Paragjykimi

0
183
Feiz Demiri

Paragjykimi kjo e metë e madhe, është i pranishëm po thuaj se te çdo individ, tek dikush më shumë e tek dikush më pak. Pamja e jashtme e njeriut(veshja, ngjyra e lëkurës, gjatësia e trupit etj) vendi i banimit (qytet apo fshat), gjinia, përkatësia fetare, përkatësia ideologjike, etniteti e shumë të tjera, janë vetëm disa nga fushat që njeriu paragjykon. Pa dyshim, çdo lloj i paragjykimit shoqërinë moderne e dëmton.
Po i rendisim disa nga llojet e paragjykimeve, duke tentuar të shpjegojmë pse janë të tilla, në ç’mënyrë ndodhin, pse janë të dëmshme etj.
Paragjykimi në pamjen e jashtme(veshja, ngjyra e lëkurës, gjatësia e trupit etj).

Njerëzit mund të kenë veshje, ngjyrë të lëkurës, madhësi të trupit të ndryshme prej shumicës, por këto tipare, nuk e bëjnë njeriun të jetë me i ngritur apo më i ulët. Një person që paragjykon bazuar në këto tipare, problemin duhet ta kërkoj tek vetja sepse nuk janë këto tipare përcaktues se kush është më lartë e kush më poshtë në shoqëri. Tentativat për ti lënë nën hije njerëzit për shkak të pamjes së tyre të jashtme shkaktojnë stres, pasiguri dhe shumë probleme brenda tyre.

Paragjykimi për vendin ku jetojmë(qytet, fshat). I dëmshëm sa nuk përshkruhet me fjalë. Disa njerëz thjeshtë mendojnë se janë më të edukuar e më të civilizuar se të tjerët për shkak të vendit ku ata jetojnë. Veçanërisht, ky fenomen theksohet në shkolla, mes nxënësve. Ku këta të fundit, banues në qytete, nuk i pranojnë në shoqëri nxënësit që jetojnë në fshatra. Familjet duhet ta thonë fjalën e tyre në këtë drejtim, duke pasur kujdes që fëmijët mos ti edukojnë fëmijët në frymën e ndasive qytet-fshat. Shkollës më së paku i duhet kjo frymë e edukimit të fëmijëve, sepse si institucion i çmuar që është shkolla, aty duhet të ketë tolerancë dhe jo ndasi të tilla. Ndoshta për shkak të vetëdijesimit përkitazi me moshën, në nivelet universitare paragjykimi mbi vendin ku jetojmë zbehet, mirëpo fatkeqësisht edhe aty ka prezencë sado të vogël.

Paragjykimi në personat me përkatësi fetare, etnike e ideologjike të ndryshme. Paragjykimi mbi këto elemente është njëri ndër më të pranishmit kudo në botë. Tek e fundit, egoja e njeriut që prej fillimit të ekzistencës së tij, e njeh të vlefshëm vetëm mendimin dhe përkatësinë e tij. Paragjykimi mbi fe, etni a ideologji në ditët tona thjeshtë tingëllon mendim primitiv. Në kohën kur globalizimi dita ditës po i zhduk kufijtë, të paragjykosh mbi elementet në fjalë, i bije që të jetosh i izoluar më vetë dëshirë.

Paragjykimet gjinore. Personalisht dallimin gjinor në formë paragjykimi apo çfarëdo forme tjetër e konsideroj më të papranueshmin. Gruaja, ajo që numerikisht e përbën gjysmën e shoqërisë njerëzore dhe edukon gjysmën tjetër, meriton mbështetje e tretmanin më të mirë. E assesi paragjykim, duke mos e konsideruar të aftë, sepse gratë kanë treguar dhe tregojnë vazhdimisht shembullin e të qenit i suksesshëm. Gratë kanë treguar ndër shekuj se mund të jenë udhëheqëse të zonja, shkencëtare të spikatura, edukatore të mëdha madje kur është kërkuar edhe luftëtare të pamposhtshme qoftë edhe përballë armikut më të rrezikshëm.

Autor: Fejzë Demiri