GJEOHISTORIA E VENDBANIMVE TË MORAVËS SË BINÇËS DHE KARADAKUT TË VITISË

0
2068

Shkruan: Isak A H M E T I

Kohë më parë autori Feri Arifi nxori në dritë librin e tij të radhës me titull: GJEOHISTORIA E VENDBANIMEVE TË MORAVËS SË BINÇËS DHE KARADAKUT TË VITISË, Prishtinë, 2017, fq. 609. Pas botimit të studimit monografik: Tanusha në rrjedhat e historisë, Tetovë, 2015, ku u dëshmua si studiues i pasionuar dhe hulumtues i palodhshëm i terrenit, duke krijuar baraspeshë mes faktografisë së terrenit me të dhënat që vjel, në mënyrë mjaft kritike, nga librat (Ramadab Musliu), Feri Arifi vjen me librin: Gjeohistoria… ku për objekt trajtimi ka 23 fshatrat e regjionit në fjalë si: Sodovina e Jerlive, Vërbani, Gushica, Begunca, Lubishta, Migilla, Vërbovci, Gërqari, Gjylekari, Remniku, Podgorci, Letnica, Shoshara, Vërnakolla, Vërrnezi, Zagragja, Ramnishta, Buzoviku, Debelldehu, Mjaku, Shushtë, Korbliqi, Drenogllava.

Në këtë libër që është mjaft voluminoz, interesant dhe me vlera shumështresore, autori ka shtruar, me mjaft pedantëri, një problematikë sa të gjërë aq edhe komplekse, që nga gjeografia e fshatrave, përshkrimi i territorit, paraqitja e konfiguracionit të këtyre fshatrave, si reliefi, hidrografia, klima, përbërja morfologjike e tokës, llojllojshmëria e florës, faunës etj.

Librit në fjalë, që shoqërohet me shumë foto interesante dhe me vlerë historike, si dëshmi të padiskutueshme, i paraprin një Parathënie përmbajtësore e Ramadan Musliut, emër shumë i njohur në letrat shqipe (fq.5-8), ku, ndër të tjera, thekson edhe faktin se autori i librit në fjalë,Feri Arifi, përmes qasjes historiografike ka identifikuar dhe afirmuar shumë lokacione të hershme si kala të hershme, prej të cilave ka mbetur ndonjë mur apo gërmadhë gurësh e veçmas tempujt fetarë të të gjitha periudhave, temujt paganë mbi të cilët janë mbindërtuar së pari kishat e pastaj edhe xhamitë sikundër edhe lokacione të shumta të varrezave tumurale… Një hapësirë të merituar në këtë libër, siç e ka vënë re Ramadan Musliu, zë qasja autoriale që autori i bën historisë religjioze, por edhe etnike, simbioza e tyre… (fq. 6).

Autori në fjalë, Feri Arifi, duke demaskuar me argumente një politikë të tërë sllave-ruse, flet edhe për fenomenin e asimilimit të popullatës së kësaj ane. Duke e trajtuar procesin e asimilimit, autori është ndalë, në mënyrë paksa më të veçantë, edhe në tjetërsimet etnike te shqiptarët katolikë, që asimilohen, për fat të keq, në kroatë siç është rasti më eklatant me banorët e Vërnakollës, etj. si pasojë e klerit katolik kroat por edhe të pushteti serbo-sllav. Një segment i veçantë i këtij studimi është ai i pasqyrimit të pranisë së popullatës të etnive të ndryshme në këtë areal gjeografik.

Por përmes një hulumtimi shumë të kujdesshëm dhe të pasionuar, autori ka arritur në përfundimin se ky territor që nga hershmpria është i populluar me etninë shqiptare ku elementi sllav-kroat është i vonshëm dhe si sasi e pakët(fq. 7). Duke u nisur nga dëshmitë e hershme, autori ka rikonstruktuar format e shfaqjes së identiteteve kulturore, etnike por edhe i veçantive antropologjike të popullatës, për të arritur në kohën tonë, duke ruajtur shumë shenja të identitetit konstant dardano-shqiptar.

Këto tipare, sipas autorit në fjalë, shfaqen në mënyra të ndryshme e në veçanti në planin etnografik, në kostumet, në etnomuzikën, në mitologjinë, ritet dhe zakonet konstante që nga hershmëria deri më sot (fq.8). Pas Parathënies së Ramadan Musliut, që është si një VADE MECUM për të hyrë në brendinë e librit dhe vlerat e shumta që ka, kemi një Hyrje, poashtu interesante dhe me vlerë të autorit të librit, ku, ndër të tjera, thekson se larushia ose laramania kulturore pra edhe ajo etnike shqiptare, historiku shqiptar i i kësaj hapësire janë të pranishme në të gjitha fshatrat që janë trajtuar në këtë libër.Elementet etnike shqiptare shpërfaqen në gjithë këtë hapësirë pagane, katolike, ortodokse e myslimane dhe në forma më të ndryshme duke dëshmuar zhvillimin historik, por edhe shqiptarët si faktor të vazhdueshëm historik në këtë areal të rëndësishëm për gjithë historinë e Gadishullit të dikurshëm ilirik (fq. 12).

Siç e ka vlerësuar me të drejtë edhe recensenti i këtij libri, Dr. Qazim Nimani, autori Feri Arifi, me fakte të argumentuara, edhe përmes shumë fotografive, kujtesës së popullit dhe dokumenteve historike e publicistike ka zbardhur, mbase për herë të parë (vërejtja ime), autoktoninë e popullit shqiptar në vendbanimet e Moravës së Bunçës dhe Fshatrave të Karadakut në Komunën e Vitisë, duke sjellë risi dhe fakte të pamohueshme për identitetin kombëtar, i prirë nga ideja për t’i kontribuar vetëdijesimit të popullatës dhe të vërtetës historike. Shumica e burimeve dhe dëshmive nga terreni, thekson Dr. Qazim Ninani, ofrohen për herë të parë nga autori i librit, Feri Arifi, i cili i sistemon me gjuhën e stilit shkencor e që e bën këtë vepër të vlefshme por edhe të mirëpritur për lexuesin. Ky libër, jam më se bindur, me strukturën dhe përmbajtjen që ka, do të nxisë dhe frymëzojë për studime edhe më të thelluara, gjithsesi, të një problematike sa intersante po aq edhe komplekse.