Zyber Paci, një zë origjinal i këngës dibrane dhe më gjërë

9
1520

Në foto: Këngëtari Zyber Paci

Nga Dukagjin HATA

Nga fëmijëria e largët, më ka mbetur në mendje një varg epistolar, pjesë e një kumti lirik të papërësëritshëm. “Ma ka zanë jaranin gjumi/m’i ka zanë flokët përfundi”… M‘u zgjua ky varg nga folklori dibran sot tek ndiqja ecurinë e këngëtarit dibran Zyber Paci, një zë kryesisht lirik, që në këngët e tij përcjell ritmet e ndezura muzikore të një treve këngëdashëse, shpirtin më të thellë të etnosit dhe shpirtit kolektiv dibran.

Në këngët e zgjedhura për intepretim, të krijuara apo pjesë e trashëgimisë muzikore dibrane e më gjërë, në zërin e ZyberPacit, mbartet psikologjia e lirizmit të trevës nga vjen, që dashurinë, erotikën, dasmën, harenë dhe gazin që të sjellin kënga dhe vallja, e ka në themelin e etnosit natyral, të trashëguar apo të krijuar në këto vite të çlirimit të madh të artit muzikor nga tabutë dhe kufizimet.

Në vazhdën e ikonave të muzikës popullore dibrane si Hazis Ndreu, Melita Shehu, Arif Vladi, Qerim Sula, Lirie Rasha, Saje Poleshi, Sherif Dervishi, gjer tek më të rinjtë si Zaim Tollja, Lirim Hoxha,Hajredin Gjeta, etj, emri i Zyberit Pacit përcjell një histori më vete performance dhe suksesi.
Këngët e tij janë burimore të mirëfillta të folkut, edhe në rastet kur përpunimi i tyre i nënshtrohet sprovave profesionale të kompozitorëve të njohur dhe të studiove muzikore.

Këngët më të arrita të interpretuara prej tij janë ato dibrane, por ka sukeses dhe origjinalitet edhe kur këndon me pasion dhe me jone aq të ngrohta këngët shkodrane, korçare, këngë të trevave historike të Kosovës martire dhe këngë të tjera nga repertori i këngëtarëve të njohur të muzikës popullore shqiptare.


Loading…


Më ka bërë përshtypje një këngë e interpretuar prej tij, për shkak të risjelles që këngëtari i bën asaj në kohë, veçmas tani, në këtë përvjetor lavdie e pavdekësie. Është fjala për këngën e mirënjohur “Skënderbeu“. Kënga e vjetër “Skënderbeu“, e interpretuar prej Zyber Pacit, me sharm dhe dinamikë rinore, siç është rasti në fjalë, për të na përcjellë madhështinë e figurës kryeikonë të kryeprincit të Arbërisë, tregon mundësitë e këngëtarit, për të kënduar të gjitha zhanret e këngës, popullore apo të kultivuar, që nga folku i mirëfilltë dhe varacionet moderne të tij, gjer tek këngë të tilla eposike, me ngarkesa dhe vibrime operistike.

Me origjinalitet Zyber Paci ka kënduar dhe këngët “O moj Dibër, Dibra e kuqe“, “Mirë se erdhët o dasmorë“, “Nji ditë gushti“, këngë këto që duhet thënë se përbëjnë disa maja në repertorin e këngëve të tij.
Zyber Paci ka qenë i pranishëm në disa shfaqje dhe interpretime, në skena dhe ekrane televizive, ku me atë zërin e tij të ngrohtë e kumbues, është veçuar si një këngëtar me dhunti dhe përgjegjësi artistike.

Lindur dhe rritur në fshatin Cerjan të Dibrës, ai e ka mbartur këngën me vete, gjatë rrugëtimit të tij jetesor e muzikor, ka mbartur ritmet dhe meloditë e maleve, të mbrujtura nga pasioni, që u duk qysh në fëmijërinë e tij të hershme, për të vazhduar në adoleshencë dhe për të kulmuar sot në moshën e burrit të pjekur, ku bën pjesë në aradhën e këngëtarëve me shpirt të ndezur nga meloditë, të cilët tentojnë t’ua japin zemrën në dorë fansave dhe ndjekësve të tyre.

Në zërin e Zyber Pacit spikat një gjallëri e pazakontë, pasqyrë e psikologjisë estetike të trevës nga vjen, një timbër i ëmbël plot thyerje dhe dritëhije, që duket sikur zbret nga lartësitë e Kobrabit kryelartë drejt orteqeve të borës, ujëvarave dhe katarakteve.
Ai këndon në gëzime e dasma, fejesa e gosti, me miq e shokë, në evente artistike e ngjarje jubilare dhe ka një repertor vërtet të pasur këngësh, që nga populloret e mirëfillta tek ato qytetare, të cilat anojnë nga moderniteti.

Pavarësisht se mundësitë financiare për t’i rikrijuar këngët në studio, pjesë e një procesi sa teknik e profesinal, aq dhe financiar, ashtu si mjaft këngëtarë të njohur apo më pak të njohur, i ka të kufizuzra, ZyberPaci bën çfarë mundet, që pasionin e tij ta mbajë gjallë e ta përcjellë tek artdashësi me gjithë fuqinë e talentit, zërit dhe shpirtit të tij muzikor.

9 KOMENTE

  1. Une jam Eriona Metalla. Zyber Paci eshte nje kengetar qe une e degjoi me shume deshire. Ai ka nje ze te emebel e te shtruar, qe te ben per vete. Megjithese nuk eshte shume i njohur, per mua eshte nje nga kengetaret me te mire te muzikes popullore.

  2. Nuk e kisha degjuar, por kur lexova shkrimin e z. Hata, e kerkova emrin e Zyber Pacit ne youtube.com dhe e gjeta. Me pelqeu shume. Qenka kengetar me nje ze te veçante.

  3. O Zyber Paci, te kendofte jo vetem goja, por zemra e shpirti, se e ngrite me zerin tend Dibren e kuqe ne lartesite e meritueme te Nante maleve te saj krenare!

  4. Nuk e dija qe Zyber Paci eshte nga Cerjani. Ne Cerjan kam dajat e babes, jane njerez te mrekullueshem. Te kendofte zemra zyber!

  5. Dibra maja maja, siç thote ajo kenga, ka rrit burra te pushkes te penes e te kanges. Kur degjon kengetare si Arif Vladi, Qerim Sula, Lirie rasha, Zyber Paci, ndihesh krenar qe je dibran, nga kjo treve burrash trima, te talentuar e dinjitoze.

  6. Kendo Zyber te lumte goja/kendo e mbro fitoret tona! Ha-ha-ha-ha! Po bej shaka, se jeni vertet nje kengetar i mrekullueshem.

  7. O Zyber, a me mban mend? Kemi kenduar dikur bashke. Hajde ç’te kenduar qe kemi bere! Je i pa pare!

  8. Ju falenderoj per konsideraten, qe keni per mua, dhe ju uroj te gjitha te mirat në falmilje…

Komentet janë mbyllur.