Shembja/ Flet nipi 90-vjeçar i Prekë Calit: S’e prishi bashkia, por “çetnikët serbë”

0
6467

17 shtator 2017

Për herë të parë nipi i Prekë Calit, Ndue Dreshaj ka pranuar që të flasë pas shembjes së kullës së vjetër të gjyshit të tij në Vermosh të Malësisë së Madhe. Sot 90 vjeç Ndue Dreshaj ka të freskët kujtimet e prijësit të malsorëve Prekë Cali. Ndue Dreshaj është djali i Ages, kjo e fundit vajza e vetme e Prekë Calit. Agia u martua dhe bëri fëmijë mes të cilëve vetëm Ndue Dreshaj ka mbetur ende gjallë për të treguar mbi të vërtetat. 90 vjeçari shprehet se nuk është bashkia Malësi e Madhe ajo që ka shembur kullën historike të gjyshit të tij ndërsa nuk preferon të bëjë akuza për të tjerë se kush mund të jenë autorët.

Dreshaj mjaftohet duke i quajtur ata që i kanë shembur kullën e gjysit si çetnikë të vjetër të Serbisë. Për 90-vjeçarin është e pabesueshme se janë shqiptarë ata që kanë prishur kullën e Prekë Calit duke e rrafshuar totalisht. Ndue Dreshaj disponon të gjitha dokumentat jo vetëm si trashëgimtar i Prekë Calit por edhe si pronar i truallit dhe shtëpisë së shembur tashmë. 90-vjeçari sqaron se Prekë Cali ka qenë i fshehur kur në janar të 1945 në Kelmend janë vrarë 36 partizanë.

Nga kujtimet e një 16 vjeçar kur Prekë Cali ishte ende gjallë, Ndue Dreshaj thotë se gjithnjë kërkonte nga malësorët, që të mos vrisnin askend ndërsa misioni i tij i vetëm ishte për të zgjeruar sa më shumë kufijtë e Shqipërisë. Nipi i Prekë Calit dënon rëndë atë që ka ndodhur dhe tashmë pa marrë lejen dhe miratimin e tij askush s’mund të futet më aty, as për të ndërtuar dhe asgjë tjetër.

Çfarë e keni ju Prekë Calin, sa të afërt e keni?
Unë e kam shumë të afërt, vajza e Prekë Calit është nëna ime, pra është gjyshi im. Unë jam trashëgimtari më i afërt i Prekë Calit. Pra unë jam nipi i Prekë Calit.

E dini se është shembur shtëpia e Prekë Calit?
Po e mora vesh dhe jam shumë i mërzitur për atë që ka ndodhur për të ditur si ka ndodhur, kush e ka prishur dhe çfarë është bërë.

Si ndjehesh tani që kulla e gjyshit tënd është shembur?
Ndjehem keq sepse po të ishte një kohë tjetër ndryshe do ishte folur dhe do ishte zgjidhur kjo punë dhe jo kështu si ndodhi. Kjo është fatkeqësi. Ndjehem keq por s’kam çfarë bëj.

A keni qenë në dijeni se shtëpia e Prekë Calit do të prishej?
Jo nuk kam qenë aspak në dijeni dhe pasi është prishur e kam marrë vesh. S’ma ka marrë mendja se e prish kush atë shtëpi dhe s’më ka shkuar mendja se ka shqiptar, që i ka shkuar mendja për ta shembur, madje s’ma ka marrë mendja as se ia prek kush një gurë Prekë Calit. Nuk e kam ditur se paska edhe kështu shqiptarësh. Veç nëse janë çetnikët e Serbisë të një kohe më parë, ata po, por se e bëjnë shqiptarët s’do e kisha besuar kurrë.

Si ishtë kulla e Prekë Calit?
Ajo ka qenë shumë e mirë e madhe, me dyer, me dritare dhe gjithçka tjetër në atë kohë. Është lënë në harresë dhe më pas është prishur vetvetiu dhe tani e ndihmuan dhe e prishën krejt.

Kush e ka prishur shtëpinë e Prekë Calit, a keni dijeni?
Jo nuk kam dijeni se kush e ka prishur, nuk kam sepse po të kisha dhe po të ishte një kohë tjetër do e kishim marrë vesh, por të lusin fatin se jemi në këto kohë që jemi.

Ka patur një protestë dhe thuhet se e ka prishur bashkia Malësi e Madhe?
Jo s’jam dakord aspak. Bashkia veç nëse është bashki e marrë, e çmendur dhe antishqiptare se ndryshe s’ka se si. Nuk besoj se e ka prishur bashkia, nuk ka si të ndodhë kjo.

Keni bërë një deklaratë për shtyp, është ajo deklarata juaj, e vërtetoni?
Po. E imja është deklarata. E konfirmoj dhe e kam bërë me vetëdije të plotë.

Kush është Prekë Cali për malësorët sipas jush?
Mendje mendje njerëzish ka. Prekë Cali është një hero për Shqipërinë që luftoi për kufijtë shqiptar për t’i mbrojtur dhe kundër komunizmit.

E mbani mend ju Prekë Calit, sa vjeç ishit kur e vranë?
Po si nuk e mbaj mend. Kam qenë 16 vjeç kur e kanë vrarë gjyshin tim. E mbaj mend shumë mirë.

Çfarë thoshte, mbani mend ndonjë bisedë?
I ri kam qenë, por e mbaj mend. Kishte dëshirë të përzënte shkijet (serbët) dhe të zgjeronte sa më shumë dhe të mbronte kufijtë e Shqipërisë, kërkonte ta çonte kufirin sa më larg dhe t’ia shtonte Shqipërisë. Atë ka patur gjithmonë në kokë.

Thuhet që Prekë Cali ka marrë pjesë me 15 janar të 1945 ku janë vrarë 36 partizanë në Kelmend, a është e vërtetë kjo?
Jo. Prekë Cali nuk ka vrarë asnjë partizan dhe askend tjetër, të gjallë s’mund ta thotë askush këtë. E mbajtur të lidhur për disa ditë në Shkodër në burg dhe më pas e mbyti Beqir Balluku dhe Mehmet Shehu me shokët e tyre komunistë. T’i dorëzohej Prekë Cali Enver Hoxhës nuk e di nëse do e mbyste apo jo Enveri, sepse Prekë Cali ka qenë në burg me Enver Hoxhën. Kur i doli gjyshit tim lirimi ai tha jo, nuk largohem pa u liruar edhe Enver Hoxha, kanë qenë në një burg jashtë Shqipërisë. U lëshua edhe Enver Hoxha pas kësaj kërkese të gjyshit tim.

Ku ka qenë me 15 janar të 1945 Prekë Cali kur janë vrarë 36 partizanët?
Ka qenë në Vermosh në shpellë i fshehur. Është fshehur se ndryshe do e vrisnin partizanët. Enver Hoxha e tradhëtoi idealin e Prekë Calit ndërsa gjyshin tim e pushkatuan pa shkuar fare në gjyq. Enver Hoxha ka shkruar edhe libra për Prekë Calin.

A i ka thënë Prekë Cali, kelmendasve që të vrasin partizanët?
Jo asnjëherë. Përkundrazi, Prekë Cali i ka thënë që të mos vritet askush dhe të mos bëhen luftëra mes shqiptarëve.

Për çfarë luftoi Prekë Cali?
Luftoi për Shqipërinë, për mbrojtjen e kufijve. Prekë Calit i erdhën me flori pafund serbët, për ta shitur tokën e bjeshkëve të Vermoshit, por këtë nuk e pranoi asnjëherë.

Në komunizëm për çfarë ka shërbyer shtëpia e Prekë Calit?
Ka shërbyer si repart ushtarak por komunistët nuk kanë hyrë brenda saj dhe nuk e kanë prekur. Enver Hoxha veç i shembi një kat por dy të tjerë ia la dhe e ruajti, nuk e shembi siç ndodhi tani.

A jeni dakord që të ndërtohet një shtëpi e re 3 katëshe?
Po të kem unë mundësi edhe 100 katëshe e bëj, por po të bëhet e re gjithsesi e humb vlerën e kullës së vjetër. Ajo ka patur simbolikën e saj dhe ishte një kullë historike që personifikon shumë gjëra dhe nuk duhej shembur kurrsesi.

Për 25 vite shtëpia e Prekë Calit është lënë në harresë nga të gjithë, përse ka ndodhur kjo?
Ne vetë s’kemi patur mundësi që ta rikonstruktojmë. Shteti po të kishte dashur do e kishte rikonstruktuar por nuk e di pse nuk e kanë bërë. Disa herë kam kërkuar që kulla e gjyshit tim të rindërtohej por të mos humbur vlerat, por s’e ka bërë kush këtë gjë.

A mund të jetë vrasje për herë të dytë shembja e shtëpisë së Prekë Calit?
Patjetër që po. S’ja ka bërë kujt për borxh që t’ia shembin shtëpinë tani. Barabar si një vrasje e dytë është, veçse Prekë Calit është i vdekur dhe nuk mund të dijë se çfarë është bërë.

Çfarë do të bëni tani me atë pronë tuajën pas shembjes së shtëpisë së Prekë Calit, sepse ka një projekt për ndërtimin e saj, pasi janë mbledhur para nga shqiptarët që jetojnë në Amerikë?
Ta dinë mirë të gjithë se asgjë nuk do të ndodh më aty, pa ardhur njëherë dhe pa folur me ne. Duhet që të diskutojnë me ne, të na marrin leje, të biem dakord dhe më pas të shohim se çfarë bëhet. Ndryshe nuk do të lejojmë asnjë lloj ndërtimi. /ShkodraNews