Pushtimi grek dhe tmerri i çupave të Korçës

0
570

ortodoksët e zhgënjyer: Ç’të bëmë moj Greqi, që na dhe këtë shpërblim!

Nga Vepror Hasani, Rrjetat in Dossier, 26 gusht 2018

Ushtria greke hyri në Korçë më 7 dhjetor 1912. Që në çastet e para u përpoq të tregonte se ortodoksët e Korçës ishin vëllezërit e saj. Ata do të ishin të mbrojtur dhe nuk do të pësonin asgjë nga lufta. Kjo ishte dhe arsyeja pse ortodoksët pranuan t’i vishnin fëmijët me rroba bojëqielli dhe shtëpitë t’i lyenin me ngjyrën e flamurit grek, që vëllezërit të kuptonin që ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka për njëri-tjetrin. Madje nuk u kursyen të mbanin në shtëpitë e tyre 15.000 ushtarët e Greqisë.

Fillimisht u vu re një miqësi idilike e mbushur me dashuri, sinqeritet dhe çiltërsi, por me të kaluar vetëm pak kohë, gjithë tmerri nisi të binte mbi çupat e Korçës. Grekët harruan që ishin vëllezër. Rrëmbenin çupat dhe i çonin rrugëve të qyteteve të Greqisë. Ato besonin se ishin martuar me djemtë e Greqisë, pa e ditur se e nesërmja për to do të ishte skëterrë. Të gjitha këto do t’i sjellim përmes artikujve të nxjerra nga shtypi i kohës.

“…Këtë vjeshtë në Korçë u martuan shumë vajza me ca kapedanë andarë, oficerë ose ushtarë grekë, pra mësoni se më tepër (pjesa më e madhe) e këtyre nuseve u lanë nga burrat (nga grekët). Nja katër i shpunë gjer në Athinë duke bërë (gjoja) udhëtimin e dasmës, atje i lanë rrugëve të qytetit si dhe në Pire, tetë i shpunë deri në Selanik dhe atje i lëshuan rrugëve, ku s’mbeti gjë tjetër përveçse të zënë udhën e papëlqyer për rrojtjen e tyre. Dy i lanë që në Follorinë dhe ca të tjera nuk i munduan kësisoj, po i lanë që në Korçë. Gjithë këto janë dëshmitë dhe theroritë e liriprurësit – greqizmës dhe të qytetërimit, ose të barbarizmës greke…”

(Gazeta “Koha”, 1 prill 1915)

“…Në Korçë po ngjasin edhe turpe të tjera të papëlqyera dhe na vjen shumë keq që gjenden akoma ca korçarë, të cilët edhe s’kanë kuptuar se ç’zuzarë dhe njerëz janë oficerët e Greqisë. Në Selanik, në Dramë, në Seres, në Karaferje, në Follorinë dhe gjetkë e kuptuan karakterin e ulët, të sjellat e liga të oficerëve grekë dhe sot në gjithë këto qytete, jo (vetëm) që nuk i qasin t’u kapërcejnë pragun e shtëpive të tyre, por asnjë kalimera (mirëmëngjes) nuk këmbejnë me ta. Kaq u janë mërzitur sa u janë bërë halë në sy. Fatkeqësisht, në Korçë gjenden ca familje që u kanë hapur të dy kanatat e portës dhe i mbajnë në shtëpi me të ngrënë e me të pirë, me të shtruar e me të mbuluar. Edhe këto shtëpi së shpejti do të kuptojnë lajthimin që bëjnë dhe s’ka dyshim që do të pendohen, por është frika se atëherë do të jetë vonë. Neve i dërgojmë në Selanik e në viset (vendet) e zënë ngojesh (në qytetet e përmendura më sipër, shënimi ynë-V.H) që të marrin pak mësim nga sjelljet e vendasve ndër oficerët e Greqisë dhe kështu që Korça dhe viset tona s’kanë asnjë nevojë që të përkëdhelin këta bukuroshë…”

(Gazeta “Koha”, 8 prill 1915)

“…Letrën që u pata dërguar më parë nuk di në u ra në dorë dhe në mësuat vojtjet tona, për këtë (po) u shkruaj prapë sot, që jeta tonë u bë e paduruar nga të qeverisurit e grekëve. Si mjer dhe mjer neve fukarenjtë që ndodhemi këtej në duartë e barbarëve grekë. Mjerimet, ndjekjet, vdekjet nga uria dhe gjithë të këqijat janë varur mbi kokën tonë dhe nuk shkruhen dot. Mallkimi i Shqipërisë na ndoqi dhe po na ndjek se nuk ia dimë kimetin! (vlerën). Tashi e kuptuam bukur cili është greku, ata që betoheshin “ja vdekje, ja bashkim”, (bëhet fjalë për grekomanët), mallkojnë fatin e lig kur shkeli këmba e grekut këtu (në Korçë) se po e shohim që planet që kishin grekët për të djegur Korçën e ta bënin hi, jo vetëm që e (për)mbushën, (por) përkundrazi e kapërcyen njëqind herë më shumë! Njqind herë më mirë ta kishin djegur se sa ta lënë në mure vetëm, dhe me ca njerëz që s’u ka mbetur as fryma, as shpirti…” (Korça ishte braktisur nga myslimanet, kishin mbetur vetëm ca pleq- shënimi ynë)

(Gazeta “Koha”, 12 gusht 1915)

“…Oficerët grekë zunë të tjera përdorime për t’u zengjinosur (pasuruar), duke na çnderuar vendin dhe zakonet e shenjta që kemi trashëguar nga shtërgjyshërit tanë. Pyesin cilët janë zengjinë nga korçarët dhe kanë çupa, dhe kur mësojnë (cilët janë të pasurit), zënë evgjitët (kështu i quanin korçarët grekët) të shkojnë dendur nëpër ato rrugë duke kërkuar me mënyra të poshtra që të hedhë dashuri ajo çupë ose mos e gënjejë me gënjështrat dhe dhelpëritë! Po kur shikojnë që nuk u ndezin këto zagarllëqe, atëherë përdorin forcën e tyre duke i rrëmbyer çupat me pahir nga gjiri i prindërve, të cilët të shtrënguar, me dashje ose padashje i bëjnë dhëndurë evgjitët, se s’kanë çtë bëjnë. Të tilla poshtërsi kanë ngjarë shumë se nuk ka qeveri që të dëgjojë qarjet e të mbrojë nderin e vendasve dhe tani shpejt ngjau një e këtillë edhe me çupën e Sotir Manos, i cili është zengji i madh dhe shumë i ndershëm. Këtij qytetari i rrëmbyen çupën me pahir nga shtëpia dhe ku e shpunë, Perëndia e di. Prindërit e mjerë u qanë dhe e kërkuan por më kot, kur pas dy jave del një maskara evgjit oficer, i cili thotë që çupën e ka ai dhe e do për grua. Prindërit nuk janë të bindur dhe nuk duanë, andaj nuk dimë qysh do të mbarohet kjo punë që ka brengosur gjithë qytetin…” 2

“…Dasmat e oficerëve grekë me vajzat e Korçës sa vjen dhe po shtohen. Nuk ishte që vjet shumë vajza u martuan e u shkretuan, (mbetën rrugëve të Greqisë), dhe sot po gjezdisin të shkretat nëpër Korçë, Follorinë e Athinë, por edhe të tjera akoma u martuan gjoja, dhe kërkojnë të martohen me grekër (pasi janë mashtruar). Grekët janë prej fisi kaq shumë fallxhin sa të mbushin me gënjeshtra dhe të zënë sytë, përkundrazi neve korçarët nuk jemi asoj Andaj sot në Korçë tërë sa djem që ndodhen këtu dhe tërë gratë e Korçës janë kaq shumë të egërsuar kundër oficerëve dhe ushtarëve grekë sa të jetë e mundur t’i hanë me dhëmbë…”

(Gazeta “Koha”, 14 shtator 1915)

“…Sot në Korçë asnjërit nuk i vjen mirë të martohen vajzat e Korçës me ca rrjepacakë të Greqisë! Djemtë ashiqare flasin kondra kësoj sjelljeve të oficerëve grekë sa nuk u vjen mirë që vajzat më të mira të marrin ca të pabukshëm të Greqisë. U ka hyrë kaq shumë namuz dhe sedër djemve të Korçës sa nuk do të jetë çudi që të goditen një ditë me oficerët dhe nëpunësit e Greqisë. Nëpër zyrat, nëpër kafenetë dhe kudo që gjenden veçan, nuk flasin për gjë tjetër përveçse për vajzat e Korçës dhe bisedojnë çfarë soj myrafetesh të përdorin, që të marrë cilido akcilën vajzë, bijën e filanit, ato që kanë para, prikë më tepër. Prej korçarëve, sa janë ndodhur mbi kësoj bisedime, e drejta është që u ka ardhur rëndë dhe kurdoherë janë përfolur me grekët për këtë çështje. Të shikojmë si do të venë këto punëra të fëlliqura, po është shpresa se do e fitojnë inatin e korçarëve dhe do t’ua thyejnë turinjtë grekëve…”

Kjo ishte situata pas ardhjes së ushtrisë greke në Korçë, ndërsa prindërit e vajzave nuk ishin në gjendje të bënin asgjë. Të përballeshim me pushtuesin e kishin të pamundur. Por, përveç sa më sipër gazeta “Koha”, zbulon edhe një fakt tjetër mjaft dëshpërues. Një vit para ardhjes së grekëve, në shkollat greke të vajzave luhej kumar. Ja çfarë thuhet në kronikat e saj:

“…Në vend të mësimeve kanë mësuar kumar!!! Përditë lozin në shkollë me të holla dhe jo vetëm kaq, po mblidhen dhe nëpër shtëpi ku lozin shoqet këtë mësim të bukur!

Le të gëzohen prindërit për arsimin dhe përparimin e çupave për të cilat kujdesen dhimogjerondët e fortë dhe mësonjëset që i vraftë mushk’ e priftit!!!”

(Gazeta “Koha”, 10 shkurt 1911)

Gazeta “Koha” ndihet e shqetësuar, nuk harron të shkruajë përsëri mbi këtë çështje:

“Në numrin që shkojti patmë shkruar një lajm, i cili na pikëllojti zemrën kur e botuam me qëllimin që ishte për çupat tona, të cilat shprehim t’i shohim nesër mëma duke dhënë një arsim të mirë fëmijës. Do të ishim fort të kënaqur ta xvërtetonim (përgënjeshtronim) këtë lajm të keq, por njëkohësisht është e vërtetë, andaj duke kërkuar fajtorët edhe goditur, që të mundim të shpëtojmë fëmijët t’ënë nga ky turp edhe rrezik! Bëmë kërkime dhe mësum që në shkollat greqishte të z. Duro ka kohë që kur çupat losnin me të holla kartat. Kishte arrirë kaq kumari sa losnin me 5 grosh radhën edhe jo të paka çupa kanë humbur mexhitka! Këto të holla i merrnin nga prindërit për libra ose për tjetër gjë q’u duhej. Nuk do tregojmë emra, po duam vetëm të pyesim, cilët janë fajtorët? Fajtorët janë në skolë, të parët Eforët, Dhimogjerondët dhe mësonjëset. Këta zotërinj dhe zonja, të cilëve u janë besuar fëmija t’onë askurrë nuk janë kujdesur për arsimin e fëmijës t’onë…”

(Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911)

“Shkollat, me që është behar janë mbyllur, po tre mësonjësit e muzikës që i kanë sjellë nga Greqia, ata punojnë dhe po u mësojnë vajzave si t’i bienë qitharës, mandolinës, violisë, si të lozin valle dhe si të hedhin këmbët! Korça, ku të gjithë bota nuk kanë bukë të hanë, Korça të paguaj dhe të ushqejë tre mësonjës që t’u mësojnë vajzave si të lozin këmbët! Kjo çudi nuk ka ngjarë në asnjë vend, vetëm këtu në Korçë, ku greku na pruri Eleftherinë dhe na dërgoi të ushqejë tre mësonjës të muzikës, që me kësoj mënyre të na bëjnë që të humbasim dhe nderin, dhe namuzin e familjes dhe të shqiptarëve dhe të na bëjë shok të vetes së tyre. S’t’u thye ajo këmbë moj Greqi, që na solle kësoj eleftheri”.

(Gazeta “Koha”, e shtunë 3 maj 1914)

Çfarë të bëmë moj Greqi?! Kjo ishte pyetja e ortodoksëve të zhgënjyer

Gazeta koha shkruan: “Çtë liga moj Greqi të bëri Korça tynë, që deshe ta prishnje me këtë kryengritjen e fundit (të 2 prillit 1914), që bëre tinë këtu? Vallë nuk është Korça, e cila pothua pareshtur, mbajti nëpër shtëpitë e saj 15.000 ushtarë tënd, që më 7 shënëndre 1912 deri më 18 shkurt 1914? Korçarët janë ata, të cilët pas urdhërit tënd dhe nga shtrëngi e madhe, që u vure, mveshën fëmijën e tyre me rroba bojëqielli dhe lyen shtëpitë e tyre me bojën tënde nacionale, prishnë kaq të holla badiava nga e keqja, dhe që të mos prishnin qejfin tënd dhe që të tregoheshin që bindeshin me urdhërat tënde. Dhe sa e sa të tjera të mira dhe therori bënë korçarët për ty moj Greqi, të cilat këtu nga vendi i ngushtë i fletës (gazetes) nuk t’i numëroj dot…”

E megjithatë, tmerri që provuan çupat e Korçës për disa vite me radhë, (1912-1916), nuk u harrua kurrë.