PARA BULËZAVE

0
397
Musa Ramadani

PARA BULËZAVE

(In Memoriam: Musa Ramadanit)

Mehmetali Rexhepi

u shkri qiriu i Mu Rait
pakës para bulëzave të reja të stinës
i hapi fletët dhe tash mund të trazohesh prej thimthash të grerëzës
mos mallko grackën e lules e të bletës
nuk e bëri katërkëmbëshi
qindra pickime turinjve syve në një zgorre lisi
kosto e tundimit të mjaltës ngriti në vertikale
ariun mbi një prirje instinkti
Mu Rai ua mbështillte cipën fjalëve me klorofilin e pavenitur
kasketa mbi sy u bënte hije dy liqeve të tij
aty përmbyseshin anije perandorësh gojë-hapur
princat mbi ata liqe i kishte lajthitur syprina
fytyra faqe buzë gjinj tamblore bele e kofshë floçkash copëzuar
zbërthe mozaikun dhe do të vlojë afshi i përgjuar

*
shteren dhe liqenet tuaj Maestro mbeti “Ligatina”
dhëmbët e kohës së uritur përpinë gjysmën e Gllamës
ankthi i “Zezonës” u ngjiz në gjenet e amës
nuk e ndali dot ritmin “Vrapuesja e Prizrenit”
Maratonomakja ia shpinte Majlindës në dorë trofeun

*
Maestro fli i qetë
në çdo fletë fshihen qindra-mijëra sy
i mbylle vetëm dy
kokrrat e grurit dhe të egjrës
i rrisje me lëngun “Thirravaje”
i sitje në shoshën“Neurosis”

*
“Eugjenika e tri deteve”
ftoi muzat të shpërfaqnin mijëra derte

Gjilan, më 11 mars 2020