SHPENDI TOPALLAJ – MJESHTËR I FJALËS DHE SIMBOLIKËS

0
566
Shpend Hulësi Topallaj - Dantja e të tjerë

Isak A H M E T I

Me shkrimtarin e njohur, Shpendi Hulësi Topallajn, jam njohur, jo rastësisht, në Takimin e Durrësit (14 gusht 2020), ku ishin prezentë poetë dhe shkrimtarë nga Tirana dhe Durrësi si Delo Isufi, Viron Kona, Kadri Tarelli, Shpendi H.Topallaj, Bashkim Saliasi, Merita Kuçi, Marina Prenga etj. N’atë Takim që ishte sa miqësor aq edhe mbresëlënës isha edhe unë i ftuar si shkrimtar nga Kosova, isha i mirëpritur dhe shumë i nderuar.

Po aty, veç të tjerëve që më dhuruan libra me dedikikim dhe miqësisht, është edhe Shpendi Topallaj, tashmë miku im i çmuar i letrave shqipe, edhe në Fb, i cili nxori nga çanta disa nga veprat e tij më të reja dhe m’i dhuroi me dedikim, miqësisht, për çka e falënderoj nga zemra edhe njëherë, këtu, publikisht me dëshirë që të ketë shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejme në fushën e letrave!

2. Pak biografi

Shpend Topallaj, autor i shumë veprave letrare, zhanresh të ndryshme, prej shumë vitesh me një zell, përkushtim e pasion të rrallëhasur, lëvron prozën e shkurtër, poezinë, dramën, esenë, kritikën letrare, reportazhin e gjithçka tjetër (Kopi Kyçyku). Ai është lindur në Berat më 14 shkurt 1947. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Shkodër, që është djepi i kulturës shqiptare dhe Tiranë, ndërsa tash, sipas shënimeve që jep te vepra: Dantja… (fq. 241) jeton në Durrës, prej shumë vitesh. Ka ushtruar një varg detyrash me shumë sukses dhe përkushtim, ka qenë i ndëshkuar me pretekst se kishte lexuar një libër me kritika letrare të Rexhep Qosjes. Vlerësohet lart si intelektual, si shkrimtar, si njeri i kulturuar, si njeri i guximshëm, si njeri i ndershëm dhe me shpirt krijues. Ka kryer studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike dhe studion me pasion, jo vetëm artin ushtarak, por edhe në fushën e letërsisë, artit, historisë etj.

Ka kryer edhe detyra shoqërore si: anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, nënkryetar i Shoqatës kombëtare “Skënerbegasi”, kryetar i degës së SHKUR-it, sekretar i Shoqatës së Intelektualëve në Durrës etj. Tani është zgjedhur kryetar i Bordit drejtues të teatrit “A. Moisiu”, është shpallur “Ambasador për Paqe” dhe njëkohësisht është zgjedhur nënkryetar i Federatës së Paqes Universale, dega në Durrës.

Pas viteve të 90-ta fillon të shkruajë dhe botojë krijimtari të mirëfilltë letrare, thuajse të të gjitha zhanreve të letërsisë gjë që është i njohur kudo. Shumë nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, janë botuar jashtë shtetit dhe janë vlerësuar shumë nga kritika e specislizuar dhe lexuesit. Në nëntor të vitit 2015 nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë i është akorduar çmimi “Pushkin”, me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit“…

Kritiku Kostaq Xoxa, duke shkruar për njërin nga librat e Shpendit, për librin: “Ishte koha kur…”, ndër të tjera thotë edhe këtë, citoj: “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topallaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat dhe romanet e tij, në kritikën letrare, në zbulimin e thesareve të lashtësisë dhe veçanërisht të mitologjisë greke, në repoetazhin artistik, në pasqyrimin dhe portretizimin e figurave të nëpërkëmbura nga një sistem totalitar gjysmëshekullor…

3. VEPRAT

Shpendi Topallaj aktualusht është, padyshim, shkrumtari më pjellor i letrave shqipe. Deri me tash, siç dihet, ka botuar këto vepra:

1. Lirikat e Zemrës, poezi 1996 (përkthyer në italisht),
2. Gjithë dashuritë e mia – poezi, 1996,
3. Akropol për të gjithë – poezi, 2000 (përkthyer greqisht),
4. Mjaft u grindën Perënditë – poezi, 2001,
5. Tekat e Perëndive, poezi, 2004,
6. Magjistari i dashurisë – poezi, 2004,
7. Kumte nga Olimpi – poezi, 2009,
8. Ishte koha kur… poezi epigramike, 2011,
9. Metaforë malli – poezi, me b-autorë, 2013,
10. Perla më e bukur – poezi, 2014,
11. Ironia e moshës – poezi, 2015,
12. Rrëfimi i Kapitenit – tregime, 1998 (përkthyer frengjisht),
13. Një njeri i çuditshëm, tregime, 2007,
14. Fisniku dhe horri – tregime dhe novela, 2008,
15. Autobiografi – tregime, 2011,
16. Arratisja – tregime, 2012,
17. Amaneti – tregime (përkthyer në rumanisht), 2014,
18. Adulteri – tregime, 2012,
18. Allamanët – novelë, 2008 (përkthyer italisht, gjermanisht),
20. Pushkatimi – novelë, 2008 (përkthyer italisht, rusisht)
21. Ahu në mes të pyllit – tregime e novela të zgjedhura, 2015,
22. Mobiliet e vjetra – tregime 2019 (përkrhye në rusisht),
23. Kurva-novelë, 2012 (përkthyer rusisht),
24. Lotët e Zambakut – roman, 1998 (përkthyer në rusisht),
25. Mashtruesi – roman, 2006,
26. Mallkimi – roman, 2010,
27. Luani i kafazit – roman, 2011,
28. Zhgënjimi i partizanit të Gramozit-roman, 2011,
29. Unë kam qenë në Mat’hauzen – roman, 2013,
30. Biri i Golemit, Adem Meta – roman, 2015,
31. Jetoj në kujtimet tuaja – monografi, 2016,
32. Romancë me letra dashurie – roman, 2018,
33. Flakët e fjalës – kritika letrare, 1998,
34. Jemi vëllezër – kritika letrare, 2000,
35. Shoku më i mirë – kritika letrare, 2002,
36. Paqja-virtyt i civilizimit – kritika letrare, 2003,
37. Triumfi i arsyes – kritika letrare, 2004,
38. Porta e dijes – kritika ketrare, 2007,
39. Vepra dhe vlera – kritika ketrare, 2008,
40. Armiq pa dashje – kritika letrare, 2009,
41. Vagoni i mallrave – kritika letrare, 2011,
42. Homazh librave – kritika letrare, 2012;
43. Libri si Papirus – kritika letrare, 2013,
44. Kur qesh dhe qan Kadare – kritika letrare, 2013,
45. Vargmali i letrave – kritika letrare, 2014,
46. Stile dhe Lapsa – kritika letrare, 2014,
47. Po thahet shpirti – kritika ketrare, 2016,
48. Shkolla ime “Skënderbej” – kritika letrare, 2017,
49. Urat e librave – kritika letrare, 2017,
50. Purgatori i librave – kritika letrare, 2018,
51. Flas për ju – kritika letrare, 2010,
52. Jehona e librave – kritika letrare, 2019,
53. Esse rreth shprehjeve mitologjike, 2019,
54. Dantja… e të tjerë, kritika letrare, 2020,
55. Shenjtorët e Letrave – kritika letrare, 2020.

Pas kësaj paraqitjeje është me rëndësi të theksohet edhe fakti se për veprën e Shpendi Topallajt janë shkruar edhe dy libra voluminozë si:
1. Liria e të shkruarit, 2009 dhe
2. Të shkruash në liri, 2014.

Duke shkruar për librin: Shenjtorët e letrave (libri i fundit i Sh.Topallajt), kritiku dhe studiuesi i njohur nga Durrësi, Fatmir Miguli shkruan edhe për kontributin e tij në fushën e kritikës letare dhe në lidhje me këtë, Minguli thotë, citoj: Shpendi Topallaj ruan të njëjtin shkëlqim e dinjitet, çka bie në sy menjëherë edhe të ky libër që po merrni në duar, ku ai me skrupulozitetin e studiuesit me përvojë, ftohtësinë e gjykimit dhe zjarrin e zemrës, ka portretizuar nga këndvështrimi i tij gjithmonë dashamirës, të gjithë mjeshtrat e mëdhenj të penës që kanë lënë gjurmë të pashlyera në qiellin magjik të letërsisë ndër shekuj, për të ardhur deri tek ne, kaq të gjallë e kaq të freskët, kaq të dashur por edhe të nderuar si shenjtorë të vërtetë.

4. SHENJTORËT E LETRAVE, 2020

Veprën më të re: SHENJTORËT E LETRAVE, të cilën vetë autori ma ka dhuruar me dedikim (miqësisht), në Takimin e Durrësit (14 gusht 2020), e kam lexuar këto ditë me një frymë dhe me shumë përkushtim. Në këtë vepër me kritika letrare, që është si vazhdim i librit: Dantja…, autori shkruan poashtu për korifejtë e letërsisë botëtore siç janë: Virgjili, Servantesi, Volteri, Rusoi, Balzaku, Gëte, Bajroni, Gi De Mopasan, Dostojevski, Aleksandër Duma, Mark Tueni e të tjerë, duke përfshirë këtu edhe Arshi Pipën, Mustafa Grenlleshin, etj.

Edhe ky libër, sikur edhe shumë vëllime të tjera me kritika letrare, ka peshën e vet, vlerën e vet dhe si i tillë është kontrbut i çmueshëm në letrat shqipe.

Edhe librin e parafundit të tij:  Dantja…e të tjerë, të cilin sapo e përfundova së lexuari, autori e ka shkruar me mjaft përkushtim e elegancë. Në këtë libër me kritika letrare, të cilin autori ia ka kushtuar shkrimtarit të talentuar, Zija Çelës, autori, siç e thotë edhe vet në fillim: DY FJALË, ka shkruar me përkushtim dhe elegancë, për korifejtë e letërsisë botërore dhe bota e mësuar me praninë e tyre, i quan të vetët. Librin e nis me shkrimin:

DANTE, PETRARKA E BOKAÇIO, triumvirët e papërsëritshëm të letërsisë për të vazhduar me shkrimet e tjera kritike e dinjitoze për Shekspirin, Viktor Hygoin, Çehovin, Leon Tolstoin, Pushkinin, Shollohovin, Mihail Emineskun etj., për të vazhduar me shkrimet për Fishtën, Dritëro Agollin, Vaso Popajn, Bashkim Kadiun, Bashkim Hoxha etj.

Krejt në fund të këtij shkrimi le të themi se Shpendi Topallaj si shkrimtar është ndër autorët më vëllimorë dhe më cilësorë në letrat shqipe – është mjeshtër i fjalës dhe simbolikës.

Në Durrës,
më 29 gusht 2020.