Në përkujtim të 75 vjetorit të Brigadës XVIII Partizane dhe çlirimit të Dibrës

1
1406
75-vjetori i brigadës sulmuese XVIII

Pesha e kujtimit dhe emocionit që na përball me historinë…

Nga Gëzim LOKA

Udhëtimi drejt Peshkopisë, që në orët e hershme të agut të datës 23 gusht, u shoqërua nga Tirana dhe rrethe të tjera të vendit me këngë e marrshe partizane, me biseda për luftën e madhe nacionaiçlirimtare, ku Shqipëria u radhit në krahun e qëndrestarëve dhe fitimtarëve. Do të festohet madhërishëm 75 vjetori i krijimit të Brigadës XVIII Sulmuese dhe çlirimit të Dibrës nga okupatori nazifashit dhe falangat e tyre kuislinge.

Teksa ecim në gjurmët e Brigadës XVIII Sulmuese Partizane, që u krijua më 18 gusht 1944, në Sllatinë të Peshkopisë nga batalionet e “Dibrës”, “Martaneshit” e “Çermenikës” dhe vullnetarë të rinj nga krahinat e Dibrës etj, ne pasardhësit e veteranëve ndiejmë peshë emocioni dhe përgjegjësie, që buron nga e vërteta e e pastër e një lufte të shenjtë për lirinë e trojeve shqiptare.

Brigada XVIII Partizane u organizua në 4 batalione, ku komandant u zgjodh Esat Ndreu dhe komisar shkrimtari Miço Kallamata. Më pas në shtabin e saj u bënë ndyshime: Komandant u zgjodh Zoi Themeli; zv/komandant Petrit Dume e Xhemal Petrela; komisar Ilmi Çausholli dhe zv/komisar Teme Sejko e Milo Qirko.

Brigada u pagëzua menjëherë në flakët e luftës për liri, ku vlen të veçojmë dhe nxjerrim në pah veprimet e saj luftarake kundër pushtuesve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë e bajraktarëve e ku që nga luftimet e para që i zhvilloi së bashku me Brigadën V Sulmuese në Malin e Korabit, kundër forcave gjermane dhe mercenarëve qe bashkëpunonin me ta, në çdo hap njohu qëndresë dhe lavdi.

Kanë hyrë në analet e historisë së Dibrës dhe kombit luftime e saj të ashpra në Lumë, në Kukës e në afërsi të Prizrenit. Nga lufta që zhvilluan partizanët e kësaj brigade dështoi operacioni armik “Feksenjagd”, që synonte pushtimin e Peshkopisë. Unike dhe madhështorte deri në pëjetësi do të mbeten edhe luftimet në Kalanë e Dodës dhe në krahinën e Lumës, ku ishin përqendruar forca të shumta të armikut.

Me 21 shtator 1944 ajo iu dha dërrmën përfundimtare dhe shkatërroi krejtësisht forcat gjermano-balliste.

Brigada XVIII Sulmuese do të shkëlqente me vrullin e një heroizmi të parrëfyer ende siç duhet në luftimet përtej kufirit shtetëror, në Dibrën e Madhe. Ajo qe një nga formacionet qëndrestare të lirisë që mori pjesë aktive në çlirimin e qytetit të Kërçovës, ku ra trimërisht partizania Ibe Palikuqi, Heroinë e Popullit. Luftimet e saj titanike kundër nazistëve gjermanë në Kosovë, sidomos gjatë tërheqjes nga Kosova për në Shkodër, gjatë rrugës Prizren-Kukës-Pukë, bashkë me Brigadën V Sulmuese, duke marrë pjesë në çlirimin e qytetit të Prizerenit, me 17 nëntor 1944, janë kurora e saj e pagëzuar me gjak e heroizëm të pashembullt.

23 gushti njihet si dita e Çlirimit të Dibrës, e cila 75 vite më vonë, na priti që në mëngjes me këngë e valle, me flamuj e banderola feste. Gjithçka shkelqënte si ky diell veror, si një kurorë e zgjatur mirëseardhjeje.

Veprimtaria nisi në orën 10 me këngë, valle e marrshe partizane, ku veteranët dhe bijtë e tyre erdhën nga larg, kudo që ndodheshin, në çdo cep të Shqipërisë, mbuluar me shallin e kuq të Brigadës XVIII Partizane dhe të Çlirimit të Dibrës.

Hapjen e bëri Alush Stojku, kryetar i Veteranëve të Dibrës, i cili përshëndeti të pranishmit dhe iu bëri homazh të rënëve për liri të Brigadës XVIII Partizane dhe gjithë të rënëve të trevës mbarëdibrane.

Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë Dionis Ymeraj, që duhet përgëzuar për gjithçka që kishte bërë me stafin e tij, për një kremtim sa më festiv dhe sa më emocional të këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme për dibranët, tha se Lufta e madhe e dibranëve për liri e dinjitet shoqëror, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përbën një nga faqet më të lavdishme të historisë së saj dhe do të përkujtohen gjithmonë me nderim e respekt.

Në emër të Prefektit të Dibrës Nexhmedin Shehu, përshëndeti sekretarja Donika Hyseni, e cila ju uroj të ardhurve nga rrethinat dhe fshatrat e Dibrës por dhe nga larg, gjithçka të mirë dhe që të ndihen krenarë për trashëgiminë e qëndresës dhe të gjakut të derdhur në altarin e lirisë.

Në emër të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, përshëndeti deputetja Almira Xhambulla.
Ilmi Cani, veprimtar i shquar i organizatës së Veteranëve në Dibër e më gjërë, foli në emër të dibranëve të ardhur nga larg, nga të gjithë rrethet dhe trevat e Shqipërisë, ku jetojnë dhe rrojnë për të rrëfyer qëndresën e etëreve të tyre, që bënë epokë në luftën e madhe.

Në emër të Veteranëve të Shqipërisë foli Hysen Tabaku, i cili denoncoi gjithë bojën e zezë që hedhin mbi luftën pasaradhësit e kolabaracionistëve, që zgjodhën anën e gabuar të historisë dhe sot, duke mohuar luftën, kërkojnë të ngjallin psikozat e vjetra kuislinge të ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve.

Pas kësaj ceremonie të organizuar bukur dhe që kishte peshën e emocioneve dhe kujtesës të një kohe që nuk do të shlyhet kurrë nga memoria kolektive dibrane, të pranishmit, me kurora lulesh në duar shkuan tek Varrezat e Dëshmorëve, ku prehen përjetësisht të rënët.
Rruga drejt Sllatinës, vendformimit të Brigadës VVIII partizane qe e lehtë, falë rrugës së re nacionale që lidh Peshkopinë me Sllovën, Kalanë e Dodës dhe gjithë rrethinat.

Para labidarit, në përkujtim të gjurmëve të Brigadës XVIII Partizane, në Kodër të Kaushit, Sllovë, u bënë homazhe, u vendosaën kurora me lule dhe folën mjaft veteranë, ku do të veçoja përshëndetjen e Shuaip Methasanit, ish kuadër i lartë në këto anë, që solli mjaft mbresa dhe kujtime për të pranishmit.

Enver Hasa, me origjinë nga Kukësi, banues në Tiranë, kryetar i Pensionistëve të Tiranës, përshëndeti para labidarit dhe tha se ky labidar do të rrojë përjetësisht në zemrat dibrane, sepse dibranët e kanë të shenjtë luftën e tyre dhe krenohen me qëndresën e Brigadës së tyre partizane në luftën e shenjtë për liri.

Gjatë gjithë kohës, qëndrova në shoqërinë e miqve të nderuar që kishin ardhur nga Tirana, si djali i Haxhi Lleshit, komandatit legjendar dhe udhëheqësit e strategut të shquar të luftës dhe të paqes, Reshit Lleshi, i cili ndihej shumë i emocionuar. Të gjithëve sa ishim përreth tij na dha kafe dhe aty, duke serbur lëngun e zi të kafesë, përsëri folëm gjërë e gjatë për luftën dhe historinë.

Gjithashtu, djali i Zabit Lleshit, Qamil Lleshi, na respektoi, na uli në kafe dhe folëm gjërë e gjatë për rrugët që bashkojnë kohët dhe brezat e ku në themel qëndron një urë bashkimi e fisnikërimi, ura e Luftës Nacionalçlirimtare, që na radhiti ne shqiptarëve me fitimtarët, në një kohë të vështirë.

Bashkia Dibrë që, e përsërisim, kishte bërë një punë lavdëruese, për ta përcjellë sa më ngrohtësisht këtë eveniment historik për dibranët, shtroi për të gjithë të ardhurit dhe të pranishmit një drekë të pasur, në një lokalet komode, në qendër të Peshkopisë.

Në fund, për pasardhësit e partizanëve dhe veteranëve u dhanë çertefikata mirënjohjeje, si shenjë vlerësimi dhe respekti për udhën e të afërmeve të tyre në një kohë qëndrestare, por dhe për udhën e atyre vetë në mbrojtje të vlerave të pacënueshme të Luftës Nacional-çlirimtare, si faqja më epistolare dhe më e ndritur e historisë së kombit shqiptar në të gjitha kohët.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

1 KOMENT

  1. Dibra u çlirua ne vitin 1991 kur hordhitë barbare komuniste u perjashtuan per ne Rusi dhe Serbi… Prej nga rrjedhte ky çlirim i rrejshem?

Komentet janë mbyllur.