Njerëzit me vlera do të kujtohen nga brezat

0
132
Sali Hida

Ibrahim Kabili Këto radhë po i’a kushtoj veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe njërit prej veteranëve më të vjetër të arsimit në zonë, të ndjerit Sali Hida. Ruaj për Të kujtimet më të mira si njeri human, si mësues i përkushtuar dhe veprimtar i mirë shoqëror. Shpreh mirënjohjen time të thellë për Salën pasi ai më ndihmoj e më hapi rrugën për të punuar e kontribuar në arsim. Kjo rrugë për mua qe e gjatë mbi katër dekada, plot sfida për kohën, pasionante dhe e bukur, mjaft e vështirë, por në fund besoj e fituar…

Ai jo vetëm e bëri këtë pa asnjë interes por më mbështeti edhe më pas në këtë rrugëtim që më ndryshoi jetën. Si unë edhe bashkëkohës të tjerë, në arsim dhe në ekonomi, e kanë ndier nga afër mbështetjen e Salës, si njeri e pushtetar dhe e kujtojnë me nostalgji atë. Komuniteti e kujton me mall mësuesin normalist që punoi një jetë në arsim, si kuadër dhe veprimtar në shërbim të tij. Kujtimi për njerëz si ai do mbeten në përjetësi për ato që e njohën dhe punuan me të, e patën ndihmën e tij. Le të shërbejë edhe ky shkrim në këtë përvjetor të tij, si homazh e nderim për Të, si një memorje për brezat që do vijnë…

Sali Hida lindi në Fshatin Mëner i Sipërm më 10.10.1930. Lindi në një familje të thjeshtë por me tradita patriotike dhe atdhetare. Familja e tij qe e njohur në zonën e Bendës dhe më gjerë. Vetë Saliu qe një fëmijë i shkathët dhe i etur për shkollë. Gjendja ekonomike e shoqërore e kohës qe shumë e vështirë. Kushtet për shkollim në fshat e krahinë në këtë kohë të paraluftës qenë të vështira e thuajse tëpamundura. Saliu duke patur shumë vullnet dhe ndihmën e familjes mundi të shkollohet. Ai arriti të bëhet mësues, madje një mësues shembullor. Sala përjetoi që në moshë të re skamjen, mjerimin, varfërinë e skajshme dhe pushtimin nazifashist të vendit.

Në këto kushte e rrethana të vështira u lind, u rrit dhe edukua Saliu. Familja e tij dhe pushtimi i vendit ndikuan shumë në forcimin e patriotizmit dhe atdhedashurisë tek djaloshi i ri. Në moshën 14 vjeçare ai u aktivizua në LANÇ. Merr pjesë në formimin e Brigadës së XXIII-të Sulmuese në Zall-Mëner së bashku me pjesmarrës të tjerë nga krahina dhe më gjerë. Meqenëse ishte me moshë të re komanda e Brigadës e cakton me detyrë në Komandën e Qarkut Tiranë. Inkuadrohet atje dhe kreu me sukses dhe korrektësi të gjitha detyrat e ngarkuara nga kjo Komandë deri në çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944. Saliu për kontributin e dhënë në luftë është vlerësuar me medalje dhe gëzonte statusin e veteranit të LANÇ-it.

Mbas çlirimit të vendit Sala ka punur për rindërtimin e vendit dhe përhapjen e arsimit në zonë. Siç e cekëm edhe më sipër ai me vështirësi mundi të shkollohej, mbatoi arsimin bazë dhe më pas vazhdoj studimet në Shkollën Normale të Elbasanit. Shkollën normale e mbaroi me rezultate shumë të mira. Mbas mbarimit të shkollës Sala emërohet mësues në fshatin e tij të lindjes, Mëner i Sipërm. Për Saliun detyra e mësuesit qe e shenjtë dhe shpejt ajo u kthye në mision për të.

Gjatë punës së gjatë mbi 40 vjeçare në arsim, kryesisht në fshatin e tij të lindjes ai është dalluar për: Korrektësi në punë, këmbëngulje për të i’a qëllimit me nxënësit e CF, profesionalizëm prej normalisti në metodat e mësimdhënjes, nivel të përtatitjes ditore, kërkesë të lartë llogarie ndaj vetes dhe nxënësve, komunikim të mirë me nxënësit e komunitetin dhe rezultate të mira në punën me nxënësit. Mësuesi Saliu qe shumë i dashur dhe i respektuar për nxënësit, kolegët e punës, prindërit. Të gjithë sot e kujtojnë me nostalgji, vlerësojnë shumë dhe flasin me shumë respekt për punën dhe sjelljen e ish mësuesit të tyre. Njerëz si Sala lenë gjurmë në ardhmërinë e brezave…

Duke manifestuar këto cilësi dhe vlera Saliu ka fituar besimin e njerëzve. Ai ka kryer shumë detyra shoqërore dhe shtetërore. Edhe në kryerjen e këtyre detyra është treguar këmbëngulës dhe i vendosur për t’u shkuar deri në fund gjërave me qëllim që ti ndihmonte sa më shumë bashkëfshatarët e tij dhe zona të përparonte. Edhe në këtë aspakt qe i suksesshëm. Ishte i tillë pasi kishte një shpirt human dhe zemër të madhe. Kuadrot dhe ne punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë e kemi ndjerë shumë dorën dhe ndihmën e pakursyer të tij.

Kjo u vu re më shumë kur Saliu u zgjodh Kryetar i Këshillit të Bashkuar Zall-Bastar për periudhën e viteve 1974-’78. Edhe këtë detyrë e kreu me sukses. U përball me pengesat e vështirësi të kohës dhe doli mbi to. Zgjidhi shumë halle e probleme të njerëzve e sot mbahet mend vetëm për mirë nga ato. Ai dhe familja e tij kanë qenë dhe janë shumë mikpritës e bujarë. Nuk ka pothuajse njeri e kuadër jabanxhi dhe vendas, që nuk është mikpritur në shtëpinë e tij dhe Sala qe tepër i veçantë në këtë aspekt…

Në aspektin familiar, Saliu dhe bashkëshortja e tij Anifja, lindën rritën dhe edukuan gjashtë fëmijë. Njëra vajzë, Sania, ka punuar shumë vite në arsim si mësuese histori-gjeografie në ciklin e lartë në Shkollën 9 Vjeçare Mëner i Sipërm. Ka qenë drejtoreshë shkolle në Mëner të Sipërm dhe Vilëz. Tani punon në Njësinë Administrative Zall-Bastar. Vajza tjetër Xhumja, ka punuar prej shumë vitesh si mësuese e CF në Shkollen 9 Vjeçare Mëner i Sipërm.

Saliu sa qe gjallë është vlerësuar për punën e bërë dhe meritat që kishte. Ai është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të II-të. I është akorduar titulli “Mësues i Dalluar”. Ka marrë dhe shumë fletë Nderi e Falenderimi nga disa institucione të vendit. Vlerësime të tilla përbëjnë nder për figurën e tij dhe familjen Hida.

Ndërron jetë në moshën 85 vjeçare më 20.10. 2014. Përcillet me nderime për në banesën e fundit nga familiarët, miq, shokë dhe kolegë të tij. Saliu iku nga kjo jetë duke lënë modelin e një njeriu të mirë…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 07.10.2021