Telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të studiuesit Riza Sadiku

0
572

Telegram ngushëllimi i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit“ me rastin e ndarjes nga jeta të studiuesit të vyer Dr. sc. Riza Sadiku

Lajmi për kalimin në amshim të studiuesit të vyer dhe bashkëpuntorit të shoqatës “Trojet e Arbrit“ tash e pesëmbëdhjetë vjet me radhë, pa u ndalur asnjëherë, na erdhi si një vetëtimë pikëlluse. Dr. Riza Sadiku ishte njëri ndër ekspertët më të mëdhenj shkencorë të historisë shqiptare, veçanarisht të Nacionalizmës Shqiptare. Ai asnjëherë nuk u ndal në shkrimin e historisë shqiptare. Zyra e tij ku punonte si dhe shtëpia e tij ku banonte ishte e mbushur përplotë me dokumente dhe libra shkencorë. Dr. Riza Sadiku ishte historiani, i cili e shkroi historinë shqiptare pa dallime fetare, krahinore dhe rajonale.

Ai me përkushtimin më të madh, si një studiues i zellshëm dhe atdhetar, punoi natë e ditë që ta ndriçojë historinë e vërtetë shqiptare. Për pesëmbëdhjetë vjet me radhë ai botoi mbi njëzet punime shkencore në enciklopeditë historike, që ka botuar dhe po boton për çdo vjet Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit“. Ai në vitin 2018 mori pjesë në tri sesionet shkencore, që organizoj Shoqata “Trojet e Arbrit“ në Prizren, Lezhë e Gjakovë dhe u shqua me përkushtimin dhe pedantërinë më të madhe prej një studiuesi të zellshëm.

E nderuara familje e Dr. Riza Sadikut,

Ne emër të shoqatës së intelektualëve shqiptarë, ju shprehim ngushëllime të përzemërta për humbjën e prindit, bashkëshortit dhe vëllait tuaj! Veprimtaria shkencore dhe atdhetare e Dr. Riza Sadikut do të kujtohet nëpër të gjitha brezat. Riza Sadiku edhe pse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Kosovë, duke ia kushtuar shkencës shqiptare, ai vinte nga një pjesë e ndarë e Shqipërisë Etnike, e cila ka vite që ishte ndarë nga trualli arbëror. Në gjenin dhe punën tij kombëtare ishte e shquar edhe ajo qëndresa e pandalur e një Kërçovari atdhetar, i cili me plot përkushtim punonte edhe shumë tema lidhur me ngjarjet historike në Maqedoninë shqiptare, duke shkruar studime për Xhemë Gostivarin, Mifailat e Zajazit dhe shumë tema, që kanë të bëjnë me historinë e nacionalizmës shqiptare në Maqedoni.


Shoqata “Trojet e Arbrit“ me kalimin në amshim të Dr. Riza Sadikut ka humbur njërin ndër shtyllat më të forta të shkencës. Ai ishte historiani i urtë dhe punëtor që punonte natë e ditë, që historia jonë shqiptare të shkruhet ashtu siç ka ndodhur.

Shoqata “Trojet e Arbrit“ ngushëllon familjen, farefisin, studiuesit shqiptarë dhe në veçanti studiuesit e shoqatës “Trojet e Arbrit“, për humbjen e studiuesit tonë, i cili u shqua për ta shkruar historinë shqiptare edhe atëherë kur kërcnohej nga rrymat e ndryshme politike në Kosovën e pasluftës.

Shpirti i tij pushoftë në paqe, kurse vepra e tij prej dritë jetës e deri tek dritë vdekja i ka mbetur e shkruar historisë shqiptare. Ka mbetur e shkruar nga studiuesi atdhetar, i cili mblodhi copëzat e shpërndara të nacionalizmit shqiptar dhe i bëri bashkë në botimet e tij, pa harruar asnjëherë gjakun e shenjtë arbëror, që gjindet në diasporë dhe që ka vepruar për shqiptarinë. Dr. Riza Sadiku një kohë të veçantë të studimeve shkencore ia kushtoj edhe diasporës shqiptare.

Në emër të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit“, ju ngushllojnë:

Mr. sc. Nue Oroshi, Kryetar
Dr. sc. Besim Morina, Nënkryetar