TASH ËSHTË MOMENTI I LLOGARIDHËNIES

0
729

Thirrje per reforma të brendshme në LDK

Shkruan: Shefqet DIBRANI*)

LDK-ja që drejtohet nga Isa Mustafa në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 2017, pësoi një humbje të ndjeshme, por askush nga Kryesia e LDK-së nuk dha llogari për këtë dështim politik. Sikur nuk u ngopën me këtë dështim, por nisen aventurën për dështimin e radhës i cili lidhet me krijimin e një subjekti brenda LDK-së të quajtur “LIDHJA.”. Kjo LIDHJE nuk arriti ta mashtroj elektoratin e LDK-së i cili tashmë i irrituar nga kjo kryesi, ndikoi drejtpërdrejt për humbjen e LDK-së në Ferizaj, Suharekë dhe në Kamenicë.

Edhe pse ky klan në krye me Isa Mustafën LDK-në e tkurrën deri në këtë masë, duke pësuar edhe më tej rënie në zgjedhjet për pushtetin lokal të datës 22 tetor 2017. Edhe pas këtij debakli Isa Mustafa dhe Kryesia e LDK-së nuk e kanë ndërmend të japin llogari, qoftë duke u larguar nga Kryesia.

Tashmë po dihen se shkaktari kryesor për dobësimin e LDK-së është Isa Mustafa, bashkë me Kryesinë Qendrore të LDK-së. Padyshim, kryetari i LDK-së është fajtori kryesor prandaj ai duhet të ik nga LDK-ja. Por Isa Mustafa nuk e njeh kodin moral të dorëheqjes nga një post politik, prandaj ai duhet të shkarkohet nga kryetari i LDK-së. Po ashtu duhet t’i pamundësohet zëvendësimi i tij me dikend nga kryesia qendrore të cilët bartin përgjegjësin po aq sa Isa, për shkatërrimin e LDK-së, prandaj nga LDK-ja duhet të shkojë komplet kryesia e LDK-së dhe menjëherë duhet të shkarkohet edhe 70% i KP të LDK-së.

Nga strukturat udhëheqëse në LDK duhet të japin dorëheqje të gjithë ata që janë zgjedhur në mënyrë jo legjitime e këtu bënë pjesë stafi teknik në Presidencën e Fatmir Sejdiut, të cilët në mënyrë anti statutare janë kapërthurur në krye të LDK-së. Pastaj duhet të ik nga LDK-ja edhe stafi teknik i Isa Mustafës sa ishte Kryetar i Komunës së Prishtinës si dhe të gjithë ata që kanë ardhur nga Kolegji RIINVEST dhe nga Shoqëria Civile. Nuk është fjala për t’i larguar nga LDK-ja, por për t’i risocializuar ju duhet përvoja dhe duhet ndërtuar si duhet edhe bazën deleguese në nëndegët dhe degët e LDK-së dhe të ndërpriten praktikat e gjertanishme.

Po ashtu në vendet udhëheqëse nuk mund të zgjedhën as zëdhënësit, as tellallët e komplekseve udhëheqëse të Isa Mustafës, e as ata të cilët në funksione politike kanë ardhur duke iu shmangur rregullave për avancim të brendshëm politik.

Reformat në LDK, nuk mund t’iu prijnë as ata që kanë akuza të hapura, as ata që kanë afera publike, e as ata që me metodat e nëntokës vetëm janë emëruar nëpër funksione politike pa qenë kurrë anëtarë të LDK-së.

Nga LDK-ja duhet të shkojnë të gjithë ata që krijuan përçarje dhe të gjithë misionaret e Isa Mustafës që erdhën në Diasporë dhe komplet stafi që mori përsipër përjashtimin e Dy Degëve të LDK-së në Diasporë, mungesa e votës së tyre, drejtpërdrejt ka ndikuar në humbje të mëdha, sidomos nëpër ato komuna ku fitoren e përcaktoi pikërisht vota e ardhur nga diaspora.

Reformave në LDK, nuk munden me iu prirë mashtruesit që orkestruan demokraci të brendshme siç bëri, dr. Vjosa Osmani, ose ta zëmë dr. Haxhi Avdyli e Naser Rugova si dhe të tjerët të cilët e kanë mashtruar elektoratin e LDK-së duke deklaruar parolla kundër Isa Mustafës, ndërsa me kalimin e kohës kjo gjë u pa se paskan qenë marioneta të Isa Mustafës, për ta ruajtur nëpër mes atyre që simuluan demokraci të brendshme në LDK.

LDK-së duhet t’i prin një personalitet i njohur dhe me emër siç është prof. dr. Rexhep Gjergji, i cili, nëse i lejohet, dhe nëse ndihmohet nga strukturat e partisë në nivelin e Degëve dhe të Nëndegëve, mundet me bërë ma shumë se të gjithë së bashku, këta që e sollën në këtë gjendje LDK-në.

Janë shumë arsye për të kërkuar llogaridhënie nga këto struktura që janë fajtore për gjendjen e tanishme në LDK, prandaj i bëjë thirrje z. Hazir Borovci, që ai të merr iniciativën për kërkimin e shkarkimit të Isa Mustafës dhe përgjegjësve të tij. Pikërisht në Degën e Tretë të LDK-së, të cilën e drejton z. Borovci, e ka bazën deleguese edhe prof. dr. Rexhep Gjergji, i cili është kandidati më konsensual për ta drejtuar LDK-në.

Dega e Tretë e LDK-së në Prishtinë, duhet të merr iniciativë, dhe bashkë me Degët e tjera të Prishtinës, nëpërmes strukturave partiake duhet të kërkojnë që prof. dr. Rexhep Gjergji, të zgjidhet Kryetar i ardhshëm i LDK-së. Këtë iniciativë mund ta marrin edhe Degët tjera kudo nëpër Kosovë, prandaj sa më shpejt të krijohen iniciativa suksesi dhe mundësia do të jenë të mëdha.

LDK, duhet të del nga kjo amulli të cilën e ka sjell Isa Mustafa dhe klani i tij, prandaj nëse dëshirojmë që LDK-së t’i kthehet nami i dikurshëm duhen reforma të brendshme dhe rrënjësore kurse puna duhet të nis nga nesër, për ndryshe nga pasnesër do të bëhet vonë.

Kushdo që të zgjidhet a emërohet nga strukturat e tanishme do të jetë vetëm një kamuflim dhe një mashtrim që do t’i bëhet elektoratit të LDK-së, i cili tashmë i ka kuptuar të gjitha intrigat e këtij grupi i cili çdo gjë e ka vënë mbi interesin privat.

Llogaridhënia është pjesë e demokracisë, por nëse kjo gjë nuk pranohet dhe nuk lejohet fundi tragjik i LDK-së do të jetë me pasoja të paparashikueshme.

Urojmë që kjo thirrje të mos has në vesh të shurdhër!

*Autori është, anëtar dhe veprimtar i LDK-së që nga themelimi, gazetar shkrimtar dhe analist politik mjaft i njohur!