MYSAFIRË NË SOFRËN E AZEM SHKRELIT

0
2731

Ndue Lazri

Nga takimi letrar në Ennepetal të Gjermanisë

Pasi lëmë prapa qytetin kufitar të Bazelit, që shënon kalimin nga Zvicra për në Gjermani, autostrada fillon të ngjitet drejt veriut të Gjermanisë. Ajo që na bën përshtypje nuk është autostrada, por gjelbërimi në të dy anët e saj. Një gjelbërim i dendur, i bukur, çlodhës për syrin. Pyje të virgjëra, ku duket që nuk ka hyrë kurrë sopata e druvarit. Me drurë që alternohen nga lisat e mështeknat e deri tek ahu e pishat e larta.

Ky blerim do na shoqëronte për më shumë se 500 kilometra dhe tregonte atë kujdes të madh për ruajtjen e natyrës e të ambientit. Asgjëkundi ndërtesa anës autostradës, me përjashtim të ndonjë autogrili, apo parkimi automjetesh. Por edhe ato humbisnin mes gjelbërimit, që e amortizon aq shumë smogun e shkaktuar nga automjetet e shumta. Për të hasur qytete e fshatra duhej të kaloje një brez të tërë pyjor.

Ashtu midis pyllit e blerimit të përhershëm na u shfaq edhe qyteti i vogël Ennepetal, në rajonin e Vestfalisë, në afërsi të Dortmundit, ku do të mblidheshim në sofrën poetike të shkrimtarit Azem Shkreli, shtruar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani. Është edicioni i 10-të që organizohet në nderim të emrit dhe veprës së njërit nga personalitetet e spikatura të letërsisë e kulturës shqiptare, Azem Shkreli. Manifestimi bëhet çdo vit në përvjetorin e vdekjes së tij, nën kujdesin e shoqatës së shkrimtarëve dhe të vetë familjes së poetit të mirënjohur.

Organizatorët, Pal Sokoli e Martin Çuni dhe i biri i poetit, Valon Shkreli, presin me ngrohtësi mysafirët e ardhur nga të gjitha anët e Gjermanisë, por edhe nga Belgjika, Zvicra, nga Kosova e nga Italia, të cilët mbushin sallën e qendrës kulturore të qytetit. Në hyrje të sallës krijojnë një atmosferë të veçantë artistike ekspozita fotografike e Martin Çunit, me foto dramatike nga lufta në Kosovë, por edhe me foto nga bota e artit, si dhe ekspozita në pikturë e piktorit Shani Sejdiu. Ishin ekspozuar edhe librat e mjaft autorëve që merrnin pjesë në këtë manifestim.

Miku dhe kolegu im, Tonin Nikolli ka qenë edhe herë të tjera në këtë manifestim dhe i njeh shumë nga pjesëmarrësit e më prezanton me ta. Diku midis pjesëmarrësve më zë syri poetin dhe shkrimtarin e mirënjohur Agim Gjakova. Takohemi me përzemërsi dhe ai flet me një zjarr e energji rinore që e sfidojnë moshën e tij. Bisedojmë për disa çaste ashtu në këmbë, duke sjellë kujtime nga jeta e tij, derisa fillon aktiviteti.

Moderatorët Pranvera Gjoni dhe Pal Sokoli kanë zënë vend diku në mes të sallës dhe prej aty e drejtojnë aktivitetin, duke ftuar në skenë shkrimtarë e artistë që do të flisnin për jetën e Azem Shkrelit, por edhe për rëndësinë e organizimit të veprimtarive të tilla me dimension të gjerë kulturor jo vetëm nga mërgata në Gjermani, por nga e tërë diaspora shqiptare. Poeti Agim Gjakova jo vetëm solli kujtime nga takimet dhe bisedat me Azem Shkrelin, por foli edhe për kontributin e këtij personaliteti të madh të kulturës dhe letrave shqipe. Ai solli emocione në sallë edhe me recitimin e dy poezive kushtuar poetit të paharrueshëm.

Fjala e oratorëve të ndryshëm gërshetohet me këngë të kënduara nga Driton Gashi e Hajrie Abazi, me vallet e bukura popullore luajtur nga nxënësit e shkollës shqipe të Dortmundit, me interpretimet artistike të poezive nga Çun Lajçi dhe recitimet e nxënësve të shkollës së Hagenit.

Zëvendësambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Astrit Zemaj, i cili ka ardhur që nga Berlini për këtë aktivitet, flet për rëndësinë e veprimtarive të tilla dhe mbështetjen që u jep ambasada dhe Ministria e diasporës shoqatave e qendrave kulturore shqiptare. Nuk është një prani apo mbështetje formale, por një ndihmë konkrete edhe ekonomike, çka flet për prezencës e shtetit pranë emigrantëve shqiptarë. Mendoj se qeveria dhe diplomacia e Republikës së Shqipërisë ka se ç’të mësojë në këtë drejtim.

Në këtë takim njoha edhe teologun karizmatik, Zekerija Idrizi, i cili është autor i disa librave.

Duke folur për krijimtarinë e tij, ai vuri në dukje se çështja dhe kultura kombëtare janë ato që duhet të konsiderohen feja e vërtetë e shqiptarëve, duke ju larguar çdo fondamentalizmi apo fanatizmi fetar. Me Zekerijan do bisedonim gjatë edhe pas takimit dhe ishin interesante këndvështrimet e tij jo vetëm mbi letërsinë e fenë, por edhe për probleme të ndryshme shoqërore. Mendoj se eksponentë të tillë fetarë i shërbejnë shumë mirë e në mënyrë të efektshme tolerancës dhe bashkëjetesës midis feve, veçanërisht në këto kohë jo pak të trazuara.

E morën fjalën në takim edhe poeti Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve të Pavarur Shqiptarë në Itali me qendër në Verona, shkrimtari dhe publicisti Dibran Demaku etj.

Mjaft krijues kishin paraqitur poezi në konkursin letrar për krijime kushtuar poetit Azem Shkreli. Juria, pasi i studioi ato dhe i dëgjoi të recituara nga vetë autorët, nderoi me tre çmimet fituese përkatësisht Tonin Nikollin, Pranvera Gjonin dhe Angjelina Krasniqin. Ndërsa çmimi “Azem Shkreli” iu dha shkrimtarit Rezart Palluqi për romanin “Shtëpia me dy çati”.

Sofra poetike e Azem Shkrelit edhe këtë vit ishte mjaft e begatë. Pal Sokoli, Martin Çuni e Valon Shkreli menduan ta kalonin edhe mbrëmjen me grupin tonë, në një nga lokalet e Ennepetalit. Valoni tregon bujarinë e familjes së tij, ndërsa bëjmë biseda të ngrohta midis miqsh e krijuesish. Poetja Angjelina Krasniqi, e cila ka ardhur nga qyteti Bokum më flet për projektet e saj krijuese dhe për librat që ka në përgatitje, krijuesja tjetër kosovare Rabije Bytyçi shpreh dëshirën e saj për të marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera të përbashkëta, ndërsa Pranvera Gjoni na pyet për aktivitetet e ardhshme të federatës e të shoqatave tona në Itali, të cilat ajo i ndjek me interes dhe dëshiron të jetë e pranishme në ndonjë prej tyre.

Bie muzgu dhe dritat e ngrohta të qytetit e nxjerin më në pah bukurinë e shtëpive karakteristike gjermane. Ecim rrugëve dhe në shumë kryqëzime shikojmë skulptura dhelprash që duket sikur shetisin midis kalimtarëve.

Mësojmë se dhelpra është simbol i këtij qyteti, ndërsa dy qytetet e tjera më të afërta kanë si simbole luanin dhe gomarin. Shprehje e lidhjeve të ngushta të njeriut me natyrën, me ambientin, me faunën. Të bën përshtypje kjo lidhje midis njerëzve e natyrës në një shtet që e njohim për potencën e madhe ekonomike e industriale. Por gjermanët nuk janë vetëm njerëz të punës, por edhe të kulturës, njerëz që e duan vendin e tyre, krenohen me bukuritë e tij dhe i ruajnë ato me një përkujdesje deri në fanatizëm. Lokomotiva e Europës i jep leksione edhe në këtë drejtim kontinentit të vjetër.

Në kthim për në Itali u ndaluam për një drekë në Zyrih, ku na pritën dy djemtë e Toninit, Alkesti dhe Gjonatani bashkë me nuset e tyre. Dy amvisat kishin përgatitur një drekë shumë të këndshme me prodhime deti. Ndonëse shumë të rinj në moshë ata ditën të na bëjnë një mikpritje tradicionale shqiptare dhe të krijojnë një atmosferë shumë të ngrohtë. Ndjeja kënaqësi të veçantë tek i shikoja këto dy familje të reja të integruara aq mirë në jetën zvicerane, me shtëpitë të mobiluara me shije bashkëkohore dhe me elegancë. Edhe në bisedat e ndryshme që bëmë ata tregonin një nivel e pjekuri për ta patur zili në trajtimin e temave të ditës dhe këndvështrimet e tyre për çdo gjë. Kësisoj ata bëhen krenari jo vetëm për prindërit e tyre, por edhe për ne bashkatdhetarët, kur shikojmë te rinj të tillë të ecin suksesshëm në rrugën e jetës.
Ndue Lazri