Tre poezi nga Nikoll N. Ulndreaj

0
1050
Nikoll Ulndreaj

Nikoll N. Ulndreaj, mik i gazetes “Fjala e Lire”, krijimet e ketij poeti jane vertet magjepëse, te lakmueshme per lexuesin. Rrjeshtat rrjedhin njeri pase tjetrit, per te arritur ne nji perfundim, perfundim qe mban nenshkrimin Nikoll. N.Ulndreaj.
/Gj. Musa, gazetar

DODONA

Dodona, o moj Dodona
Ti je hënë e orëve t’vona
Vesh jelekun e mitanin
Përmbi gju e mban fustanin
Po e çmend dynjanë me naze
Duke tund njatë gisht unaze
Një rrem floku fije-fije
Si zambaku t’paska hije
Ti je lumë e det me vala
Kurë po vesh fustan me pala
Kurë po vesh pantallona
Bëhesh hënë e orëve t’vona
O Dodona, moj rreze hanë
Lozonjare çmende dynjanë
Pse e tund njatë gisht unaze
E me të puth ti po bën naze.
Fund me pala, këpucë me taka
Mbylli sytë se më dogji flaka
Ndale hapin se fundin prishe
Nxjerr ka zogu kryet prej këmishe
Bukur mirë ma ke luajt lojën
Me m’puth s’mund t’heq bojën
Buzë tua m’mbesin te gusha
S’mund ti heq, i sheh Tanusha.
Dodona, o moj Dodona
Ti je hënë e orëve t’vona
Vesh jelekun e mitanin
Përmbi gju mban fustanin…

———————————–

KUR TË ZGJOHESH NË MËNGJES

Kurë të zgjohesh në mëngjes
Me të qeshurat e bujshme në buzë
E mrekullueshmja ime çapkëne
Vetëm një çast më duhet, një çast i vetëm
Sa ta ledhatoj fytyrën me shami të mëndafshet flladi
Aty ku era i vënë pëllumbat në gjumë
Pastaj… dashurinë ta shkri si akullore
Në sythin e një puthje që rri zgjuar në lutjen e një luleje të brishtë
Që shëron plagët e së kaluarës në kujtesë
Me petale të lara me dritë e ëmbëlsi ëndrre
T’mos zgjasin përgjithmonë në ekzistencën tënde
Ethet e vetmisë tërë ankth
E lule harrese prej akulli
Gjithçka është e mundur përgjatë rrugës të gjesh lule plot ngjyra
Lule që këndojnë në drurë si trishtilat
E të shikojmë në sy
Sharmin e një buzagazi të pashtershëm
Që zgjojnë pasionin e shenjtë
Ti jep jetës krahë e ngjyra
E mos ti shkasin këmbët në akullin e lotëve të syve tu
Me një buzëqeshje të zambakët
Jepi shkëlqim e emocione fjalës si shpirti i një poeti
E krahë të bardhë të fluturojë nëpër qiej
Të kap anën e ndritshme të një pike loti
Që rrjedh nga dhembja
Kurë të zgjohesh në mëngjes e mrekullueshmja ime çapkëne.

Tiranë me dt. 18.01.2017

———————————

DIKUR

Dikur ti lodroje livadheve me kalë
Ata sy të shkreptini si harqe rrufeje
Bari gjelbërosh fërfëllinte valë-valë
Nga pas të ndiqte kaprolli i një reje
M’u shfaqe si engjëll e shtojzovalle
Dhe si zog, si thëllëzë, po si dhe lule
Qiellin mbi gjunjë si statujë e ule
Unë heshta, ti hidhje me statujat valle
Të desha me gjithë shpitë moj atëherë
Deti i shpirtit trazuar s’gjente paqe
Netëve hënore desha të puth në faqe
Nga pas të ndiqja po ti më bëheshe erë…

Dergoi per publikim Gjin Musa, gazetar