PLAKJA E POPULLSISË ME PASOJA JO VETËM DEMOGRAFIKE

0
369
Dr. Nail Draga

Shqipëria po plakët me një dinamikë të përshpejtuar,
me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën e saj

Në sajë të raportit të publikuar kohë më parë nga FMN-ja, procesi i emigracionit po shfaqet me pasoja të mëdha me ç‘rast Shqipëria po plakët me një dinamikë të përshpejtuar, me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën e këtij vendi.

Dr. Nail Draga, Revista Drini13 Korrik 2019

Duke marrë parasysh së po bëhën tre dekada, kur shqiptarët filluan të emigrojnë në botën e jashtme, në sajë të të dhënave të publikuara nga studiues dhe subjekte të ndryshme, del së ky proces i përshpejtuar me vete sjellë edhe pasoja të cilat kanë filluar të paraqiten të popullsia e Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një çështje shumëplanëshe, e cila ka marrë përmasa shqetësuese, që na prezantohen së fundit përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Se dukuria e emigrimit ka ndikuar në rritjen e moshës mesatare të popullsisë në Shqipëri dëshmojnë të dhënat së në vitin 1989 mosha mesatare ishte 23 vjeç, ndërsa tredhjetë vite më vonë kjo shifër është shtuar me 12 vite duke arritur mesataren me 35.4 vjeç. Në pesë vitet e fundit popullatës 65-69 vjeç, i janë shtuar 27.648 vetë ndërsa popullata e të rinjve 15-19 vjeç është zvogëluar me 49.362 vetë. Në këtë periudhë kohore numri i njerëzve në moshë mbi 65 vjeç në Shqipëri është rritur me mbi 12%, që kemi të bëjmë me dukurinë e moshënimit demografik, që do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen.

Sipas FMN-së, forca e punës në vend parashikohet të tkurret gjatë tre dekadave të ardhshme dhe të shtohet numri i pensionistëve. Një dukuri e tillë prezantohet përmes dy treguesve demografikë: rënies së lindshmërisë dhe emigracionit të popullsisë, përkatësisht emigrimi i trurit në botën e jashtme. Andaj mbetet që institucionet përkatëse të Qeverisë së Shqipërisë, çështjet e tilla t’i trajtojnë profesionalisht, duke ofruar projekte dhe investime përkatëse, duke stimuluar lindshmërinë dhe ofruar kushte optimale sociale për popullsinë e re në vendin e tyre.

Shpopullimi i fshatrave – proces me pasoja shumëdimensionale

Dukuria e shpopullimit është kategori demografike, e cila në aspektin gjeografik është e njohur në sajë të lëvizjeve migruese të popullsisë. Shpopullimi i popullsisë në vendbanimet e zonat përkatëse dallohet nga një vend në tjetrin, sepse në këtë aspekt kanë ndikuar faktorë dhe rrethana të ndryshme shoqërore dhe politike. Kështu në këtë aspekt deri në vitin 1990, në Shqipëri ekzistonte lëvizje e kontrolluar e popullsisë nga zonat rurale në ate urbane, e cila ishte minimale, sepse e tillë ishte politika e kohës së diktaturës.

Një kufizim i tillë me rastin e rënies së sistemit socialist, ishte shkas që në rrethana të reja në shoqërinë pluraliste filloi migrimi i popullsisë nga zonat rurale në ato pranë urbane e urbane, e sidomos në botën e jashtme. Nga një dukuri e tillë Shqipëria u bë kampion pothuaj në tërë vendet e ish kampit socialist, sepse sipas të dhënave aproksimative nga viti 1991, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.5 milion qytetarë të saj, nga del se në botën e jashtme është 1/3 e popullsisë së Shqipërisë.

Nga ana tjetër migrimi nga zonat rurale në pjesen veriore, lindore e jugore ka ndikuar që shumë fshatra të mbesin më numër simbolik të banorëve apo fare pa banorë.

Një dukuri e tillë në aspektin demografik e atë sociologjik vlerësohet si trend bashkëkohor, sepse ajo është identike edhe në vendet tjera të ish kampit socialist si Bullgaria, Rumania, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj., ku fshatra të tëra janë pa banorë, duke paraqitur një shpopullim të panjohur në kohën më të re, me pasoja të mëdha për të tashmën dhe të ardhmën e vendeve përkatëse.

Në këtë aspekt, nuk mungojnë të dhënat e mediave të ndryshme, duke paraqitur informacione shqetësuese, nga vetë fakti se ka munguar përkujdesi shtetëror, për t’iu siguruar kushte elementare popullsisë së vendbanimeve rurale, të cilët i ngjanë kohës së monizmit, por vetëm me një dallim, se në atë kohë ka munguar prezantimi i gjendjes reale të vendbanimeve të tilla.

Të dhënat se në zonat rurale ende mungon rruga, uji i pijshëm etj., janë dëshmi që nuk mund të pranohen në kohën e internetit, andaj duhen ndryshime në investimet infastrukturore dhe ato sociale, sepse ata janë baza e qendrimit të popullsisë në zonat e tilla, në të kundërtën do ta kemi fshatin në zonat pranë urbane apo në qendrat e tyre.

Nevojitet strategjia e zhvillimit kombëtar

Vetëm me strategji te zhvillimit ekonomik për investime kapitale, mund të ndalohet një trend i tillë, i cili është me efekte negative për të tashmën dhe të ardhmën. Në fshatrat me dukuri të shpopullimit, banorët ekzistues janë të moshuarit, sepse të rinjtë ose janë vendosur në qytete, apo në botën e jashtme. Në këtë aspekt nuk ekzistojnë të dhëna të sakta të publikuara, por në sajë të informacioneve që disponojmë, fshatra të tillë ka me dhjetëra, numër ky i cili është duke u rritur vazhdimisht, sidomos në zonat malore.

Shqipëria i ka të gjitha parakushtet gjeografike e hapësinore për një zhvillim optimal, por duhet qasje serioze dhe profesionale, për trajtimin e çështjeve të tilla, në favor të investimeve kapitale për zhvillim të përgjithshëm, sikurse veprohet kudo në vendet me pushtet të qendrueshëm e demokraci të konsoliduar.

Korrik 2019