m´duket prejmend se jam në nji banjo e dikush i ngatërron figurat e aty ku isha unë nuk jam unë ma porse nji fytyrë që e ngjan shumë. Më ngjan e prep asht ndryhe, megjithse nuk i ngjan kerkuj në botë ma fort se mue.
Shifem në pasqyrë dhe nuk e njof vedin, më duket se unë jam i fshehun mbas vedit në pasqyrë.

„Motër ma ke sjellë mrapsht jetën, me fatin tand të lidhun në mue!“

Kerkoj me tanë forcën me ikë prej banjos se vajzave, porse personi që shof në pasqyrë më ngjason aq shumë saqë më duket se nga momenti në moment do me folë e me m´thanë dicka të randsishme.

Ndjej gjurmë femnore që po vijnë e turrem te dritarja e hapun e njashtu me zori futem në të e dal matanë në oborrin e shkollës.
Ai muri i dikurshëm me ngjyra që ndante katundin tem të lindjes me qytetin e tashëm asht shembë e pamjet e ndryshme ja lajnë vendin njena tjetres, si në nji film me shirita e kaseta të njitun aty këtu rastësisht.

„ Motër cfarë logjike të mrendshme ka e tanë kjo?“ e kërkoj atë me sy.

Logjika e vetme asht mos me i nda ma dy botët, atë nga vi dhe atë ku jetoj, se po e bana kët atëhere ndihem ngushtë, si peshku pa ujë, si zogu pa ajër, si burri pa thikë në brez.
Realiteti e andrra jane shkri aq shumë me njena tjetrën saqë unë nuk e di e nuk ka mbetë ma vend në mue për me e marrë vesht se ku nisë njena e ku mbaron tjetra.

„Njashtu më lajnë me u shullue nën diell, si nji qingj i therun hallalli, derisa të më rrjedhin tanë gjaku i zemrës, e kërkush nuk ma ven dorën“.

Cohem e shkoj në oborrin e shkollë e tash po ndihem mirë se nuk jam as në klasë e as në banjo e mbi të gjitha jam në nji zonë asnjanëse. Kjo asht ajo zona e vetme ku motra jeme gjen mundesinë me ardhë. Këtu nuk jam as në vendlindjen e largët e as në qytetin ku kam ardhë.
Motra vjen me vrull e më sjell dicka të mbeshtjelle mirë.

„Asht vjeshtë dhe lulja e Safranit merr ngjyrë vjoletë.“, më pëshpërit gati si erë.

E hapi dhe era e ndjellëse e Safranit përhapet në oborrin e shkollës.

“Motër, më duket se jam në andërr.“, i tham i shtangun.
“Jeta asht Lulesafran vlla
Ka aromë ndjesishë të amla ,
vjen me sy të qeshun tanë shpresë
porse ta idhnon gojën si helm,
Rri në andërr se asht ma mirë!“ ma kthen.

Unë habitem dhe e shtyj për kët marri, se si qenka ma mirë për njeriun me jetue shkurt në andërr, në vend që me jetue përgjatë ditës me sy haptë.

” Në andërr asht ma mirë, përsërit ajo, sepse në andërr asht gjithcka me e kthjelltë e ma e lehtë. Në andërr ti shef gjithcka e sidomos shef atë që të duhet: fundin e ujit.”

Sapo ka ra zilja e unë turrem në klasë, mësuesja i ngjan Nanësmadhe në fshatin tem e megjithse nuk me rreh si ajo ka te njajtin vështrim të rreptë.
Ka tash 5 minuta qe ka ra zilja dhe une e di se gjithmone nji apo nji tjeter vajze shkon ne banjo se keshtu asht edhe ma e qete ne nevojat e saja. Motra me afrohet afer e me peshperiti dicka, Une coj doren, mendoj se ajo ka nevoje me shku ne banjo. Mesuesja me jep leje dhe une po shkoj ngadale ne banjo. Banjoja e djemve ashte krejt afer drejtorise ndersa e vajzave ne anen tjeter afer palestres.

Tash nuk e gjej asnjenen prej tyne, dikush i ka bashku ne nji te vetme e ne turrem brende e lahem, ferkoj qafen e syte sikur due me dale prej andrres se forte. Motra asht kujdese me vendose lule safranit gjithandej. Une nuk e shof porse e ndjej gjithandej pranine e saj. Ajo asht e gjitha si qenje nji lulesafran, dicka e shejte si ajri qe me futet ne krahnor e me mbushe me jete.

„Moter per nderin tand jam gati me vdeke!“, i tham dhe sikur te me kete ra nji peshe nga supet kthehem në klasë.
„Ti i ke sytë me lotë e kështu nuk të kam pa kurrë, ktheju në shpi se po mbytësh në lotin tand“, më thotë ajo tane preokupim.
„Kam dashtë me u kthye se kam shumë mallë, porse ata më porositën prep dje mos me u kthye se nuk ma hapin derën e ma marrin shpirtin…me nisë eurot, kjo asht puna jeme“.

Ajo më ndjek e më thotë të rri në andërr se aty asht gjithcka e kthjelltë e njeriu nuk ka mundësi me gabue edhe me dashtë.
Hi në klasë e shof se jam vetëm. Hapi atë dritaren e vetme të saj e me nji kthjelltësi andrret shof jetën tonë:
„Motër, na mbetëm tanë jetën të dytët. Ne vendlindje ishim të dytët, në shpinë tonë te dytët, ketu në perëndim të dytët, gjithandej në jetë patëm dikë para nesh që nuk na la me dalë para sado te shpejtë, të shkathët, te zgjuet të ishim…Pse motër pse?!“