POETIKA E ARISTOTELIT NË PËRKTHIMIN DHE OPTIKËN STUDIMORE TË ANTON NIKË BERISHËS

0
100
Anton Nikë Berisha - Aristoteli - Qasje e artit poetik

Isak Ahmeti

  1. Hyrje

Shtëpia botuese Argeta LMG vitin e kaluar (2020) nxori në dritë librin: Aristoteli, Qasje artit poetik (Poetika) në përkthimin, studimin hyrës dhe shënime të Anton Nikë Berishës. Me këtë botim të veprës së Aristotelit: Peri poietikes – Qasje artit poetik, e njohur më shumë me titullin e thjeshtësuar POETIKA, siç e thotë edhe vetë studiuesi i mirënjohur te Fjala paraprake (f. 17-19) Anton Nikë Berisha, ka pasur dy qëllime:

I pari: T’i ofrojë lexuesit tonë një përkthim që i afrohet sa më shumë që është e mundur tekstit të kësaj vepre të shquar të Aristotelit,  që, edhe pse e shkruar rreth 2300 vjet më parë, vazhdon të bëjë jetë të gjallë, jo vetëm në mjediset e studiuesve të letërsisë e të kritikëve letrarë, po edhe të profesorëve universitarë, të studentëve e të nxënësve të rrafsheve të ndryshme, meqë është bërë pjesë edhe e programeve shkollore…

I dyti: Përmes studimit hyrës të ndriçohen disa nga çështjet letrare më të qenësishme dhe natyra e tyre që shtrohen në këtë vepër të Aristotelit, e cila nuk rresht të jetë objekt vështrimesh e ballafaqimesh të vijueshme të studiuesve më të njohur të letërsisë te popujt e ndryshëm në mbarë rruzullimin tokësor. Ekziston një literaturë, të thuash e pafund, e përkthimeve dhe e  studimeve që i janë bërë dhe i bëhen kësaj vepre jo vetëm me qëllim të njohjes  dhe të ndriçimit të mendimeve që shprehen në të, por dhe për t’i  bërë ato pjesë  të mendimit  teorik  dhe estetik.

Sa i përket përkthimit të Poetikës së Aristoteli, vlen të theksohet me këtë rast se ai është bërë, siç e thotë edhe vetë autori, Anton Nikë Berisha, te Fjala paraprake (f. 17), nga disa përkthime në gjuhë të ndryshme me qëllim që të kemi në shqip tekstin sa më të plotë të Aristotelit të ndërtuar e të mbështetur mbi një bazë terminologjike  të mirëfilltë letrare moderne, që i përgjigjet rrjedhës së tanishme të mendimit teorik dhe estetik të artit të fjalës.

  1. Tri çështje kryesore…

Vepra “Qasje artit poetik” e Aristotelit, sipas shumë studiuesve, por edhe sipas studiuesit Anton Nikë Berisha, është vepër monumentale, ka një rëndësi të shumëfishtë, për të mos thënë të jashtëzakonshme, për arsye se në të vështrohen, në mënyrë gjeniale, një varg çështjesh të rëndësishme për letërsinë, në mënyrë të veçantë për dramën dhe për epikën, për rëndësinë e veprës letrare për marrësin (dëgjuesin ose lexuesin), pra për estetikën e veprës, po për aftësinë dhe rëndësinë e marrësit, pastaj për disa lloje -gjini letrar etj.

Nga studimi që i bën veprës Qasje të artit poetik të Aristotelit, studiuesi i shquar Mihail Bahtin, thoshte: “Teoria e gjinive (…) deri në ditët tona s’ka mundur të shtojë gjë substanciale në atë që është bërë nga Aristoteli. Poetika e tij mbetet bazë e pandryshueshme e teorisë së gjinive, sado që nganjëherë kjo bazë të jetë thellësisht e fshehur sa të mos shquhet”.

Sipas  studiuesit kroat, Zdeslav Dukat, të cilit i referohet edhe studiuesi Anton Nikë Berisha, kjo vepër shënon fillimin e shkencës së letërsisë evropiane. Vepra e Aristotelit  me vlerat që ka, ka pasur një ndikim të madh në teorinë dhe studimin e krijimtarisë letrare të periudhave të ndryshme, po dhe ka shkaktuar dukurinë e lëvizjeve dhe mendimeve që e kanë mohuar vëzhgimin e Aristotelit. Mirëpo, duhet thënë se vlefshmëria e qasjes së Aristotelit  letërsisë dhe estetikës nuk është zbehur as sot, prandaj ajo paraqet veprën e pakapërcyeshme, gjeniale, dhe në bashkëkohësinë tonë.

Tri janë çështjet kryesore që kanë ndikuar që autori i këtij libri, Anton Nikë Berisha, t’i qaset dhe ta vëzhgojë veprën Qasje artit poetik të Aristotelit:

“1. Në këtë vepër, në një mënyrë ose tjetër, Aristoteli sublimoi përvojën dhe dijen për letërsinë e kohës së tij dhe të paraardhësve të tij, Empedoklit, Sokratit, Demokritit, sidomos mendimet e Platonit .

  1. Njohja e mendimit të Aristotelit për letërsinë, mënyra se si lindin veprat mbi bazën e mimesisit, njohja e natyrës së poezisë (lexo: letërsisë) përballë historisë, pastaj njohja e veçantive të llojeve-gjinive letrare, sidomos të tragjedisë dhe të epikës, të mundësisë së ndikimit të së bukurës të veprës letrare poetike  në marrësin, të dukurisë së katarsës, që shprehet sidomos gjatë shfaqjes në skenë të veprës dramatike, ndihmon të vërejmë sa ka ndryshuar dhe sa ka shkuar përpara mendimi teorik, estetik dhe interpretues i letërsisë dhe i veprave të veçanta letrare përballë asaj që ka thënë Aristoteli rreth 2300 vjet më parë.
  2. Duke u marrë me mendimet e Aristotelit për letërsinë i jepet jetë studimit të mëtejshëm të saj, i cili ka për detyrë të dëshmojë që letërsia si art të bëhet e të jetë pjesë e pandashme e veprimtarisë shpirtërore të njeriut, që sot funksionon dhe përcillet , pra dhe ndikon përmes mjeteve të ndryshme bashkëkohore  teknologjike, e jo vetëm përmes leximit të librit ose shfaqjes së veprës në skenë” (f. 21-22).

3. Qasje artit poetik të Aristotelit

Përkthyesi i përkushtuar dhe studiuesi i pasionuar i  Poetikës së Aristotelit,  Anton Nikë Berisha,  i është qasur  veprës së Aristotelit përmes katër njësive shkrimore (f. 24 – 92) që janë:

  1. Tradita para aristoteliane,
  2. Letërsia si art i fjalës,
  3. Çështje teorike-poetike të letërsisë dhe
  4. Çështje të estetikës së artit të fjalës

Duke u marrë me vëzhgimin e pikëpamjeve të Aristotelit shprehur në veprën: Qasje artit poetik – Poetika , përkatësisht  qasja mendimeve të tij  për artin e fjalës, thotë studiuesi, nuk domethënë kthim prapa, kodifikim  i përcaktimeve të dukurive të letërsisë , por njohje  më e mirë, hapje dhe pasurim i mendimeve dhe vlerësimeve , vetëdijesim i mundësive të pafund  të komunikimit  dhe të interpretimit të veprës letrare si strukturë  gjuhësore  poetike, në kuptimin sidomos të asaj që thoshte  me të drejtë Gadamer “Tradita nuk është vetëm një përmbledhje  mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme,  po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen  në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri” (f. 23).

Në kopertinën e prapme të përkthimit të Qasje artit poetik të Aristotelit, të përkthyer e të plotësuar me studimin hyrës dhe me shënime të rëndësishme, përkthyesi letrar, Elvi Sidheri, shkruan: “Pas një leximi plot ëndje dhe vëmendje, në çastin që e mbarova përkthimin e Qasje artit poetik të Aristotelit nga Anton Nikë Berisha, disa mendime m’u përvijuan vetvetiu në mendje.

Përkthimi në fjalë i këtij gurthemeli të artit poetik botëror, ka përparësinë madhore se është bërë me përkushtim, dije të thella dhe duke përdorur metodën krahasuese, mes disa përkthimeve të mëparshme prej gjuhëve të ndryshme që Anton Nikë Berisha me të drejtë i ka përmendur, por edhe seriozitetin e tij të dëshmuar si njeri i gjuhës dhe kujdesin e skajshëm për ta prurë sa më pranë burimores këtë vepër.

Kjo më pëlqeu edhe më shumë, duke qenë një veçori e përkthimit të tij, që duke e sjellë sa më kuptueshëm në shqip, 2300 vite pas shkrimit të kësaj vepre, ai ka ruajtur gjithsesi frymën burimore, tiparet dhe formën e vetë Aristotelit, sepse përndryshe vepra do të ishte padyshim e përçudnuar (si ndodh shpesh në përkthimin e klasikëve të lashtësisë), duke humbur përmbajtjen dhe tingullin e saj të mirëfilltë.

Është këndshëm kur vepra ndihet e lashtë, edhe kur e lexon në 2020, po sërish është e kuptueshme, e kjo është merita e veçantë e këtij përkthimi.

Qasje artit poetik rrjedhimisht do të përbëjë ndoshta një pikënisje, një udhëzim për përkthyes të tjerë, që duan të lëvrojnë letërsinë antike”.

Në fund po theksoj se kjo vepër, pa harruar këtu edhe veprën madhore ESTETIKA DHE ESTETIKA E LETËRSISË (2018 bashkë me Labinot Berishën), është një kontribut i çmueshëm, madje i pakrahasueshëm, në fushën e estetikës në botën tonë.

Stubëll, tetor 2021