Poezi nga Flora Peçi

0
1001

Flora Peçi

U VERBOVA…

Nanurisjet e djallëzisë tënde
Djepi i dashurisë sime
Nuk i dëgjoi
Dallgët e fëshfërimat e puthjeve tjera
Nata m’i fshihte
U verbova,
Nanurisa djepin e nanurisjeve tjera.
Ike…!
I pa nanurisur deri në fund
Fëshfërima e kurmit tënd
Iku dhe nuk la gjurmë.

RRUGA PËR TE TI

Si meteor rashë sa herë për tokë
U ngrita, një zë më pëshpëriste
Çapitur, zvarritur
Gjemba shkela
“Hap dritaren”
Më pëshpëriste ZËRI
“Ngrihu,
Vazhdo te foleja e lumturisë”-
Dëgjova ZËRIN
U hap dritarja
Erdha te ti
“TË DUA” të thashë
U shndërruam në një
Heshtja foli vetë.

MENDIME TË THYERA

Mas kohën
Tik-taket e orës
Ikin të gjitha
Davaritem, përpëlitem
Pres…!
Ajo që iku
Edhe po u kthye
Në pasqyrën e thyer ngjan
Ngjitja gjurmë lë..
Nuk dua të pres.

BRUT I KOHËRAVE MODERNE

Gjurmët tua në folenë time
Si copëza të thyera kristali
Frymojnë vrragë të rënda
Zemrës m’i fale zhgënjim
Brut i kohës moderne
Erdhe për të thyer gotën
Për ta shqyer një dashuri
Për të rrënuar një fole

VULË E ARGJENDTË KOHE

Flokët e thinjura të nënës sime
Vulë e argjendtë dhimbjesh
Si një dritare e kohës
Që shikon në kujtesë
Rrudhat e ballit
Gjurmë motesh të vrazhda
Si fletët e një ditari
Mbi tragjeditë
Sa m’i ngjan bjeshkës
Që hapet drejt qiellit mes resh
Për ta prekur diellin për mua

SA SHUMË KE SHKARË

Prita të zbardh mëngjesi
Në gjysmështrat gjumi nuk më zuri
Derisa këndoj këndesi

Erdhe me agun
Si një rrebesh i akullt
Mllef zbraze në pafajësi

Ika shpirtvrarë
Pa zë pa fjalë
Dhe çuditërisht më dhimbsesh
Sa shumë ke shkarë

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar