Kohë e mirë për hajdutët

0
1191

BalkansNews.Net

Shënim i Redaksisë: Ky shkrim u muar nga Nr. 138 / 4 korrik 2010 i gazetës www.shqiperia-etnike.com, ku flitet per vjedhjen e thesarit të Shkodrës e hajnitë e demokratëve aso kohe…
Është aktual edhe sot pas 8 vitesh dhe mund të hapet një dosje e mbyllur…

Shkruan Sokol Pepushaj

Shqiptarët si këtu në Shqipëri, si dy orë rrugë më larg, në Kosovë, janë të varfër. Më të varfërit në Europë. Pra dikush i ka vjedhur. Po askush hajdutin nuk e ka parë… Dy qeveritë bërtasin ditë-natë, se do luftojnë korrupsionin, do kapin hajdutin, por edhe kur akuzohet ndokush, dy qeveritë bërtasin; nuk kemi hajdutëri. Nuk kemi fakte…

Këtu në Tiranë akuzohen prej vitesh dy copë ministra, Fatmir Mediu për afera korruptive me armatimin dhe për paksa fallsifikim, dhe Lulzim Basha për paksa korrupsion me tenderin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si me thënë, për nja 300 000 000 euro. Edhe në Prishtinë, Eulex-i, Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë, bastisi zyrat dhe shtëpinë, si dhe ngriti akuzë për vjedhje kundër Ministrit të Transportit dhe Post-telekomunikacionit Fatmir Limaj, veçmas për të hetuar aferat e mundshme korruptive rreth nënshkrimit të projektit të autostradës Morinë – Merdarë, fituar nga firma amerikano – turke “Behctel – Enka”, e akuzuar edhe këtu në Tiranë për abuzim, ose shqip vjedhje.

Akuzat me të ashpra i pat artikuluar në foltoren e parlamentit Ilir Meta, që tash i mbron me mish e shpirt, siç aso kohe sulmoi me egërsi një femër në foltore, kryeparlamentaren Jozefina Topalli – shenjten e Shkodrës.

Teksa thua kështu, të duket se nuk po shkruan seriozisht, por po merresh me folklor. Të duket se “dashuron” atë që askush nuk i afrohet, drejtësinë, e cila, në këtë kohë njerëzve se pse dreqin u duket shëmtirë. Të duket se jeton epokën e tradhëtisë, të mashtrimit, të cubave. E, ky fenomen është i njohur nga gjithkush, megjithese askush nuk i sheh tradhëtarët, mashtruesit, cubat. Ata që i artikulojnë në emisione lajmesh, në TV, në shkrime a analiza, e pësojnë, si rasti i Mero Bazes. Ose edhe si i “Fiks Fare”, ku del një “psikopat i matufepsur” si Agim Bendo, e dënon gazetaren me një shumë marramendëse, se solli fakte filmike të një ministri kulture, duke tentuar të përdhunojë një vajzë të re, në këmbim të një vendi pune. Duket se gjyqtari e shfajësoi ministrin në emër të luftës së “ashper” kundër korrupsionit e mafias… :p

E, nëse ky vëndim do të rrëzohet, pasi s’ka si ngjet ndryshe, pasi jo në Shqipëri, por edhe në Irak gjithkush do e dinte se nga anon e drejta, kolegët e tij duhet ta dënojnë këtë Bendo, ose për ndryshe sistemin e drejtësisë ta emërojmë, sistem interesash. Bendo po, do e kishte një të drejtë me vete, ta gjobiste nja njëqind herë më pak gazetaren, nëse ish ministri do vërtetonte se është impotent, ose të sillte fakte se është homoseksual. E drejta për mbrojtje nuk i mohohet askujt. Por, në këtë pol, vendimi i gjykatës është unikal në botën demokratike. Dilemat për këtë vendim monstruoz, duket se kanë vënë në hezitim edhe zevëndëskryeministrin Meta, se si do të prononcohet, pasi ai për çdo gjë bën deklarata shtypi, meqë gjasat janë se shumë shpejt do i thotë Berishës, dështoi koalicioni, dështoi integrimi dhe ai më shumë se askush do të jetë radikal i majtë kundër kryeministrit.

Nëse e pranon Rama, pasi Meta është aq i mençur sa ta kuptojë se Berisha jo vetëm kutitë e votave nuk pranon t’i prekë, por as “kutinë” e atij Klodit të “Big Brother Show”, që i ankohet se po e ngacmojnë, nuk din si ta mbrojë, megjithëse ligji për homot në fakt është kaluar nga mazhoranca. Edhe ky Meta asnjëherë nuk pa hajdut me sy, paçka se ka folur fort kur ishte në opozitë. Për shëmbull, në Shkodër dikur bërtiste për banditët e Berishës, artikulohej vjedhja e thesarit të Shkodrës ditën për diell, me tank, ku kanë qënë prezentë – thuhet qindra e qindra qytetarë.

Ajo vjedhje, më e madhja në Ballkan dhe për të cilën thjesht po të klikosh në Google “1997 thesari Shkoder”, do njihesh me “6 persona”, që grabitën thesarin e Veriut shqiptar, me hetimet që edhe ato janë paguar nga taksat, të mbyllura disa herë dhe të cilat është thënë edhe në media me zë të mekur, se kanë zbuluar që paratë e vjedhura të popullit janë shumëfishuar në ndërtim dhe media, në zemër të Shkodrës.

Ish prokurori Theodhori Sallaku, jo shumë larg në kohë pat urdhëruar thjeshtë t’i hapet kapaku asaj dosjeje të plotë, që “fle” në prokurorinë e Shkodrës, por nuk dihet a e kërcënuan me jetë apo edhe ai mendonte se është kohë e mirë për hajdutë, e le të vazhdojnë, pasi cubat jo vetëm janë të lidhur me ndokënd lart, por edhe i vrasin njerëzit, që mund të flasin, ose edhe të pyesin thjeshtë, pse nuk hapet ajo dosje, për të cilën edhe ndërkombëtarët kanë bërë apel, kur thuhet se ligji antimafia nuk po hedh “rrjetat” për peshqit e mëdhenj, por ngre ca kurthe për ca “minj” të vegjël nëpër komuna e fshatra të largët, që u mësohet emri vetëm kur përmënden në media.

Çdo gjë që ka ngjarë në Shkodër, gjithmone, është futur edhe në barcaleta. Kur po shpërthehej thesari, kafeneve përmëndej njeriu shëmbull i kohës së diktaturës, Fuat Çela. Ky Çela ishte heroi i disa viteve, meqë edhe pa sy, punonte. Bëhej shëmbull për një popull të tërë. Shembuj të tillë i duheshin diktaturës për të vëndosur diktat mbi normalët. Edhe atë ditë marsi të 1997-ës, flitej nga normalët kafeneve, si pak vite më parë për heronjtë e tipit Çela.

6 hajdutët merreshin si shembull i të pasurve, meqë ngarkuan një makinë plot dollarë amerikanë dhe ecën përmes qytetit, siç thuhet në internet, duke i ndarë në një lokal dhe mëpastaj t’i transportonin me gjashtë makina, po përmes qytetit, në sy të gjithë miletit. Ata merreshin si shembull, se edhe këtyre u mungonte diçka, si heroit Çela; Këta shihnin, por sipas barcaletë-krijuesve ishin të pagllendur, të pashkolluar, të panjohur publikisht.

Edhe Fuat Çela ishte qorr, por punonte. Koha e Fuat Çelës pat mbaruar, kur udhëheqësia deklaroi se ky paska pasë dritë syri, por ka mashtruar. Prapë njerëzit e merrnin shembull Fuat Çelën. Kështu, ngjet me gjithë njerëzit që futen në humor në Shkodër. Për mirë a për keq, dallohen nga të tjerët.

“I lumtë Fuat Çelës, ua paska hedhur Enverit e Mehmetit”, – thuhej aso kohe.

Edhe këta të vjedhjes së thesarit, që edhe sot diskutohen para një filxhani kafeje, a një pjate me saraga Bune, paçka se për drejtësinë e tipit Agim Bendo, nuk njihen, janë në zenit të sarkazmes. Heronj humori si Fuat Çela, edhe kur e kishte mirë me udhëheqësinë, edhe kur e zbuluan për mashtrim.

Çela paska patur shikim, por edhe këta paskan patur diploma. Nga dreqin u erdhën, ç’rëndësi ka?

Prapë, u lumtë, diplomat i kanë nëpër xhepa, pasaporta bluhe po ashtu, hotele e pallate kanë, media që bëjnë politikë kanë. Dhe ti thua, ky Ilir Meta që është gur sigurie, pse nuk ndihet për këto fakte, që pëllasin mes për mes pazarit të Shkodrës dhe drejtesia hesht.

Keq, fort keq, e vizatonte Shkodrën ky Meta kur ishte më i ri se sot, ndoshta dhe jo kaq i pasur sa sot. Kështu, deri tashti, gjithë pushtetet duhet pranuar se kanë qenë kreativë vetëm në distancën e mosbesimit tek sekushi, që mund të pushtetojë, si puna e një pike që shiste qen, diku në një fshat, por meqë askush tjetër nuk shiste qen, mes atyre racave do zgjidhnin fshatarët.

Sapo i pari bleu qenin e parë, pas katër ditësh e panë ta kthente.
– Pse?, – e pyetën fshatarët.
– Ky qen rri ditë natë vetëm duke lehur. Më duket i çmendur.

Bleu të dytin dhe prapë e ktheu.
– Po ky ç’pati?
– Edhe ha shumë edhe leh pak. Liberal, si me thanë, pasi kanë dalë do fjalë të reja.

Edhe të tretin që ndërroi, prapë e mori për hekurash dhe e çoi në vathë të qenve.
– Po ky, që duket kaq i bukur, ç’pati?, – thanë fshatarët.
– Ky, herë leh shumë, herë nuk leh hiç. Atyre që vijnë nga porta u leh dhe turret t’i shqyejë, atyre që kalojnë sipër murit, hajdutëve, nuk u leh fare, madje luan me bisht, e kënaqet. Si me ju thanë, është identik si ai qeni i parë, veçse edhe qen hajdut.

Kështu duket se po zhgërryhen punët këto 20 vitet e fundit. Distanca e mosbesimit tek gjithë qeverisjet është koduar në ca hieroglife që s’ka Dreq t’i deshifrojë.

Te gjithe flasin si të ndershëm në opozitë, por heshtin në pushtet. Vetëm Edi Rama po hesht edhe në opozitë, për çështje madhore, si kjo e thesarit të Veriut.