SI SOT, 25 VJET MË PARË…

0
954
Prof. Murat Gecaj, 4 tetor 2017

Nga: MURAT GECAJ

Si sot, 25 vjet më parë, edhe në familjen tonë përjetuam një ngjarje të pazakontë e troditëse. Por këtë “gjëmë kolektive” e përjatuan sa e sa familje, jo vetëm në kryeqytetin tonë, por dhe në qytete e fshatra të mbarë Shqipërisë. Pa e zgjatur, shënoj këtu se edhe dy djemtë tanë u bashkuan me turmat e të rinjëve e të rejave, që vërshuan për në qytetin e Durrësit, pa e ditur mirë se ku do t’i çonin!

Që aty, me anijen e tejmbushur “Tirana” ata i drejtuan për në anën tjetër të Adriatikut, pra i zbritën në portin e Brindizit të Italisë. Edhe tani na duket se e ndiejmë atë shqetësim e tronditje shumë të madhe shpirtërore.

Por u qetësuam sadopak, kur ata arritën të hynin në një familje italiane dhe që andej të na njoftonion me telefon, në shtëpinë e një fqini, se ishin shëndosh e mirë.

Pastaj ngjarjet rodhën shumë shpejt dhe, në ato ditë, shumicën e emigrantëve shqiptarë, të 6 marsit 1991, i dërguan me tren për në qytetin verior të Italisë, Asti. Aty i vendosën në një kazermë ushtarake, deri sa i shpërndanë nëpër familjet e atij qyteti. Rasti e solli që dy djemtë tanë i morën në familjen e tyre çifti Adino e Mirela Genta. Aty qëndruan rreth tre muaj dhe ata u kujdesën që t’u gjenin punë e më vonë edhe shtëpi me qera, bashkë me një shok të tyre.

Me merakun për t’i parë nga afër, se ku jetonin e punonin djemtë tanë, arrita që të merrja vizë në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe shkova në Asti e qëndrova një muaj, bashkë me ta. Nga largësia e 25 viteve, gjej rastin që t’u shpreh falënderimet tona të përzemërta jo vrtëm familjes Genta, por dhe mjaft të tjerave, që pata rastin t’i njihja dhe që i mbështetën e u kujdesën për djemtë shqiptarë, që shkuan emigrant në atë qytet.

Me dhimbjen dhe emocionet e asaj kohe, më pas ( 6 mars 2011), unë shkrova një vjershë modeste, të cilën e kam publikuar më parë dhe me të cilën po i shoqëroj këto radhë. Gjithashtu, po botoj edhe një foto të rrallë, të tetorit 1991, ku jam bashkë dy djemtë tanë dhe me disa miq të tyre, që kishin shkuar edhe ata emigrantë në Asti. Në këtë qytet kam qenë shpesh here, gjatë këtyre viteve, pasi aty jetojnë pësëri me familjet, që krijuan djemtë tanë, por dhe shumë të tjerë, që morën udhët e mërgimit, në marsin e 25 viteve më parë.

Uroj e shpresoj që, megjithëse kanë kaluar kaq vjet, përsëri emigrantët e asaj kohe, një ditë të rikthehen përgjithnjë, në Atdheun tone, i cili sado ndadalë, po ecën në rrjedhat evropiane. Se, kudo që të shkojnë e sado mirë që të jetojnë ata, askund nuk do ta gjejnë ngrohtësinë e vendlindjes së tyre!

Tiranë, 6 mars 2016

AH, KY 6 MARSI 1991…

( Sa kujtime e dhimbje na sjell!? )

Kam shkruar, më parë, për këtë datë të paharruar,
që zemrat e shumë shqiptarëve fort i pat’ copëtuar!
Sa shpejt ikën vitet, ato u mbushën plot njëzetepesë…
Po, a e dini, vallë, se ato gati janë një jetë e tërë?
Atë ditë Tirana gjëmoi si një i fuqishmëm- tërmet
dhe ngjante se këmbë njeriu këtu nuk kishte mbetë;
vraponin e vraponin-vargua, plot të rinj dhe të reja,
sa dukej që njerëzve në mes iu ishte këputur jeta.
Nëna e baballarë u lebetitën e ata shumë lotuan,
të gjithë të shtangur, drejt portit të Durrësit shkuan.
Anija “Tirana” atë ditë priti plot miq të paftuar
dhe nuk e dinte aspak, se ku kishte për t’i dërguar;
mbi ujë e tallaze, me shpejtësi filloi të lundrojë,
deri sa në brigjet italiane udhën ajo e ndaloi.
Po, ankthin tonë, a e merrni ju sot me mend,
se të gjithëve as toka aspak nuk na zinte vend?!
Nuk dinim ne asgjë, për djemtë as për vajzat,
Se ku, vallë, i kishte pëplasur e egër vala?!

……………………………………….

Kjo histori është, tashti, plot njezetepesëvjeçare,
po më kuptoni, se dhimbja nuk na është hequr fare;
mendja e sytë na kanë mbetur ne atje, përtejdeti
e përsëri sikur i ndiejmë lëkundjet e atij “tërmeti”.
Lexuesi im, më beso ti mua, që nuk jam poet,
por kur njeriu kujtesës detyrohet e i thërret
e dhimbjen sadopak dëshiron ta pakësojë,
atëherë, çuditësisht, niska që të vjershërojë!?…
U kërkoj ndjesë, për vargjet që më lart shkrova,
Por, kështu, mendje e zemër sadopak i lehtësova.

…………………………………………

Tani, më falni, se në Internet po më vjen sinjal
dhe në anën tjetër po prêt të lidhet me ne njëri djalë;
pra, me figurë e zë, përsëri sot ne do të bisedojmë
e atë datë, aq të dhimbshme, përherë do ta kujtojmë…

(Shkruar së pari, më 6 mars 2011, ora 20.00)