Sadna, mos të mbiftë fara

0
1430
Sadna

PËRTEJ LAJMIT

ERJONA RUSI, 3 Shkurt 2016

E dashur Sadna, dje si rrallë herë më dridhej trupi. Ndërsa ti jepje shpirt unë përjetova ankth e madje i lutesha Zotit. E di pse? Se isha live Sadna, në transmetim të drejtpërdrejtë domethënë, se mbase ju atje në Indi nuk i thoni kështu. Po, po Sadna isha live ndërsa një fëmijë ishte mes flakëve në ballkonin e katit të 7-të te Unaza e Re, është një lagje këtu në Tiranë në kryeqytetin e një vendi që ka rënë në dashuri aq keq me ty, saqë kushedi sa lot ka derdhur dje për ty, ndërsa ai 4-vjeçari bërtiste e çirrej se donte ndihmë. Kushedi edhe zjarrfikësit do kenë qenë duke qarë për ty Sadna, dhe rrezik nga tronditja nuk arritën dot të shkretët të vijnë në kohë e ta shpëtojnë atë fëmijë. Unë isha live Sadna dhe lutesha, jo për shpirtin tënd jo, se për atë janë lutur plot shqiptarë dje, po për atë fëmijën Sadna. Në fakt unë nuk e dija që ai ishte aty, ndaj në ato moment po lutesha dhe po e thoja dhe në transmetim Sadna, shpresoj të mos ketë pasur njerëz në banesë kur ndodhi shpërthimi, dhe e shpresoja e vërtet, e doja me gjithë shpirt të mos kishte pasur njeri. Dhe ti Sadna nuk e di, se ti vdiqe se si mu rrëqeth trupi kur mora vesh që fëmija kishte vdekur.

Edhe ky lajm u tha live Sadna, siç ndodh rëndom në këtë vend që të dashuron ty Sadna, shumë tmerre përjetohen live. Mu dridh trupi, mu kujtua shpërthimi në gusht te Don Bosko, se isha vetëm disa qindra metra larg kur ndodhi dhe u tmerrova. Mendova direkt vajzën time dhe u rrënqetha edhe më shumë. Unë gatuaj me gaz Sadna dhe përdor po të njëjtat bombola gazi si ajo që i morri jetën atij 4-vjeçarit, si ajo e Don Boskos, si ajo që shpërtheu në Beragozhdë. Aty u lemerita, mendova-po sikur të kishte qenë fëmija im. Edhe pse kujdesemi t’i marrim sa më të sigurta, ku mund ta dish moj Sadna.

Askush në këtë vend që të adhuron ty, nuk del të kontrollojë nëse ato bombola gazi që blejmë ne çdo ditë janë apo nuk janë të sigurta. Dhe po askush nesër Sadna nuk do marrë përgjegjësi dhe as do japë llogari, as për këtë ngjarje, si për shumë e shumë të tjera edhe më të tmerrshme, që i ndodhin këtij vendi. E di pse? Sepse janë të çmendur pas teje Sadna. Sepse të shohin ty çdo ditë dhe janë bërë tuhaf pas historisë së jetës tënde. Facebook-u u çmend dje nga vdekja jote e kobshme. Sekonda, minuta, orë të tëra energji për ty, ndërsa një tjetër tragjedi ndodhi në Tiranë, Sadna. Por e kuptueshme, pikëllimi për ty ishte më i fuqishëm se zemërimi. Në fakt më duhet ta pranoj Sadna, edhe unë të kam parë, disa herë, si për të hequr mëndjen nga streset e ditës kur vija nga puna. Por nuk e di pse, asnjëherë s’të kam kuptuar me thënë të drejtën.

Nuk kuptoja dot gjithë ato intriga, që kishte sajuar regjisori yt Sadna, po mbase nuk janë për intelektin tim. Veç kësaj urreja ngrirjen tënde, më acaronte nervat ngadalësia e çdo mendimi dhe veprimi, mbase ngaqë unë gjalloj Sadna, s’dua të më humbasë asnjë sekondë kot në këtë jetë. Tani që ke vdekur ja ku po ta them hapur e sinqerisht – të urrej Sadna, ty dhe të gjithë historinë tënde.

E di pse? Sepse sa herë që vajza ime hapte TV-në dhe ishe ti, ajo thoshte ta shohim se këtë filmin e sheh edhe nëna. Dhe çdo herë unë tmerrohesha nga ideja që fëmija im të të shihte ty. E çfarë mund të mësojë vajza ime prej teje? Që duhet ti nënshtrohesh burrit? Po jo moj Sadna se ky vend është boll maskilist e patriarkal, ku burrat ende vrasin gratë apo edhe vajzat e tyre. Sakrificën? Këtë do i mësoje ti vajzës time? Se si duhet shkatërruar jeta jote për lumturinë e të tjerëve?

Po tallesh???? Po vjehrra jote çfarë mund t’i mësonte? Intrigat? Se si poshtërohen njerëzit nga pushteti i parasë? Besoj këto gjëra i dinë aq mirë shqiptarët, sa s’kanë më nevojë ti mësojnë prej teje. Në këtë vend, moj Sadna njerëzit kanë nevojë për dashuri, kanë nevojë të mësojnë se si të flasin hapur për çdo gjë. Njerëzit në këtë vend moj Sadna, edhe ato gratë e shkreta që vuajtën për ty dje, kanë nevojë të lexojnë, të shkojnë në teatër, kanë nevojë të luten, të këndojnë, të bëjnë dashuri dhe mbi të gjitha të mendojnë moj Sadna. Nuk kanë nevojë për një indiane të mjerë si ti, se boll të mjerë e kanë jetën kështu siç është. Më beso nuk të urrej se u bëre kaq e famshme, e di mirë si funksionon media për fat të keq.

Por të urrej që i more shpirtin, kohën e gjithë energjinë atyre qindra apo mijëra shqiptarëve, që mund ti kishin përdorur për tu revoltuar, për të reaguar, për të ndryshuar apo qoftë edhe për të menduar diçka shumë më të bukur se sa jeta jote e mjerë.

Ndaj jam shumë e kënaqur që vdiqe dhe mos të mbiftë fara ty e as ndonjë indianeje apo turke tjetër në këtë Shqipërinë tonë të vogël, që po ushqen shpirtin me telenovela mediokre, që s’kushtojnë dy lekë për pronarët por do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë nesër, brezave që ushqehen me ty Sadna.

Shënim: Në 25 vjet, shqiptarët kanë mësuar shumë se si të depersonalizohen e tjetërsohen nga telenovelat… AÇ