Rëndësia e “Krishti vesh me t’kuqe” e autorit Andreas Dushi

0
3627

Para pak kohësh nga Shtëpia Botuese “Muzgu” doli libri i parë i poetit të ri Andreas Dushi. Emrin e tij mund ta kemi hasur në gazeta, revista e portale të ndryshme si autor i shkrimeve historike e letrare, por me një libër të vetin, ai paraqitet për herë të parë.

Vëllimi poetik “Krishti vesh me t’kuqe” është një libër i ndarë në katër kapituj. Kapitulli i parë i kishtohet Besimit në Zot, diçka universale, e përjetshme dhe e pashtershme. Kapitulli i dytë i kushtohet Martirëve shqiptar si një nga krenaritë më të mëdha me të cilat Shqipëria mund të identifikohet në botën mbarë. Kapitulli i tretë tregon gëzimin nga fëmijë deri i rritur i cili përjetohet gjatë festës së bukur të Krishtlindjes. Ndërsa kapitulli i katërt i jep hijeshi gjuhës shqipe duke veshur me të disa nga poetët më të rëndësishëm të të gjitha kohërave.

Libri është shkruar në një gegërishte të pastër, të pacënuar nga ato që njihen si letrarizime të dialektit në të cilin gjenden dokumentet e parë në gjuhën shqipe dhe sigurisht pa turqizma të cilët duket sa këne ngulur aq thellë thonjt e tyre të paprerë sa kanë cënuar edhe vetë bukurinë dhe rrjedhshmërinë e gegërishtes.

Rëndësia e librit qëndron në dy aspekte. Si fillim, libri himnizon figurën e Atit, Zotit të pushtetshëm i cili është i njëjtë për të gjithë, por të cilit të gjithë mund t’i luten në mënyrat që duan. Pikë së dytë, lëvrimi me aq përpikmëri i gegërishtes të kujton vargjet e paharrueshme të atë Fishtës apo dom Mjedës nga të cilët, siç edhe vetë autori shprehet, ka marrë indicie në disa raste.

Titulli deri diku i çuditshëm zbërthehet nga vetë autori në parathënien e librit:
Jam deri diku i bindun se kur të lexoni titullin e librit tem të parë, keni me pas një lloj konfuzioni i cili ka me ardhë nga dyshimi që sjell titulli për brendësinë e librit. Libri asht një libër me poezi që lëvdojnë, naltojnë dhe krijojnë një imazhë për Tenzonë, Birin e Tij dhe disa nga martirët tanë.

Lindja e Birit të Tij në festën që ne kremtojmë ktu në tokë karakterizohet nga ngjyra e kuqe. Shën Kolli (emni i të cilit tesh asht ndrru me neologjizmin Santa Klaus, nëse nji emen mund të quhet neologjizëm) ka të veshun nji kostum të kuq. Topat e bredhit shumëngjyrësh janë të kuq. Edhe ngjyra e vëve të Pashkës asht e kuqe. E cila ngjyrë përshkruen ma mirë Krishtin?

Ngjyra e kuqe gjithashtu është edhe ngjyra e martirëve, sepse simbolizon gjakun e tyne. Për ket arsye sa herë që kremtohen meshë në nderë të martirëve, si për shembull 26 dhjetori që asht dita e martirit të parë Shën Shtjefnit, 5 nandori që asht dita e martirëve Shqiptar, 14 nandori që asht dita e Shejtit Nikollë me shokë martirë e shumë të tjerë, meshtarët veshin petka të kuqe.

I nxitun nga këto arsye që lartpërmenda mendoj se Krishtit nuk do t’i shkonte asnji rrobë ma mirë se sa i shkon e kuqja.
Ndërsa botuesi i librit, zoti Mark Simoni shkruan ndër të tjera për librin “Krishti veshme t’kuqe”: Kete radhë Andreas vjen me një vëllim poetik tjetërlloji nga çfarë jemi mësuar të lexojmë, krejt interesant, me një leksik dhe gjuhë shumë fine e të kristaltë.

E për ta mbyllur vlen të vendoset një frazë e marrë nga vlerësimi që është bërë për autorin nga gazeta “Standard” e cila përmbledh më së miri veprën e tij:
Andreas Dushi është një zë i ndryshëm letrar…