Dea

0
1254
D - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën D

Dea Halimi
Dea Halimi

Dadoja e Drerit, Dija nuk përtoi të vinte të ne, të përkujdesej për mua, derisa prindërit do të iknin për disa orë në panairin e librit. Unë
këtë herë nuk do të shkoja me ta në panair. Dy ditë më parë kisha marrë vaksinën kundër lisë së ujit dhe ende ndihesha pak e lodhur. Mami e babi nguruan të shkonin në panair, por unë pohoja se ndihesha fare mirë. Prisja të iknin ata e unë të dilja në oborrin e mbuluar me borë e ndoshta dhe ta bëja një dordolec. Vendi i shpimit me injeksion qe skuqur, qe ënjtur ca dhe herë – herë më zinin ethe. Dadoja Dije e vuri re këtë gjë dhe jo që nuk më lejoi të dilja në oborr, të bëja ca topa bore apo dhe një burrë dëbore, por më tërhoqi vërejtjen të mos bëja kurrë më dredhi të tillë as me prindërit e as me ndokënd tjetër.
– Të gjitha fshehtësitë, dëshirat e ëndrrat nuk të takojnë vetëm ty. Duhet t`i shpalosësh me prindërit, gjithsesi, – tha ajo e më propozoi të më lexonte një tregim.
– Mirë, – ia bëra dados Dije dhe e shikova me ngrohtësi. Ajo më përqafoi e më puthi.
– Dea, çfarë ke dëshirë të të lexoj? – tha dadoja Dije, ndërsa po shikonte librat në bibliotekën e vogël të shtëpisë.
– Dua të dal për ndonjë çast jashtë, në ajër të pastër. Të luaj vetëm pak me borë aty, te dardha.
– Jo, – nguli këmbë dadoja Dije.
-Më lexo pra diçka me shkronjën D. Ja, merre librin e babit “Vjedhësit e hënës”, e aty – në faqen 28, është vjersha “Dymbëdhjetë drerë brirë artë”. Lexonte rrjedhshëm dadoja Dije, ndërsa unë ikja në natë nëpër ëndrra e yje, ecja nëpër
çdo shkronjë, sa tek një yll-shkronjë sa te ylli tjetër, ikja nëpër të gjitha shkronjat që i kishim mësuar deri tani. I ngjitsha lartë degë më degë drurit të abanozit të arrija shkronjën A, apo ikja me tren te ylli i shkronjës T, ecja me ylber për te shkronja Y, e pastaj ikja me sajat e tërhequra nga dymbëdhjetë drerë brirë artë te shkronja D. Ndieja kënaqësi të veçantë nga i zgjoja përjetimet e mia në det, në Durrës, e – sidomos, nga ballafaqohesha prapë me qenin e vogël Didi, të cilin e hasëm në rrugë dhe e morëm në shtëpinë ku banonim; kujdesesha
për të, e ushqeja, e pastroja… Ai, secilën ditë bëhej më i bukur, i ndrisnin sytë e zinj, i shkëlqente qimja e kuqërremtë. Qe bërë hija ime. Vraponim nëpër plazh, buzë ujit, me orë të tëra. Më dëgjonte për çdo gjë… Papritur m`u mbushën sytë me lot. Nuk doja ta kujtoja ndarjen me Didin, por nuk mund t`i ikja!
-Më dëgjon ti Dea, apo jo, – qeshi dadoja Dije. – Ku e ik mendjen?
Qesha dhe unë ndër lot. Ajo mbylli librin dhe iku në kuzhinë të përgatiste diçka për drekë.