Ra ky virus dhe s’u pamë

0
814
Gëzim Loka

Nga Gëzim LOKA

Ra ky virus dhe s’u pamë
Humbëm nën tendë qortimi
Dita dhe nata nuk kanë më kuptim
As gjumi, as ëndrrat, as zgjimi…

Vetëmbyllur në heshtje vetmi,
Tjerrim dhe tjerrim mendime,
Nga goja na rrjedhë vreri i zi
Dhe fjala i humbi trajta e kuptime.

Thonë e krijuan virusin vrastar
Manjatë farmacishë në labaratore
E hodhën mes njerëzve si të ligën farë
Të vrasin jetën, me mjete mizore.

Të fitojnë miliarda manjatët e kapitalit
Njerëz të pashpirt, që perëndi kanë paranë,
Monstrat mizore, vegla të vetë djallit
Në dhimbje e stres fundosën dynjanë…

Shqipëri e vogël, një hartë me pendime
Leckosur në rrugë fati të trishtë
Të erdhi kjo flamë, të shkaktoi dhimbje
Vetëkarantinimi doli në pistë…

Të mbyllemi brenda po çfarë të hanë
Njerëzit e varfër, pa punë e shpresë?!
Syrin bëjnë qorr ata që shumë kanë
Veshin të shurdhër presin në kthesë…

Presin që dhe nga kjo mënxyrë
Të nxjerrin fitime, të majmen mizorët
Ndërkohë që uria ka çmim të lirë
Dhe të pamjekuar vdesin sherbetorët…

Shqipëria ime, një grusht me ëndrra
Cilën të zgjedh më të mirën për ty?
Për kokën tënde ditë e natë horrat
Përbetohen dhe të nxjerrin ujë të zi…

Përbetohen për besnikëri me jetë
Dhe puthin flamurin me lotë në sy…
Dhe vetëm me paranë janë të vërtetë
Kur i numërojnë miliardat në vetmi…

Dhe flasin e flasin për coronavirusin
Sikur zemra iu dhemb nga hall i shqiptarëve
Lekët në konto të dyshimta i fusin
Është kohë e hipokritëve, epokë e barbarëve…

O popull i mjerë, popull i pa fat
Që dergjesh në sëmundje dhe uri
Një dorë të ngohtë askush nuk ta zgjat
Askush nuk të fal ty pak dashuri…

Ra ky coronavirus e humbëm në mjegull
Në rrugëtimin më të lodhshëm drejt vetes…
Secili prej nesh një buqetë dashurie
Të falë tek tjetri, në emër të jetës…

Ra ky coronavirus dhe s’u pamë
Vetmitarë të vetëmbyllur në shtëpi
Era i mori të gjitha çfarë thamë
Ndaj duhet të flasim, të flasim përsëri…

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar