NË DITËN E FLAMURIT KL ”ZAHIR PAJAZITI” PROMOVOI DY LIBRA DHE MBAJTI ORË LETRARE

0
999

Milazim KADRIU

Nëntori është muaji i fitoreve historike. Kështu më 28 nëntor të vitit 1443 u shpall rimëkëmbja e Principatës së Kastriotëve. Atë ditë me rastin e marrjes së Krujës, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu urdhëroi që në Kështjellën e Krujës të ngrihet Flamuri me shkabën e zezë dykrenore i Principatës së Kastriotëve. Më 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali me bashkëluftëtarët e bashkëmendimtarët e tij, ngriti në Vlorë, Flamurin Kombëtar me shqiponjë të zezë dhe me fushën e kuqe, duke shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Më 28 nëntor të vitit 1955, në Prekaz të Drenicës,u lind heroi i kombit, komandanti legjendar Adem Jashari. Ndërsa më 28 nëntor të vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë publikisht dhe kishte kërkuar mobilizim gjithë-popullor për luftë të armatosur kundër regjimit kriminal të Millosheviqit dhe ushtrisë e policisë së tij vrastare.

Duke përkujtuar këto data të rëndësishme të historisë kombëtare KL “Zahir Pajaziti” në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë, promovoi dy libra dhe mbajti një orë të madhe letrare.

Kështu u promovuan libri “Shqipëri” nga grup autorësh nga e gjithë gjeografia shqiptare, përgatitur nga Rudi Berisha dhe libri “Gjuha e truallit tonë”, bashkautor Fadil H. Curri dhe Zymer Mehani, botuar nga KL “Zahir Pajaziti”.

Me një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit kryetari i KL “Zahir Pajaziti”, Rudi Berisha. Për librin “Shqipëri” foli recensenti i librit zymer Mehani, ndërsa për librin “Gjuha e truallit tonë” foli Milazim F. Kadriu. Për këto libra fjalë rasti paraqitën edhe Fadil H. Curri dhe Kolë Beci nga Selita e Mirditës.

Më pas në orën letrare krijimet e tyre i lexuan dhjetëra poet nga të gjitha viset shqiptare që janë të përfshirë në librin ”Shqipëri”.

Edhe disa pika muzikore interpretuar nga rapsodi nga Shkupi Tahir Seferi freskuan manifestimin letrar.