HISTORIK 70 VJEÇAR I NJË VATRE DITURIE

0
779

Ma. Sc. Adem Ajvazi – SHFMU “Dituria” Llapashticë e Poshtme – Monografi, botim i autorit 2017

Milazim F. KADRIU

Ndonëse në frymën ideologjike pushteti komunist qysh në vitin 1946 filloi hapjen e shkollave shqipe që patën efektin e tyre. Kështu edhe në komunën e Podujevës në disa mese u hapën këto shkolla e një nga to edhe në fshatin Llapashticë e Epërme dhe në kuadër të kësaj shkolle si paralele e ndarë në vitin 1949 u hapën dy klasë në Llapashticë të Poshtme. Në atë kohë në një shtëpi private filluan punën dy klasë të kombinuara e që për mësues qe emëruar Rrahim Ramadani nga fshati Lladofc i Podujevës. Ky është mësuesi i parë i SHFMU “Dituria” në Llapashticë të Poshtme për të cilën shkollë ditë më parë u botua Monografia e saj nga autori Ma.Sc. Adem Ajvazi.

Libri monografik për SHFMU ”Dituria” të Llapashticës së Poshtme pas një parathënie të shkurtë të autorit vazhdon me një letërnjoftim për fshatin Llapashticë e Poshtme ku lexuesi ka mundësinë që të njihet sa më afër me këtë fshat duke përmend familjet që kanë jetuar dhe jetojnë aktualisht aty,toponimet e ndryshme të fshatit si dhe numrin e banorëve në periudha të ndryshme kohore. Në vazhdim pas autori sjell një historik të arsimit shqip në këtë fshat . Më pas ai flet për hapjen e shkollave shqipe në nënprefekturën e Llapit.

Ai thotë se hapja e shkollave shqipe në këtë mes ka nisë në shtator të vitit 1941. Në këtë drejtim kishte aktivitete të pandërprera në përpjekjet pwr hapjen e shkollave shqipe dhe autori përmend se më meritoret për hapjen e shkollave shqipe në komunën e Podujevës në atë kohë ishin Ismail Thaçi me shokët e tij si Mulla Hamit Pakashtica, Hoxhë Visoka etj.

Më pas ai flet për kontributin e llapashticasve për ndërtimin e shkollës në vitin 1965/66 e për shumë aktivitete tjera.
Në vazhdim të librit Ajvazi sjell biografit me foto të mbi 100 punëtorëve arsimor që kanë punuar në këtë vatër diturie e cila në vitin 1998 me vendim të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës u pavarësua nga shkolla e Llapshticës së Epërme dhe mori emrin “Dituria”.

Në vazhdim Ajvazi sjell edhe biografitë e shkurta të dy doktorantëve që mësimet e para i morën në këtë shkollë, Dr. Ramadan Zejnullahu dhe Dr. Mehdi Halimi.

Në pjesën fundit Ajvazi sjell faksimile të dokumenteve të ndryshme dhe mirënjohjeve të fituara për punë të suksesshme të shkollës dhe nxënësve të saj si dhe disa foto të gjeneratave të ndryshme të nxënësve të kësaj shkolle.

Autori i kësaj monografie ka botuar edhe pesë libra tjerë : ( NDSH në Llap Mulla Ramë Govori 1945-1949, Partia Nacional Demokratike Shqiptare në Llap 1949-1953, Muhaxhirët e Llapit, Orientalizmat në Llap, Integrimi i muhaxhirëve në Kosovë 1878-1955 ).