GEORGE FRED WILLIAMS DHE VEPRA E TIJ “THE SKYPETARS”

0
521
George Fred Williams

Nga Sinan GASHI

Tashmë është i ditur interesimi jo i pakët i të huajve për trojet shqiptare dhe shqiptarëve, mase që nga vitin 1332, kur një Gulielm Adae (1270-1341) i kishte bërë përshtypje gjuha dhe veçantitë e kësaj etnie nga të tjerat përreth, të cilin ndryshim edhe e kishte përmendur në veprën e tij. Po e zëmë ky prift frëng, kishte shkruar se ky popull (shqiptarët) e flasin një gjuhë tjetër nga latinët, por e shkruajnë me shkronja latine. E kjo vistër pastaj vazhdon edhe më, gjithnjë në rritje, deri në ditët e sotme e tehu.

Ndër numrin e personalitetet të huaj, që janë interesuar dhe kanë bërë diçka të mirë në llogari të shqiptarëve, është edhe diplomati amerikan George Fred Williams. Ai duke qëndruar zyrtarisht në këto vise, bëhet kureshtarë për një popullatë tjetër nga fqinjët, sakrifikues e të përjetimit të padrejtësive, që i bëheshin nga forcat e mëdha vendimmarrëse për kohën. Jo nga shtytja politike, por nga motivi thjeshtë njerëzor, ai parti një synim që ta kthejë interesimin e shtetit të vet, Amerikës, për ta ndihmuar këtë popull, përkatësisht për ta kthyer drejtësinë njerëzore në vend.

Kush ishte George Fred Williams?

Diplomati amerikan, George Fred Williams (1852-1937) ishte një ministër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, në një hark kohor prej vitit 1913-1914. Ai, po ashtu, kishte një besim edhe më të madh, duke qenë vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar të kontrollit në Durrës si dhe lokalitetet e tjera të Shqipërisë. Po ashtu ishte edhe kryetar i korparmatës Shqiptaro-Amerikane. Ai Shqipërinë e kishte vizituar edhe pas vitit 1914, pra më 1915.

Duke qenë i pranishëm fizikisht dhe duke pas obligimin të politikës zyrtare të shtetit të tij, ai e njihte nga afër këtë vend, këtë popull dhe fatin e tij realisht, sa edhe e dinte si askush manifestimet e politikës evropiane në kurriz të saj.

Ngase e shihte veçantinë pozitive të kësaj etnie, rropatjet shekullore të tyre për pak liri, hiq më shumë se të tjerët dhe që atë nuk e gjente në mos edhe nuk ia lejonin të tjerët, ai pos tjerash, me shkrimet e tij mendon që ta sensibilizojë këtë çështje, si problem parësor për zgjidhje, kryesisht në shtetin e tij demokratik. Ai së pari i vargëzon historikisht se cilët ishin shqiptarët, për të ardhur te ata, që ia kushtëzonin apo ndihmonin fatkeqësinë kolektive të tij.

Mu për këtë botoi veprën e rëndësisë së madhe, “The Shkypetar”, të cilën e shqipëroi Shaban Balla dhe e botoi më 1934 në shtypshkronjën “Dielli” të Tiranës. Edhe ky e shihte aktualitetin e trajtuar aty, edhe për kthjellimin e mendjes së atyre shqiptarëve, që e kishin përgjegjësinë e përfaqësimit të shtetit të tyre në përmasa ndërkombëtare.

Çfarë përmban vepra “The Shkypetars”?

De fakto kjo vepër është e ndarë, pas parathënies, në këto kapituj: Toka dhe Banorët, Ngatërresat e Fuqive të Mëdha, Ramja e qeveris së Wiedit, Përpjekjet për Liri dhe Çfarë mund të bâjnë shtetet e Bashkueme t’Amerikës. Në secilin kapitull ka pastaj shkrifërime të temës, duke i saktësuar me densitet pikat nevralgjike, jo vetëm për rrëfimet historike, por për aktualizimet e aktualitetit konkret.

Po e zëmë, në kapitullin e parë flitet për shtrirjen territoriale të shqiptarëve, origjinën e tyre, për autenticitetin, fisnikërinë e tyre, zakonet, gjakmarrjen, për gratë shqiptare për ta përmbyllur me fuqinë brezore të tyre. Menjëherë pas këtij prezentimi dinjitoz dhe të mbështetur, ai aktualiteti politik i kohës, si të përjashtuarit e Rusisë nga deti Mesdhe, traktati i Berlinit, Kërkesat e Serbisë në Adriatik, rivaliteti i Austrisë dhe Italisë, perandoria sllave pastaj në këtë kuadër edhe për Shqipërinë dhe luftën botërore, ku ndërthuret pastaj faji i diplomacisë evropiane.

Kapitulli i tretë, që kap kohën e Qeverisë së Wiedit, paraqet problemet e brendshme shqiptare, të stisura apo reale, si vënia e fesë në lëvizjen luftarake, ngatërresat që u bënë në Durrës, masat për të shpëtuar dhe së fundi zbulimi i padrejtësive. Pastaj vijohet me rrjedhat kohore te të ngjarave, si mbledhja e ushtarëve, copëtimi i vendit, duke e theksuar begatinë e jashtëzakonshme të këtij vendi, pastaj sërish përzierja e shteteve të huaja evropiane e si rezultat i këtij kaosi, mundimet e shumta për liri.

Kapitulli i fundit sensibilizon angazhimin e Amerikës, e cila nuk kishte njohuri të plota për këto padrejtësi që po ndodhnin në Shqipëri. Ai e ka bindjen se shqiptarëve u takon liria edhe se ata janë të zotët që vetë të qeverisin, e jo të përjetojnë robërinë edhe fizike edhe ekonomike e njerëzore. Ai e ka bindjen duke qenë i njohur thellësisht dhe gjatë kohë se Amerika mund t’u ndihmojë me demokracinë e saj rrezatuese, në mënyrë që të shpëtohet një komb i tërë nga kjo katrahurë shumëdimensionale.

Fragmente nga vepra, si dëshmi autentike

Për t’i thënë, jo si përfolje, po japim disa nga fragmente nga vepra e Willimas-it për Shqipërinë dhe shqiptarët:

“Prej kësaj race (pellazge, s.g.) të fortë pre historike mbetën vetëm Shqiptarët.”
“Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Math që zaptoi Botën, dhe e Piros t’Epirit, një nga gjeneralët më të madhej që përmend historia.”
“Si në Jugë ashtu edhe në Veri të Shqipnís ka limane të bukur dhe liqej të madhej e për mrekulli.”
“Në gratë Shqiptare dashtnia dhe bukuria nuk luejnë një rol me randësi; çka ia shton randësínë grues pranë burrit âsht të pjellurit.”
”Në sallat e errëta të diplomacísë Europjane për shekuj me radhë ka qenë mbyllë e mundue fati i Shqipnísë.”
“Vuetjtet dhe fatkeqësinat e Shqipnísë mvaren mbi dyert e tyne. (Evropës, v.ime)”
“Amerika mund të ndihmojë tue i prí këtij kundrejt të drejtave të veta.”
“Sigurimi i independencës Shqiptare mund të jetë edhe një shërbim për bashkimin Ballkanik dhe për paqën Europiane. Ndihma e Sheteve të Bashkueme mundet, ose patjetër shkakton lulzimin e kësajë shkretije të bâme nga duer njerëzish, dhe të japi fruta shumë të mira.”
“Kishem me thânë se nuk ka rast mâ të mirë me bâ mirsí n’asnji vend të botës sa në Shqipní.”
“Me ndihmue një njeri âsht një bâmirsi; me lirue një popull nga zgjedha âsht nji bâmirsi e pavdekëshme.”

“Zëri”, 2 korrik 2011, f.. Z 06
“Koha”, Shkup, 4 korrik 2011, f. 18
“Bota sot”, diasporë, 7 tetor 2012, f. 15