JARA-PARAJSA E VOCKËL

0
2272
Jara me të ëmën

Xhemail Peci

(Jarës, në ditëlindjen e saj të dytë)

Gëzimi im po fliste vetvetiu. Sikur e kuptoja se po gëzoja për diçka tek qëndroja ashtu mes heshtjes dhe kureshtjes, mes ndrojtjes dhe pritjes, mes kënaqësisë dhe krenarisë, në ndërkohë që sytë e të gjithëve ishin të kthyer kah unë dhe më uronin gjithë butësi e ngrohtësi ditëlindjen time.

Ndërkaq, vetë sfondi i fotografisë sikur donte të thoshte se kështu kishte gëzuar edhe Shendi e Genti, Arba e Arisi, Rea dhe Tringa. Shendi dhe Genti aq shumë e donin Arbën sa nga dashuria që kishin për të, u bënë edhe ata me motër. Njëlloj, edhe Arba e ndiente veten të tillë mes tyre, prandaj nga dashuria që kishte për ta, edhe Arba u bë me vëlla…

Për gjithë ato çfarë bënte në mrekullitë e tij, Shendi merrte adhurimin e merituar: O, artist!… Arba merrte dashurinë në infinit, kurse Rea dhe Tringa gëzoheshin njëlloj për fustanet e tyre të bukura, në ndërkohë që ato u ngjanin aq shumë binjakeve të tyre pararendëse, të cilat tek Rea dhe Tringa kujtonin vetveten dhe fëmijërinë e dikurshme.

Tani më erdhi radha mua për të festuar dhe kishin ardhur të gjithë për të gëzuar tok me mua. Në urimin e shkruar veçmas për mua, shkronjat shëndrisnin si yjet që shëmbëllejnë me kandilat e vockël në qiellin e pafund. Të gjithë shprehnin një adhurim të pakufishëm, si për mua ashtu dhe për ditëlindjen time. Një kurorë dritash shpërndahej gjithandej. Sakaq, unë rrija e ndrojtur, sikur e fshehur mes lulesh në gëzimin e ditëlindjes sime.

Duke fiksuar gëzimin tim, shkrepja e aparatit nxori një fotografi sa të veçantë po aq edhe të bukur. Fotografia mori një sfond ngjyrë floriri. Në të shquhej buzëqeshja e Milës dhe nënqeshja ime e ëmbël. Pastaj dielli sikur u bë më i ëmbël se kurrë! Sa më shumë që më uronin dhe sa më shumë që shfaqnin adhurimin ndaj meje, aq më shumë ngrohte një diell i cili gjithnji e më shumë ngjante sikur të ishte flakëruar me flori!

Unë qëndroja ashtu e heshtur, kureshtare dhe e gëzuar në gjithë atë pamje që shfaqej përpara meje. Për më shumë se kaq, unë ndihesha njëlloj edhe krenare, si një manare. Me kordelen e bardhë të varur në kokë dhe me pëllëmbët e vockëla të duarve të mia, unë e bëja edhe më të dashur sfondin e fotografisë.

Por nuk ishte vetëm gëzimi im, nuk ishte vetëm ditëlindja ime, nuk ishte vetëm nënqeshja ime e varur në buzë, ajo që e bënte atë ditë aq të bukur dhe mua aq të lumtur!

Unë isha gëzuar njëlloj edhe kur mami më ngriste lart apo kur gjyshja më merrte në duart e saj. Isha gëzuar ashtu vetvetiu edhe kur Genti dhe Shendi më fusnin në mes dhe më mbulonin me të puthurat e tyre, njëlloj si Arbën dikur. Unë gëzohesha edhe më shumë sa herë që ata ktheheshin nga shkolla, apo kur shkonim së bashku në ditët e buta të dimrit, në Parkun e bukur të Gërmisë. Po aq isha gëzuar edhe kur në përpjekjet e mia belbëzoja tek doja të flisja me babin në telefon!

Veçse ajo që më bëri të gëzohesha kaq shumë për ditëlindjen time, ishte dashuria dhe adhurimi që më fali Mila si dhuratën më të bukur për mua.

Duke më mbajtur në duart e saj gjithë dashuri, Mila jo vetëm që e bëri diellin të buzëqeshë aq ëmbël, duke thënë me aq butësi dhe ngrohtësi se: JARA, ËSHTË MË SHUMË SE PRINCESHË!, por siç di vetëm ajo, nga kjo fotografi shpalosi dëshmi se çka don të thotë të kesh një parajsë të vockël në sfondin e dritës së diellit flakëruar me flori, një parajsë rrethuar me petale fjalësh e me flutura të bardha, një emër që Mila e ka aq shumë për zemër: JARA…