Sa i besuedhëm asht Gjon Muzaka?

0
750

At Marin Sirdani!

Qe si ua përshkruen Gjon Muzaka të bijve rritjen e familjes së Kastriotve: “Dijeni se gjyshi i Skanderbegut nuk kishte veç dy fshate, Sinjën e Gardhin e Poshter (Hopf, 301); i biri i tij Skanderbegu, mbassi mori Matin, shtetin atnuer, u ba Zot i Krues, të cilen nuk e pati i ati (Hopf, 299): edhe mbassandej u ba Zot i Dibres, i Brinjes, i Tomonishtës, i Misjes e i krahinës së Gjonmit deri në breg të detit (Hopf, 298.9).”

Nuk lypet me qenë i thelluem në historinë kombëtare tonën për me u kujtue se sa të pamatuna janë thanjet e Gjon Muzakës. Po t’ishte e vërtetë se dera e Kastriotve nis me u mkambë me gjyshin e Skënderbeut që s’kishte veç dy fshate, si asht e mundun që në vjetin 1389 kastërgjyshi i Skënderbeut, Gjergj Kastrioti I, në luftën kundra Turkut në fushën e Kosovës, të bajë propozime në këshillin e luftës të kryesuem prej Llazarit, mbretit të Serbisë? A thue nuk ia kishte ndie zanin Gjon Muzaka atij Gjergj Kastrioti megjithse ai vetë e përshkruen at luftë? Sa për Krujën vërtetë nuk dihet se kur kaloi prej Topiajve, a prej Turqve në duar të Gjon Kastriotit, por të gjithë historjanët e vjetër, si Barleti, Biemmi, Anonimët, Lavardin e Dhimitër Frangu, na thonë se e kishte. Kronikani i Raguzës, Luccari, e thotë në vjetin 1423 ″Giovanni Castrioto Signor di Crui”. Mbas të gjithë historjanve që u përmendën më sipër, Skënderbeu mori përpara Krujën e jo Matin, si thotë Gjon Muzaka.

Tradhtinë e Moisiut, Gjon Muzaka e motivon kështu: “Skanderbegu i rrembeu Moiziut shtetin e tij, qi ishte në Dibër; mbas kësaj Moiziu i zemruem del kahë ana e Sulltanit, i cili e dergon me nji ushtri kundra tij, atëherë Skanderbegu i çon fjalë të këthehej se do t’a dojte si vlla; edhe Moiziu, tuj e dijtun se nuk kishte ndonji siguri pranë Sulltanit edhe tuj dashtun t’i rritëte fuqin Turkut me gjakun e të krishtenve, u këthye prapë (Hopf, f. 300).”
Edhe këtë fakt historik Gjon Muzaka e bjen ndryshe nga historjanët tjerë t’asaj kohe. Të gjithë një zani thonë se Skenderbeu mori prej Turkut Krujën e mandej Matin e Dibrën. Nuk ia rrëmbeu pra Moisiut. As nuk e diftoj Moisiu zëmrimin e vet për këtë punë për vite e vite.

Ai luftoi si një ndër ma të mirët e besnikët gjeneralë të Skënderbeut, edhe ndër kohë ma kritike, prej vjetit 1443 e deri në vjetin 1455. Nuk qe pra shkaku i tradhtisë së tij pse i rrëmbeu Skënderbeu Dibrën, por do të ketë qenë ndonjë send tjetër në thes. Barleti e Biemmi na thonë se mbasi u ba Moisiu me Turqtë, Skënderbeu i konfiskoj pronat, ose properitetin personal, edhe këta ia dorzoj mbasi u pendue e ktheu dalë. Puna e Zanfinës në këtë rast nuk asht as per t’u zënë në gojë, për arsye se një kreshnik si qe Moisi Golemi, nuk do të kishte nevojë me shkue mbas shtimeve të grues. Shkaku i tradhtisë së tij dihet se qe krenija. Ai e dinte vedin të madh, pse i derës princore të Komnen Topiajve.

Vlera e zotsija që ai kishte diftue ndër lufta e në qeverimin e dy Dibrave kishte shkue tuj ia rritë mendjen dhe donte vedin mbi tjerë. Me çue në vend këtë aspiratë deshti me përfitue prej rrethanave. Venediku, që shikonte me sy të keq lidhjen e Alfonsit mbretit të Napolit me Skënderbeun, mezi që priste me ia shtue këtë llastim, e Sulltan Mehmeti nëpërmjet komandantit të Sfetigradit, i kishte blatue kunorën e Shqipnisë, po të hidhej nga ana e tij. Moisiut iu rritën veshët prej këtyne premtimeve, edhe me diftue pëlqimin e vet lajmoi Sulltan Mehmetin edhe komandantin e Beratit në vjetin 1455 për planet e Skenderbeut e për rrezikun që ndodhej ajo fortesë.

Me këtë tradhti u ba një shëmtim i madh n’ushtrinë shqiptare në Berat, e Mojsiu iku në Stamboll. Prej andej Sulltani e dërgoj me një ushtri kundra Skënderbeut, por qe thye keqas. Moisiu atëherë i mundun prej Skënderbeut, i përbuzun prej Turqve, edhe i rrahun prej ndërgjegjes, iku prej Stambollet, erdhi në Shqipni, i ra përmbys ndër kambë Skënderbeut, edhe me lot për faqe i lypi të falun për fajin e tmerrshëm që kishte ba. Skënderbeu i ngjiti dorën, e ngriti në kambë, e fali, edhe i dha gradën që kishte pasë ma parë n’ushtri kombëtare; ma tepër dha urdhën mos të guxonte kush me e zanë në gojë at tradhti. S’vonoi mandej e i ktheu edhe pronat e konfiskueme. Kështu e difton Biemni e historjanë tjerë t’asaj kohe, tradhtinë e Moisi Golemit.

Tashti, para se t’i japim fund këtij shkrimi, e shohim me udhë me diftue mendimin tonë mbi çeshtjen e Zanfinës. Për çka duket, puna e asaj do të ketë qënë kështu: Tuj i pasë vdekë Zanfinës burri i parë e mbetë e vejë me do jetima, në sa ishte kjo ndër fjalë me u martue me Karl Muzak Topinë, ndërhyni Skënderbeu e i dha motrën për grue, e ajo atëherë u martue me Moisi Golemin e Dibrës.

Kaq tregime mjaftojnë sa me pa se sa të pa peshueme janë asertat e Gjon Muzakës, prandaj, kisha me thanë se sa per thanje të tija, Skënderbeu nuk asht për t’u mbajtë as ma i mirë as ma i keq se e përshkruajnë biografët e vjetër të tij.