SJELLJA ÇMENDURAKE E PD-së DHE FITORJA ABSOLUTE E RAMËS…

0
608
Edi Rama

Rama ndihet i qetë, me pushtetin absolut që ka marrë

Arben Çokaj, 21 qershor 2019

Vizioni i Edi Ramës për Shqipërinë, dihet, nuk mund të bëhet realitet, nëse ai nuk e ka pushtetin e duhur, për ta realizuar atë. Dhe Rama ka vite, që po punon për ta siguruar pushtetin dhe mund të pranohet, se i ka ecur më mirë se ç’mund të pritej. Para zgjedhjeve të vitit 2013 e më pas, Rama i ra kryq e tërthor Shqipërisë dhe sot e njeh Shqipërinë në çdo cep të saj. Me siguri ai e ka menduar edhe këtë: “Ky është domaini im”! Dhe ja, dalëngadalë por sigurtë, Rama po arrin të marrë pushtet absolut në Shqipëri, në qeverisjen qendrore dhe lokale të saj. 100 votat në Kuvend për shkarkimin e Metës, ishin një indikacion i qartë, se Kuvendi i Shqipërisë është tashmë plotësisht i kontrolluar nga PS dhe kryetari i saj – dhe me largimin e Metës, merr edhe Presidencën. Mund ta urresh Ramën, mund ta shash, por nuk mund ta injorosh suksesin e tij politik. Partia Socialiste duhet t’i jetë mirënjohëse atij, për kontributin gjigand që ka dhënë.

Largimi i PD-së dhe opozitës shqiptare nga Kuvendi, kulmon marrëzitë politike të Partisë Demokratike në vite, dhe të liderit autokratik të saj, Sali Berishës. Me atë veprim, Berisha tregoi se e ka ende nën kontroll të plotë partinë e tij, dhe se tani po e hedh në rrugë, me idenë se po gjeneron një realitet virtual “stuhi në gotë” dhe po e bën Ramën automatikisht si Maduron. Por Rama nuk bëhet diktator, se do Saliu. Rama bëhet diktator – dhe këtu duhet të tregojë kujdes, se pushteti absolut të nxit në veprime të tilla – vetëm nëse Rama bën veprime diktatoriale, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Rama psh. nuk ka vrarë ende njeri si Saliu, e uroj të mos e bëjë. Ndryshe do të ishte puna, sikur Saliu tani të ishte në vend të Ramës, do shtypte kafka përditë, pasi parabola destruktive e Saliut është aq e madhe, sa shpeshherë dyshohet për skizofreni, ose si lojë e zgjatur e shërbimeve anti-shqiptare. Edhe veprimi i fundit i Saliut, për ta lënë vendin pa opozitë, ishte një ndër shërbimet më të këqia, që ai i ka bërë vendit – një atentat vetë-flijues për demokracinë shqiptare. Saliu me destruktivitetin e tij natyral ka ndikuar mjaft mendje të paditura e destruktive shqiptare, të cilat i ushqen përditë me marrëzi dhe me ndjenja anti–shtet.

Opozita ia dhuroi të gjitha pushtetet PS-së, me idenë se po e ndihmon Perëndimi

Sjellja e opozitës është një tregues i qartë se ata nuk dinë politikë. Ata po tregojnë se janë diletantë, të korruptuar, të trembur dhe të paaftë për ta konkurruar Ramën, e kështu u tërhoqën për ta ‘prekur’ Ramën në sedër, që edhe ai të tërhiqet. Pyetja është, pse duhet të tërhiqet Rama?

Ka ngjashmëri të madhe mes kësaj që po bën opozita shqiptare kundër Ramës, me demokratët në SHBA, kundër Trump. Edhe demokratët në SHBA duan që Trump të ikë, por jo, Trump ka shumë shanse të fitojë edhe një mandat të dytë… E kështu mendoj se do të sillet edhe Rama, kur e sheh se mund të fitojë me lehtësi. Por ndërsa diskutohet përditë në media e më gjerë rreth politikës shqiptare dhe secili jep mendimin e tij, jo për përgjimet e ekspozuara nga gazeta Bild.de, për korrupsionin në Shqipëri, për kapjen e pushteteve nga Rama, për drogën etj. pak bëhet realisht, për ta ndaluar Ramën, që të marrë pushtet absolut, aq më tepër tani.

Perëndimi do një Shqipëri stabile, ai nuk lidhet pas emrave Berisha apo Rama, por te Rama ata kanë gjetur një partner, që i dëgjon më shumë (ose bën sikur) dhe që premton më shumë. Pastaj të mos e marrim Perëndimin, SHBA e BE, se shqetësohen për ne, më shumë se për veten e vet. Ne na pëlqen ashtu, por jo. Ata respektojnë institucionet e dala nga vota e popullit, pasi kanë një përvojë të gjatë me demokracinë, e dinë se ka probleme e kontestime, por vota e popullit ua mbyll fjalët atyre apriori. Dhe në mes Ramës kryeministër – i zgjedhur me votë dhe rrugës së opozitës, është dashur të dihet më parë kjo, që Perëndimi do të mbështesë Ramën dhe institucionet e dala nga vota e popullit, sado që për kthesën e gabuar të opozitës, kjo përbën tradhti. Prandaj, Kuvendi tek ne është legjitim, qeveria është legjitime, por edhe zgjedhjet me 30 qershor janë e do të konsiderohen nga Perëndimi si legjitime. Atëherë, kur do të mbushet mend opozita e PD-së dhe gojë-çafka Monikë, se nuk i përkrahë kush në marrëzinë e tyre?! Si ia kanë nisur, këta do të shkojnë aq larg në këtë kthesë të gabuar, prirje irracionale, sa do të armiqësohen me të gjithë, që nuk do i kuptojnë e nuk do i mbështesin. E kjo do i çojë edhe më shumë në vetë-shkatërrim.

Trashëgimia politike e Ramës do e presojë shoqërinë tonë për dekada

Një nga synimet e Trump gjatë fushatës ishte emërimi i gjykatësve të Gjykatës Supreme të Amerikës, pasi ata rrinë me dekada aty, derisa dalin në pension. E kështu pasi Trump fitoi, ka emëruar dy gjyqtarë supremë dhe qindra gjykatës federalë në SHBA. Ish kryetari i Kongresit, Gingrich thoshte se mbështetësit e Trump do e kenë në dorë Partinë Republikane për dekada. E kjo duket se do të jetë e vërtetë. Dikush thotë se demokratët do e shkarkojnë Trump, por si mund ta bëjnë këtë, kur ai nuk ka bërë krime, dhe kur Gjykata Supreme ka shumicën e emëruar nga republikanët? Pra, nuk ka shans. Dikush thotë gjithashtu, se edhe kur të largohet Trump nga President mund ta dënojnë, por prapë jemi pak a shumë në të njëjtat kushte.

Por si sillet situata me Drejtësinë tek ne, në Shqipëri? Shiko kryeprokuroren e fol vetë. Duke e parë Kuvendin e dominuar nga PS, Arta Marku me të drejtë, ka marrë edhe ngjyrat e saj, mavi. Ajo synon një mandat të plotë si kryeprokurore dhe e di se kush e ka në dorë ta bëjë këtë. Po të ishin PD në vend të PS-së, me gjithë këtë pushtet në Kuvend, edhe Arta me siguri se do të kishte veshur një bluzë blu. Pra, mos ushqeni iluzione kot, njerëzit ndjekin gjithandej pushtetin, jo vetëm tek ne…

Arta MarkuArta Marku ndjek pushtetin, edhe në ngjyrat e tij

Kështu që frika e brendshme e PD-së dhe e gojë-çafkës ishte se Rama po kap Sistemin e Drejtësisë me Reformën në Drejtësi. Në fakt do e kishte qenë më e vështirë, se institucionet e Drejtësisë janë bi-partizane. Por tani Rama ka më shumë shanse për ta bërë këtë, se tërheqja e opozitës ia ka lënë të gjitha në dorë Ramës, jo vetëm timonin, por edhe kamionin. Kundërshtia e pavetëdijshme e PD-së për Reformën në Drejtësi po kthehet realisht në bumerang për ta. Tani PS do i kapë me të vërtetë të gjitha organet e drejtësisë, se ia lanë vetë në dorë dhe për dekada do e sundojnë drejtësinë tonë këta gjykatës e prokurorë, që do të emërohen tani.

Ka zëra të parëndësishëm, që thonë se Rama do paguajë për këtë që po bën, etj. etj. Por jo, bëhuni racionalë, në Shqipëri si gjithkund, dënon prokuroria e gjykatat tona, e këto nuk kanë si ta dënojnë Ramën, as sot e as nesër. Është Rama, ai që do i dënojë të tjerët, me pushtetin që ka, kështu që vetë ia latë në dorë, tani shani sa të mundeni, se nuk u dëgjon kush. Kështu është kur sillesh si diletant në politikë dhe ia dhuron si pa të keq pushtetin absolut tjetrit, me idenë se po e ‘prekë’ në sedër… Dhe më e keqja është, se ende nuk e pranoni gabimin, dhe i suleni secilit prej nesh, që po përpiqet t’ua hapë sytë, që ju t’i thirrni mendjes!

Dje humbi Voltana ‘molotovi’, në një përballje me forcat speciale, pasi politika opozitare ka dalë tashmë në rrugë, e frymëzuar edhe nga demonstratat e jelek-verdhëve në Francë. Ajo e di se Shkodrën e kishte fituar, por i duhej të merrte pjesë në zgjedhje. Nuk e la PD. E tani si shërbëtore e bindur, si ushtare e PD-së, ajo nuk ka çfarë i bën gomarit dhe po i bie samarit, sikur ia ka fajin Rama asaj, se PD nuk mori pjesë në zgjedhje, me idenë se po destabilizon vendin dhe po rrëzon Ramën…

Politika përveç pasionit e ndjenjave, ka nevojë për një mendje të fortë e analitike. Duhen analizuar punët, ku po më del një veprim i caktuar. Dhe me këtë që ka bërë PD e opozita shqiptare, janë bërë opozita më e mirë në botë për Ramën dhe pushtetin absolut të tij, sa Rama mezi mban barkun duke qeshur nga marrëzia e tyre. Se tani ata munden vetëm të shajnë, të kërcënojnë dhe t’ia flladisin pak …, se asgjë politikisht, absolutisht asgjë, nuk mund t’i bëjnë…