ROLI I VEPRIMTARIT NË FUNKSION TË SHTETFORMIMIT

0
1525

Nga Nexhat Rexha

Drenas, 29 korrik 2017

Hysen Ibrahimit “Vepra – 2 (Arsimi shqip në Suedi)”, Botoi, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi-Prishtinë, 2017, faqe 376

Rrethanat shoqërore në botën njerëzore krijojnë situata nga më të ndryshmet, ato vijnë bashkë me preokupimet e përkushtimet e tija. Kur njeriun e braktisin objektivat e mundshme për të arrirë synimet e tija, ai gjen shtegdalje për të mundur braktisjen. Në këto rrethana më të pakuptimta u gjend edhe intelektuali ynë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Faktori politik antishqiptar gjithnjë ka krijuar skena dhe ndjekje të vazhdueshme për njeriun tonë, sidomos atij që synonte daljen e popullit të tij nga errësira sunduese, ata vazhdimisht krijuan situata pashtegdalje për veprim të mundshëm në vendin e tij.

Në këto kondita të kohës shumë shqiptarë u detyruan të largohen në vendlindja e tyre. Ajo që dallon nga bota Ballkanike te popujt tjerë është se shqiptarët sikur kurbeti i rinjohu në mes vete. Në këto rrethana të reja ata u shpërndanë nëpër vende të ndryshme të Evropës. Mërgata shqiptare që u vendos në shtetet Skandinave e sidomos në Suedi, sikur më shumë barti mbi supet e tija barrën e rëndë të ndjekjes e nëpërkëmbjes së tij.

Nëpër këto shtrirje e shkapërderdhje kurbetçarët tanë arritën të homogjenizohen dhe të njohin kulturën, gjuhën dhe karakterin e shtetit ku filluan jetën e re, ata krijuan edhe përshtypjet e para për kulturën e zellin e tyre për pune e jetë. Shteti Suedez si të gjithë popujve që i lejoi vendqëndrimin aty, i dha mundësi për veprim e ruajtje edhe të kulturës së tyre. Mirëpo, krejt kjo nuk mjafton për të njohur e rinjohur veten,sepse edhe në vendet tjera të Evropës kishte shqiptarë që mërguan edhe më shumë,por ajo që dallon këtë vend janë dy elemente më të favorshme: e para kultura e një shteti, e dyta njohja e vlerës njerëzore dhe intelektuale për njerëzimin.

Në këto predispozita të kohës, shqiptarët këtu e patën më vështirë se të tjerët të vepronin, sepse lobi serb kishte krijuar shumë me herët çerdhet e veta, e ato çerdhe ruanin frymën dhe karakterin antishqiptar. Kjo rrethanë ngadalësoi procesin e unifimikit të çështjes shqiptare në Suedi. Mirëpo, kur bashkohet mendja dhe dashuria e ruajtur e ninullës së kënduar në djep, atëherë bashkëjeton ëndrra për liri dhe copat e atdheut sikur arnohen kudo që janë. Duke e lexuar librin e Hysen Ibrahimit “Vepra-2 (Arsimi shqip në Suedi)”, domosdo fitohet përshtypja më konkrete për rrugën, zhvillimin dhe ruajtjen e arsimit shqip në Suedi.

Libri hapet me shatë thënie nga Hysen Ibrahimi. Nga këto thënie më si miri i përshtatet librit e kohës, thënia: ”Formulat për të gjetur detyrat për kombin janë para syve tanë, ato presin që ne t`i zbulojmë dhe t`i zbatojmë”. Nga ky mesazh vjen edhe tërësia e mbarshtrimit të librit, sepse intelektuali ynë në këto hapësira, me kohë ka hyrë në rrjedhat e të ardhmes. Librit i paraprijnë parathënie e autorit, fjala e redaktorit Prof. Bedri Paci dhe recensë e prof. Migena Orllati, të cilat në mënyrë telegrafike shpalosin brendinë e librit.

Libri “Vepra-2 (Arsimi shqip në Suedi)”, ka konceptim në gjashtë kapituj, nëpër të cilët kalojnë emrat e mësimdhënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nëpër qytete të ndryshme të Suedisë nga viti 1968-2017. Me korrektësi janë shënuar edhe 262 strehimore, çerdhe shkollash me zhvillim të mësimit shqip, çka shihet se këto shënime kanë rëndësi të madhe, sepse ato dëshmojnë ekzistencën e fillimeve të para të vendqëndrimit të jetës për qytetarin tonë.

Në këtë kapitull, autori ka shpalosur rolin dhe rëndësinë institucionale të shtetit Suedez, ndaj arsimit e kulturës shqiptare. Vlen të theksohet se falënderimi mirënjohës për drejtoreshën Maj Beijer në Entin për Zhvillimin e Arsimit të Suedisë, paraqet fillimin e mbarë, e që me kontributin e saj ajo krijon klimën për punë e suksese. Duke i shënuar këto rrjedha të kohës me protagonistët e tyre,libri komunikon më bukur dhe i jep vlerën e qëndrueshme këtyre rrethanave të shekullit të kaluar dhe si i këtillë krijon mundësinë e modelit mirënjohës dhe afirmativ të kulturave të ndryshme.

Në kapitullin e dytë, radhiten shkrimet që specifikojnë fillimin e vendosjes dhe shkollat e para shqipe në Suedi. Në vitin 1968 hapet Shkolla e Parë në qytetin Malme, me mësuesit e parë Bejzad Beqiri, Faredin Isai, Sadulla Zendeli-Daja e tjerë. Autori me shënime të dokumentuara shënon vendosjet e grupeve të para në Suedi. Ato kanë fillimin e grupit të parë, fill pas Luftës së Dytë Botërore, grupi i dytë është vendosur në vitet e 70-ta dhe kështu vazhdon vendosja e shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981 e deri te ndjekja e largimi më i instrumentalizuar në fillim të viteve të 90-ta, kur haptazi ndjekej dhunshëm intelektuali shqiptar.

Në këtë pjesë të librit Hysen Ibrahimi ka sjell shkrime e dokumente të rëndësishme historike të kohës, të cilat ruajnë autencitetin e tyre, sepse ishte shumë e vështirë për intelektualin e asaj kohe të hedhë hullinë e parë identifikuese për origjinën dhe kulturën e tij gjuhësore. Kur dihej se lobi serb kishte shtrirje të gjerë në shtetin Suedez. Prandaj, roli i veprimtarit shqiptar të asaj kohe kërkonte me shumë sakrifica, sepse ndjekja e tij bëhej edhe atje. Por shtresa e mërgimtarëve të vendosur nëpër qytetet të ndryshme, luajti rolin më progresiv të tij. Ata konfirmuan origjinën kombëtare dhe gjuhësore, duke dëshmuar nivelin intelektual, dëshirën e vullnetin për të njohur, ruajtur shtetësinë e panjohur të tyre ndërkombëtarisht.

Kështu pjesa më e madhe e tyre, organizoi vetë shkollën shqipe për dy vite në mënyrë vullnetare, por njëkohësisht punuan pandërprerje për njohjen e shtetit të Kosovës dhe kështu arritën të artikulojnë zërin e tyre në mjedise njerëzore dhe institucionale me përkrahje të parezervë të faktorit vendor. Në këto angazhime, shpaloset identiteti dhe karakteri i fuqishëm i veprimtarit tonë, i vënë në funksion të shtetformimit dhe ndërkombarizimit të tij.

Në kapitullin e tretë, autori ka sjellë faktorgrafi nga takimet e mbajtura në atë periudhë, të cilat janë dëshmi dhe ata saktësojnë rolin e veprimtarëve të asaj periudhe komplekse. Procesverbalet e parashtruara në libër janë autenciteti i veprimit konkret në formimin themeltar të organizimit në kuvendet e para të arsimit, si: Kuvendi i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri” në Suedi, me këto mekanizma krijohet e ruhet lidhja me vendlindjen. Hysen Ibrahimi në këto rrethana të vështira viziton e njihet përsëafërmi me vështirësitë e Arsimit në Kosovë, e sidomos në Mitrovicë e rrethinë.

Në faqen 102 të librit janë paraqitur me saktësi ndihmat e bashkatdhetarëve nga Suedia, dedikuar Arsimit në Republikën e Kosovës, Në këtë kapitull është me rëndësi të veçantë faktografia e shënuar nëpër këto procesverbale, sepse lexuesi takon me respekt njerëz e miq të devotshëm, të cilët kanë kontribuar në ndërtimin, ngritjen e avansuar të shtetit të Kosovës. Pastaj në këtë pjesë mësojmë se sa me përkushtim e profesionalizëm është punuar në hartimin e Planprogrameve për mësuesit e mësimit plotësues, për ciklin e ulët dhe ciklin e lartë për disa lëndë mësimore. Këto shënime janë bazament i rëndësishëm për kohën dhe ato shërbejnë edhe për të ardhmen si dëshmi e faktorizim që prek e dikton të ardhmen e njeriut tonë, sepse kështu ruhet e pasqyrohet historia reale e shtetit tonë.

Në kapitullin e katërt, hapësirë të rëndësishme dhe të gjerë i jepet rolit dhe punës shumëdimensionale të intelektualit e atdhetarit Bedri Paci. Në këtë kapitull janë dhënë dokumente të rëndësishme, të cilat janë dokumentaritet për të afirmuar punën, veprimin në krijimin sa më institucional për të ardhmen e Kosovës. Pra, vitet e 90-ta shpalosin të vërtetën e dhunës serbe në Kosovë. E këtë shpalosje e shkundje të pluhurit e bëjnë me vetëmohim veprimtarët, atdhetarët që punuan, vepruan në shtetin e Suedisë. Ky angazhim e solidarizim gjen përkrahje të pranueshme, vetëm përmes punës këmbëngulëse të tyre.

Konsiderojmë se kapitulli i katërt është pasqyra më rëndësishme e librit, sepse Hysen Ibrahimi ka radhitur e fokusuar ngjarje e personalitete të dalluara, të cilët me angazhimin, vullnetin, dijen dhe tërë bagazhin e tyre e kanë funksionalizuar në shërbim të atdheut. I tërë ky angazhim, kërkonte sakrificë dhe njohje depërtuese, të cilët arritën të kanalizojnë rrugëtimin me bindje se roli i tyre është pjesë funksionale e mekanizmave që vejnë në lëvizje institucionet Suedeze për shtetin e Kosovës.

Në kapitullin e pestë, në mënyrë telegrafike janë dhënë shënime për ligjërimet e disa intelektualëve të Kosovës e Shqipërisë. Mirëpo, do të ishte me interes të botoheshin edhe fjalimet e tyre, për dëshmi e vizionin e tyre intelektual në afirmimin e përkrahjen e të ardhmes sonë. Pastaj është paraqitur edhe mbajtja e Konferencave arsimore në Suedi.
Kapitulli i gjashtë përmbyll librin, e në të janë radhitur shkrimet me intervista dhe portrete, të cilat afrojnë informacion të mjaftueshëm për organizimin e rrjedhën e Arsimit shqip në Suedi, vendosja e familjeve nëpër qytete të Suedisë etj.

Autori i librit në këtë pjesë ka radhitur pesë intervista të periudhës më të re, të cilat janë zhvilluar me bashkëveprimtarët e atyre periudhave, në të cilat shpalosen ngjarje e kujtime domethënëse. Në pjesën e fundit të librit, autori ka radhitur shkrime arkivore, të cilat janë autentike si dokumente të ruajtura në procesverbale. Libri në përmbyllje ka ilustrime me fotografi e dëshmi të ndryshme, si nga shtypi Suedez i kohës, poashtu, duke paraqitur edhe dëshmi për grumbullimin e mjeteve financiare të 3%-shit, si dhe për zhvillimin, organizimin e arsimit e të jetës kulturore.

Duke lexuar librin “Vepra-2 (Arsimi shqip në Suedi)”, arrijmë të mësojmë se mësimi plotësues në shkollat Suedeze ka arritur intergim të suksesshëm dhe si i tillë ai ka përfaqësuar, e përfaqëson kulturën shqiptare në mënyrë të suksesshme. Kurse njeriu ynë ka dëshmuar me angazhim e vetëmohim punën e tij, si dhe ka arritur në kohë të duhur të orientojë drejtë të ardhmen tonë. Nga ky libër dhe libra tjerë që ka botuar Hysen Ibrahimi dhe mërgata jonë në shtetin e Suedisë ,mësojmë se veprimtarët e çështjes kombëtare më mirë se çdo kund në mërgatë kanë arritur të bashkojnë vullnetin, dijen dhe intelektin e tyre ta vejnë në shërbim të shtetformimit të shtetit të Kosovës.

Kështu përmes punës së bërë, rezultatet janë të lakmueshme në të gjitha fushat e nevojshme të kohës dhe kështu me angazhimet e tyre ata funksionalizuan kohën, kur atdheu ynë kishte nevojën më të madhe. Pra, intelektualët e kësaj kohe me krenari e sakrificë, ditën e mundën kohën anitikohë. Librat e këtillë janë mëse të nevojshme për ne sot, e për gjeneratat që vijnë pas nesh. Vetë problematika e shtruar brenda kopertonave flet për veprimtarët dhe veprimet e tyre, të cilat argumentojnë se shqiptarët kur janë bashkë në një mendje, dijnë të bëjnë punën siç është më së miri. Dhe vërtet libri të jep këto mbresa brenda kopertinave të tij.