“SINOPSE PËR SKËNDERBEUN”

0
490

Analiza per librin e fundit te Moikom Zeqos “Sinopse per Skenderbeun” botuar pas vdekjes nga Erik Botime

Prof. Dr. Josif Papagjoni

…Vrapojmë në jetë. Bëjmë diçka, edhe diçka tjetër, dhe një tjetër. Nuk ngopemi. Ritmi marramendës na lodh. Egua na lodh. Edhe shkrimtari vrapon, por ndryshe. Pas një libri, edhe një tjetri, edhe një të pesëmbëdhjeti, të shtatëdhjeti… Aq libra ka shkruar Moikomi. Ai veçse ka vrapuar në fushën e bardhë të letrës. Libër pas libri. E sërish një tjetër libër i buiste në kokë. Teksa sëmundja po e vinte përfund ai kishte një merak. Donte t’i jepte dorën e fundit librit për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, të fundit libër. Ishte një ide e lindur qysh në moshë të hershme, sikurse e pohon ai vetë. Nuk synonte mirëfilli një histori e vargëzim betejash për heroin, por një portret, një mendësi prej lidershipi, një qëndrim politik, një dimension ndërkomtar, një qasje të shpenguar. Dhe të gjitha këto të vinin në formën e sytheve të veçantë dhe subjekteve studimorë të mëvetshëm, argumente që pohonin njëri-tjetrin duke mbetur po aq të vetëmjaftueshëm, me integritetin e tyre tematik, me risitë dhe zbulesat. Kishte hasur gjatë shfletimeve të shumta mjaft libra, artikuj, ide, mendime mbi figurën e Skënderbeut, përthyerjet që ajo kishte në autorë me rëndësi qysh nga mesjeta e më këtej.

Pikërisht këtë opus libror mbi Skënderbeun dhe veprën e tij ai donte ta shndërronte në një libër multidimensional. Vetë sakaq kishte shkruar mjaft shkrime, kishte hulumtuar dhe bërë zbulesa interesante. Dhe të gjitha donte t’i derdhte falë një konceptimi që do të linte pas vështrimin “kriticist”, pra dhe atë akribik, demitizues, duke u rrekur drejt një dije gjithëpërfshirëse të prerjes vertikale e abstraguese, e cila do të përfshihej gjegjësisht disiplinës shkencore historike. Po jo vetëm. Ai nuk do të merrej thjesht me aktin e pashembullt historik, por me krejt epokën dhe atë çfarë përfaqësonte Gjergj Kastrioti; pra, me një dije të posaçme, që Moikomi e quante: SKËNDERBEOLOGJI. Dhe librin e titulloi “Sinopse për Skënderbeun”.

Qenë dy momente cytjesh që M. Zeqo ta niste këtë ndërmarrje studimore të një hapësire të gjerë: e para ishte vizita në Kështjellën Borgar në Francë më 1991, ku në 100 portrete të njerëzve më të shquar të historisë njerëzore ishte dhe një portret i Gjergj Kastriotit; e dyta ishte varri monumental i Marës, motrës së Skënderbeut, pranë Kështjellës së Zhabjakut në Malin e Zi. Më pas, kur Moikomi ishte drejtor i Muzeut Kombëtar, me rastin e 600 vjetorit të lindjes, në simpoziumin shkencor ndërkombëtar kushtuar heroit tonë kombëtar ai mbajti referatin kryesor dhe përgatiti një koleksion të veprave të artit kushtuar Gjergj Kastriotit, ikona, këmbana të shekujve XIV dhe XV, që u kataloguan prej tij. Një udhëtim i qëllimtë në Gjermani solli edhe botimin e “Kodikut të Skënderbeut”, që ndodhej në Bibliotekën e Vajmarit. Kjo qe pjesa e zbulimeve dokumentare, por një tis thuajse ëndërror rrinte përherë trurit të tij që shëmbëlltyrën heroike të fëmijërisë dhe adoleshencës, Skënderbeun e Akaki Khoravas me shpatën e tij të madhe si një Eskalimbur në filmin e famshëm shqiptaro-sovjetik, ta derdhte në libra, vargje, shkrime, esse, ta ribënte, ta ringjallte me mirë se regjisori rus Sergej Yutkevich. Prej atij tisi legjendarizues të viteve, kur fantazia bredh e harbuar përfytyrimeve, nuk donte të hiqte dorë. Mbeti trurit të tij si vizllim hënor…

I pakënaqur me hartimin e lëndës dhe plotërinë e saj, ai ishte i ndërgjegjshëm se “ky botim ende nuk e ka statusin e librit publik, por në shumë pak kopje, është thjesht një paraqitje e tërë materialit, që ende ka nevojë për t’u përpunuar dhe në mënyrë të veçantë të pajiset me referencat e domosdoshme shkencore, për të marrë formën përfundimtare”.

Dorëshkrimin e vitit 1918, “që shërbente më tepër për punë të mëtejshme”, Moikomi e plotësoi, e përpunoi, i dha formën që kishte paramenduar. E di se ai do ta mbante ende nëpër duar gjersa t’i jepte atë përmasë e peshë që e ëndërronte, por “fati i zi” qe më i shpejtë se ai dhe e mori. Në vitin 2020, ndonëse pas vdekjes së tij, Shtëpia Botuese “Erik” më në fund ia dha lexuesit si për të plotësuar një amanet dhe një peng të vetë autorit.

I kredhur në leximin e kësaj sage sa historike e hulumtuese aq dhe ftillëzuese e me përftesa ideologjike unë e ripashë figurën e heroit kombëtar nga një tjetër dritare, të një stili tjetër, ku gjëllin një mendim lëvrinjës, aspak pedant, aspak “akademik”, i ngrysur, disi dembel. Është një qasje krahasimtare ku përmasa e personazhit e tejkalon ndjeshëm kronikën, e sfidon dijen empirike të betejave me turqit, marrëdhëniet politike me Venetikun, ato me Papatin, me fqinjët, marrëdhëniet ndërshqiptare etj. Libri është ndarë në shtatë kapituj, ani pse nuk kanë një kufizë rreptësisht të përcaktuar. Brenda një argumenti shpesh hyjnë rrjedha të tjera shpjeguese e informuese.

Për t’i çelur horizontin e nevojshëm sintezës së vet, Zeqo e koncepton studimin mbi figurën e Skënderbeut, madje edhe të epokës së tij, si një fushë studimore të mirëfilltë, pra si një “dije”, si një “logos”, andaj dhe ngulmon ta e quajë atë “Skënderbeologjia shqiptare”.

Kjo nënkupton gati një katedër a institut studimor, ku të përfshihen autorët kryesorë që janë marrë me Skënderbeun dhe epokën e tij rrjedhave të kohës. Dëshira për ta konceptuar atë si dije gjithëpërfshirëse, integrale, them se përligjet nga vetë fakti që pikërisht ai Njeri dhe ajo Epokë vijojnë të përkthehen si pikat më të spërndritura të historisë sonë kombëtare, përherë të riciklueshme, pasi ato u shndërruan në referenca historike botërore.

Milanezi Marin Barleti, padyshim, është më i famshmi studiues, fare pranë kohës së zulmit të madh, por ka qenë edhe italiani tjetër, Martin Segoni, më pak i njohur nga studimet tona historike. Gjurmëlënëse janë mëpastaj studimet e Dhimitër Frangut, Frang Bardhit, posaçërisht vepra e famshme e Nolit “Historia e Skënderbeut” dhe së fundmi libri i akademikut Kristo Frashëri, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”. Sakaq ndihmesa të vyera
në ndriçimin e figurës së Skënderbeut kanë dhënë edhe Atë Zef Valentini, Aleks Buda, Kasem Biçoku, Selami Pulaha, Luan Malltezi, Pëllumb Xhufi, Pranvera Bogdani, Injac Zamputi, pa përmendur dhjetëra e dhjetëra studime të pjesëshme, kumtesa dhe hulumtime të studiuesve të shumtë në krejt hapësirën shqiptare.

Duke hedhur poshtë dyshimet mbi autorësinë e veprës së Barletit “Historia e Skënderbeut”, se kinse ajo është shkruar nga Marim Becikemi, Zeqo vërteton autencitetin e historianit të parë të jetës dhe bëmave të Skënderbeut duke e vlerësuar atë pikërisht “si dijetar të përkushtuar dhe jo thjesht si një fantazist… i cili është më afër historisë autentike të Skënderbeut”. Autori bën një vlerësim të tekstit historik të Barletit duke e marrë në kohë, si dëshmi të drejtpërdrejtë, me praninë e një stili të shkathët dhe narrative kureshtsjellëse. Libri i tij shihet në vlerën e një misioni për ta dritësuar atë epokë të zulmshme, kurrë më të përsëritshme ndër shqiptarët, ku krahas triumfit dhe lavdisë, siç bën me dije vetë Barleti, me vdekjen e Skënderbeut çdo gjë “vajti dhe shkoi papritur, si prej ndonjë pikëllimi të pamasë çdo fat dhe burrëri. Kjo ndodh që në atë vend (Arbëri) të mos gjesh, gjë që e përsëris shpesh, as vis, as trup, as frymë, as zë të lirë”.

Zeqo konkludon se në “këtë rrëfim Urbi e Orbi, Marin Barleti flet në mënyrë të dyfishtë: si bashkëkohësve të vet ashtu dhe pasardhësve”. Ai ka ruajtur dhe shfrytëzuar një semantikë unike e ndërvepruese, që bashkonte kohët dhe nxirrte syresh kuptimet e pa drobitura nga distanca historike, me thelbe të paprekshme universale. Ndërsa në dy parathëniet që shoqërojnë botimin, Zeqo përcakton se me Marin Barletin ka nisur kështu, për herë të parë, edhe zhanri i eseistikës në kulturën shqiptare. Sa i përket studimeve të Dhimitër Frangut dhe Frang Bardhit bie në sy sensi i përqasjes historike për të saktësuar shumëçka të turbullt nga koha mbi figurën e Skënderbeut, duke e pasuruar palitrën e analizës me ndërhyrje të gjalla komentuese vetjake. Më tej do të jetë doktoratura e Athanas Gegaj objekti i vlerësimit të Moikomit, e cila sipas Nolit “është ndofta vepra më e mbaruara, që ka parë dritën gjer më sot si nga forma, nga lënda, edhe nga baza dokumentare.” Këtë mendim të Nolit studiuesi e përforcon përmes spikamash domethënëse dhe të një kahu korrelativ, çka sjellë për lexuesit jo thjesht diçka pak të njohur por dhe një trajtesë origjinale me karakter shterues.

Një shqyrtim i mprehtë dhe i detajuar i kushtohet veprës së njohur të Fan Nolit “Historia e Skënderbeut”, duke bërë pranëvënie domethënëse midis botimit të parë të vitit 1921, botimit të dytë të vitit 1947 dhe botimit të tretë të vitit 1950, ku tanimë mendimi historiografik i Nolit i ikën ndonjë pasazhi romantizant, empatik dhe letrarizues për të mbërritur në një aksiologji shkencore të nivelit të lartë, ku dukuritë historike dhe
personaliteti i heroit vendosen nën katedra gjykimi të epërme, të padyshimta dhe më përfundimtare. Kjo sepse Noli shfrytëzoi gjithë përvojën e mëhershme të historianëve, mbushi mangësitë, zgjeroi vizionin bibliografik, shfrytëzoi begatinë burimore të ardhur nga dy kahet, Lindja dhe Perëndimi, ato osmane dhe ato bizantine. Historia e Skënderbeut është e sintetizuar duke dhënë zgjidhje sa logjike e abstraguese, aq dhe të plotësuara me ndriçime të reja të faktologjisë mbi kundërthëniet e shpeshta, që viheshin re në studimet historike të deriatëhershme.

Ishte Noli ai që e ndau qasjen historike si nga inflamacioni romantizant e hyjnizues, ashtu dhe nga parashtresat e ftohta nihiliste të një kriticizmi spekulativ, që rrekej ta zvogëlonte figurën e Skënderbeut dhe madhështinë e tij ta çonte korridoreve të harresës historike dhe
asgjësimit. Duke ndjekur logjikën dialektike historike të ndëveprimit të faktorit të brendshëm dhe faktorit të jashtëm, Noli shkoi vetiu drejt një shyrtimi të ri të historisë së Skënderbeut, veprës dhe kohës së tij. Ai nuk e rrëzoi mitin e tij, që ishte sendërtuar plot ashk nga Rilindja Kombëtare (ndër të tjera edhe për motive politike aktuale). Përkundrazi, ia hoqi aureolën rrezëllitëse, e zhveshi prej petkut gjysmëprrallor duke e paraqitur Skënderbeun në madhështinë e vet të pacënueshme e të patjetërsueshme si një fenomen historik “extra”. Te ky kapitull vijnë edhe një sërë idesh e pandehmash të akademikut të njohur Aleks Buda, në plotësim, ndonjëherë edhe me polemikë, më shumë si shpjegime mbi librin e Fan Nolit, ku aty-këtu, sipas meje, ngre krye edhe ndonjë optikë historiografike e tipit të “realizmit socialist”, prej nga faktori i “ndarjes dhe i luftës së klasave”, ai i “rolit të individit dhe masave në histori”, ai i “kushtëzimit ekonomik-shoqëror të proceseve historike” etj, riartikulohen si inerci a, ndofta, si nevojë për të qenë “brenda” konceptit sundues të kohës, ku masa, populli, fshatarësia e lirë janë faktorët determinues.

Për të mundësuar një kuptim të thelluar të epokës skënderbejane M. Zeqo nuk kishte se si mos të parashtronte ato kushte e rrethana sociohistorike përpara kësaj epoke, dhe posaçërisht Arbërinë mesjetare deri në pushtimin turk. Kjo sjell arsyen e kthjellët përse arbrit me heroin e tyre luftuan aq rreptë gjer në sakrificën sublime, ç’i dallonte ata si strukturë sociale, religjioze, administrative, statale, gjer dhe antropologjike në raport me pushtuesit, të cilët nuk ishin thjesht zaptues të hapësirave jetike, të trojeve arbërore, por asgjësues të trashëgimisë së tyre etnike, kulturore, fetare, zakonore, çka edhe shkaktoi pas vdekjes së Skënderbeut eksodin më të madh të shqiptarëve, gati shuarjen e tyre si komb dhe, në rastin e mbijetesës, konvertimet tragjike që pasuan në religjion, zakone, organizimin shtetëror, administrim, pronësi, nën një zgjedhë të rëndë e të jashtëzakonshme 500 vjeçare.

Sjellja e atij relievi arbëror me mënyrën e organizimit të jetës, sistemin kishtar dhe peshkopatat, lidhjet me Perëndimin, Vatikanin, Venedikun, Napolin, Raguzën, Spanjën dhe mbretër të ndryshëm evropianë vë në spikamë pikërisht identitetin evropian të arbërve, çka e bën të rrokshme edhe arsyen madhore të kundërshtimit dhe rezistencës së tyre të pashoq. Tok me dyndjet e para osmane në Ballkan dhe trojet e Arbërisë rivjen edhe rinia e Skënderbeut si ic-ogllam në rrethet otomane dhe atmosferën e pushtetit osman, cituar nga tre koronistë turq Tursuni, Idriz Bitlisi dhe Kemal Pashazade.

Lëndë e re sillet në raportet e Skënderbeut me Republikën e Venedikut, me mbretërinë e Spanjës, atë të mbretit Alfons i V i Napolit, ku spikat këtu sidomos diploma “Pro Universitate Oppidi Croarum” e datës 19 prill 1457, e patrajtuar nga studimet tona historike, në të cilën autori duket se ngutet për të shprehur raportet e brishta midis Skënderbeut dhe mbretit Alfons V, ku bie në sy konstituimi i Autonomisë dhe të Drejtave
të Mëparshme të Komunitetit të qytetit të Krujës. Ja ku lexojmë edhe disa letërkëmbime të Skënderbeut me mbretin Ferdinand I i Aragonës, me Johan Antonin, princin e Tarantos dhe vërtet ndjen një kënaqësi të madhe nga mënyra diplomatike se si Skënderbeu u drejtohet atyre, të ngashnjen mençuria dhe mprehtësia e tij. Po kështu të bëjnë përshtypje në këto letra parashtrimet logjike, takti, ndonjëherë hedhjepritja në mbrojtje të interesave të arbërve. Paçka se në rolin e vasalit, ai shquan për krenarinë, mbrojtjen e virtyteve dhe trashëgimisë së arbërve, kujtesën historike që vinte prej epirotëve të moçëm të Piros së Epirit si referencë ngashnjimi.

Herë pas here Moikomi e ndryshon pozitën, syrin e tij analitik duke shkapërcyer nga bedeni i historianit tek sipëria e estetit, eseistit, madje edhe poetit, kritikut. Kështu bën ai me gravurat e hershme të Skënderbeut dhe simbolikave të saj duke i kushtuar një kapitull më vete. Këtu ai është krejt i shpenguar, si të thuash në fushën e vet duke rrugëtuar mes simbologjisë që vjen nga areali i mitit biblik e më thellë, nga përfaqësimet dhe semantikat e ndërlikuara të objekteve të marra në shqyrtim. Kujtojmë simbolikën e frutit të shegës, mëpastaj gjethen dhe lëndën e lisit si simbol epirotas, si dhe simbole të tjerë që lidhen me harldikën e Skënderbeut. Përkrenarja e tij rimerret si objekt shpjegues me mbishtresimet simbolike që ajo ka. Gjithë elementët e saj, koka e dhisë, brirët, stolisja sipas arketipit të lashtë dhe një simboli të derës mbretërore maqedonase, përshkruhen në dy plane, atë mitik-heraldik dhe atë estetik-artistik. Në tërësinë e vet aty janë gërshetuar traditat pagane dhe profecitë biblike. Mendja e Moikomit turavrapet nëpër shënjime e hollësi ku fosilizohen kulturat, mitet, shekujt, heronjtë, kohët, mbretërirë, profetët, simbolet, historia, artet.

Po njësoj ai kridhet në simbologjinë e flamurit të Skënderbeut, te shenjat që ai bart, më tutje te tri versionet e vulës që heroi përdorte, me zbulimin dhe gjithë hulumtimin gjegjës duke vërtetuar vulën e njëmendët. Nyje të tjera që ngjallin interes janë ato kur flitet për arbrit, origjinën e tyre, rrjedhën historike, shenjtërimin e eshtrave të Skënderbeut dhe kthimin e tij në një mit frymëzues, të bashkëshoqëruara me disa vjershërime të vetë autorit të shkruara në vite. Këto nyje herë-herë bëhen të habitshme me të dhënat që sjellin në skedarët historikë duke e çuar lexuesin udhës së të panjohurave, pandehmave dhe parahistoive të origjinës së shqiptarëve. Dikush këmbëngul se shqiptarët vijnë nga fiset italike të qytetit Alba pranë Romës, dikush i sheh si popull autokton ilir apo pellazgjik, ndonjë tjetër (Evlia Çelebiu, udhëtari i famshëm turk) ngul këmbë se shqiptarët vijë nga fisi arab i Kureshëve, prej nga rrjedh edhe vetë gjaku i Muhametit.

Miti i rremë i origjinës arabe të shqiptarëve sulmon historinë, rreket ta zëvëndësojë atë, ta mohojë, por po ai vetë, nga shtresat e pabesueshmërisë që mban përsipër mohon vetveten, rrjedhimisht ripohon historinë e të vërtetës së arbërve si komb parak evropian.

Siç ndodh rëndom me Moikomin, edhe me librin e tij “Sinopse për Skënderbeun” ai është dhe nuk është historian, është dhe nuk është thjesht një analist, një eseist, një kritik arti, një filozof i historisë. Ai s’do që të jetë rob i një zhanri a lamie me kufij rigorozisht të përcaktuar dhe autoritarë. Ai do që t’i bishtnojë rregullit, skemës, kodit të sanksionuar. Do që të jetë vetvetja. Andaj dhe ndërfut midis rrjedhës së mendimit apo hulumtimit të lidhura direkt me Skënderbeun edhe informacione dytësore, plotësuese, që ndonjëherë duken si shtojca të tepërta, por të para në kontekstin e hapësirës dhe natyrës së veprës ato luajnë një rol komentues, mbushës.

Kjo mund të thuhet për sythet kushtuar rrugës “Egnatia”, rrjedhës së dy Drinave, sikundër
po njësoj mund të pohohet edhe për poezitë e para evropiane kushtuar figurës së Skënderbeut, duke veçuar poezitë e Pjerr Ronsarit, eposin poetik të Margarita Sarrokit me titullin “Skënderbeide”, dramën “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit” të tragjedianit bashkëkohës e konkurrent të Shekspirit, Kristofor Marlou, librin e Stefan Zanovicit; gjithëpo interesante janë edhe hulumtimet mbi portretin e Skënderbeut, gravura e Jost Aman, piktura e Niko Engonopulos. Zeqo shpesh e merr si premisë një fakt a dokument historik për të migruar në ide bashkëshoqëruese, por që tanimë nuk vijnë thjesht nga lamia e historisë por ecejaken më tutje saj, në lami të tjera, më së shumti në fushëpamjet estetike, eseistike, bibliofilike, figurative.

Kështu ngjet me “Librin e uratave”, “Librin e Petrarkës”, Kodiku me portretin e Skënderbeut i vitit 1465 DEMAGISTRATIBUSACERDOTISQUEROMANORUM), në të cilin autori gërsheton qasjet dhe pandehmat historike me analizat estetike të pikturës së Alesso Baldovinettit. Një asht tjetërfarë, jo mirëfilli historik, e has gjithandej faqeve të librit si një petk qytetarie, thënë më saktë si optikë e dimension qytetërimi, në të cilën jepen marrëdhënie komplekse e ndriçime të shumëfishta të vetë epokës së Skënderbeut.

Në fund libri mbyllet me “Kodikun e Skënderbeut” në Waimar të Gjermanisë. Moikomi ishte atëherë drejtor i Muzeut Kombëtar dhe qe njeriu që e zbuloi dhe e bëri të njohur këtë kodik – CODEX SCANDERBEG. Aty janë rreth 300 foto, që sillen në mbi 75 faqe të këtij libri vëllimor, duke na dhënë kësodore një imazh me natyrë tërësore mbi epokën dhe luftërat e Skënderbeut, armët që përdoreshin atëherë, duke qenë shumë më tepër se një informacion inxhinjerik, ushtarak, antropologjik dhe zakonor…

…Meraku që kishe u krye i dashur Moikom. Libri për Skënderbeun është në duart e lexuesit shqiptar. Një libër përtej caqeve të ngushta të historisë. Përtej betejave dhe luftërave. Përtej bëmave heroike. Përtej kronologjisë. Një libër që e vendos portretin e tij në një muze jo përjashtimisht historik, por edhe të qytetërimit, madje të filozofisë së historisë, kur heroi bëhet epokë dhe epoka merr fytyrën e heroit. I tillë ishte Gjergj Kastriot-Skënderbeu.