SA E DUA ULQININ!

0
1756
Xhahid Bushati

Prof. Xhahid Bushati

Shënime për librin: “Sa e dua Ulqinin! (Vjersha kushtuar Ulqinit, Anës së Malit dhe Krajës) të shkrimtarit Rifat Kukaj, botoi: ART CLUB Ulqin, 2009

1.
Iu riktheva, pas ca vitesh, edhe një herë librit “Sa e dua Ulqinin!” Se… dua të dëgjoj rrahjet e zemrës, shpirtmadhësinë e shpirtit të shkrimtarit Rifat Kukaj. Zëri i tij i ngjan valës së detit. Asaj valë që shëtit herë e paqtë, herë plot vrull. Asaj valë që shëtit herë mbarsur me dritë kujtimesh e herë e mbarsur me dritë bekimesh… Ajo valë deti, seç më ngjan me mision poeti që shëtit (sa në breg e, sa në thellësi të detit), udhëton e udhëton pa ja da, udhëton përjetësisht!…

Ky libër është i dashur për mua!.. Ky libër është pjesë e bibliotekës personale që na la shkrimtari i talentuar Rifat Kukaj. Dhe teksa përmend nocionin ‘bibliotekë personale’, më kujtohet një thënie e studiuesit erudit Ardian Klosi, i cili thoshte: “Biblioteka personale na tregon edhe mënyrën se si u rritëm, fazat e ndryshme nga kaloi ajo qenie kureshtare dhe e pambrojtur që quhet fëmijë nga ngrohtësia e strehës familjare në botën e ngatërruar, shpesh pa fill e pa kuptim, që e pret përjashta. Rrugën e tregojnë miqtë e armiqtë, njerëzit e dashuruar dhe njerëzit e urryer: por e tregojnë edhe veprat që na rrëmbyen zemrat. … Zbulimi i bibliotekës personale është në njëfarë mënyre rrëfim para të tjerëve.”

Shkrimtari Kukaj rrëfeu para të tjerëve motivet e adhurimta për Ulqinin, të cilin e dashuroi sa nuk mund të ketë një krahasim. E dashuroi aq shumë sa edhe librin e tij të fundit e “dorëzoi” si amanet, dhe pse paditur se, te kjo kaltërsi e qielltë do të ndërronte jetë.

2.
Koncepti ndërtimor e strukturor i profilit të këtij libri, që mbart një emër të magjishëm siç është Ulqini, ka në përbërje të tij: *Në vend të parathënies poezia me titull: “Kolosi nga Rodosi / ra në Ulqin” (kushtuar Rifat Kukajt) e, që mban për autor poetin Hajro Ulqinaku., *Portreti i Ulqinit (19 vjersha, si dhe fletorja në dorëshkrim, – botohet si faksimile duke ruajtur origjinalin, të cilën shkrimtari Rifat Kukaj ia pati dorëzuar për botim prozatorit Asllan Bisha. “Asllan i dashur, – shkruan poeti Kukaj. – Po t’i lë këto gjurmë poezie që ky qytet m’i fali. Pra s’i mbeta gjë borxh. M’i dha (e falënderoj) dhe – po ia kthej…”).

*Shkrimi përkujtimor i mësuese Sehibe Hoxha, i mbajtur në një orë letrare më 11.09.2006 (me rastin e 1-vjetorit të vdekjes) në shkollën “Marko Nuculloviq” në Shtoj – Ulqin. “Rifat Kukaj, – shkruan mësuesja, – vdiq në Ulqin, më 11.09.2005, duke shëtitur me nipin e tij të vogël Bardhin, bregut të detit, në plazhin “Safari” në Plazhin e Madh.” Në libër ky shkrim është botuar me titullin: “O pranë detit, o pranë mbretit”, ndërsa në gazetën “Koha javore” (Podgoricë) ditën e enjte, më 14.09.2006, u botua me titullin: “Kolosi prej Rodosi kujtohet në Ulqin”). *Më pas shkrimi: “Rifati – i dashuruari në Ulqin”, që mban firmën e Asllan Bishës.

(“Ishte i dashuruar në Ulqinin bregdetar, në Anë të Malit, në Shtoj e krajë. Në Shtegvashë ndaleshim – nga dukej lumi Buna që gjarpëronte, fushat gjelbëroshe, me Liqenin e Shkodrës dhe Shasin plak. Qëndronte i heshtur duke mos u ngopur me aromën e shërbelës në shpatet e Rumisë dhe Taraboshit, një bërçk larg. “Juve ju ka dhënë I madhi Zot më shumë se të tjerëve! Si lëshohet ky vend!?” … Unë humba një mik të madh, ndërsa Ulqini shkrimtarin – mysafirin më të dashur që pati ndonjëherë. … Vjeshta erdhi pa shkrimtarin Rifat Kukaj, por ai është përherë me ne, në zemrat, kujtimet tona.”), *Dhe si mbyllje shkrimi: “Kujtim i përjetshëm” me autor Hajro Ulqinakun.

(“Këtë vëllim e përgatita si obligim shpirtëror e moral ndaj shokut më të mirë, Rifatit, pastë ndjesë, nga fletorja – dorëshkrim me 19 vjersha (të cilën ia pati dorëzuar Asllan Bishës) dhe nga vjershat e tjera botuar në përmbledhjet: “Një kanjushë në Krushë”, dhe “Ku fle nata” të botuara në Prishtinë, më 2002. Le të jetë i përjetshëm kujtimi!”).

Vijon

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar