NË POEZINË E PROF. ISUF BAJRAKTARIT DO TË HASIM NË NJË KRISTALIZIM TË VARGJEVE POETIKE, ME SHPREHJE ARTISTIKE

0
290
Isuf Bajraktari - Natë e trishtuar

Sot, doli nga shtypi libri i titulluar “Natë e trishtuar” i autorit Prof. Isuf Bajraktari.

Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi

Nga: Hysen Ibrahimi[1], recension

Poezia në librin e titulluar “Natë e trishtuar” e autorit Prof. Isuf Bajraktari, do t’i imponohet lexuesit me një varg vlerash poetike, sepse janë poezi me ide të shkëlqyera të sferës letrare e artistike. Para se gjithash, duhet cekur disa ide të këtyre poezive, që përkojnë me realitetin dhe individualitetin e këtij autori krijues, siç është prof. Isuf Bajraktari.

Që nga poezia e parë e autorit e deri te poezia e fundit do të hasim në një kristalizim të vargjeve

poetike me shprehje artistike e që, mund të themi, herë-herë edhe me transparencë, për dallim nga poetë të tjerë, që shumë shpesh e përdorin enigmën në vargjet e tyre poetike. Poezitë e këtij poeti shquhen me fuqinë e  parimit apo vërtetësisë të cilën duhet treguar, qoftë edhe përmes vargut, sikurse në rastin e vargjeve të shkruara për vendin e lindjes në Mirash:

Në Mirash burojnë krojet e vjetra
Nga të lashtat disa kanë pushuar
Ujqërit po ulurojnë përreth krojeve
Pos vendeve të njohura prej të vjetërve.

Sikurse vazhdon edhe më tutje, kur mbështet realitetin e origjinës së tij, kur dihet se babëgjyshi i tij, Isuf Shaban Bajraktari, që ka qenë idol i rinisë përparimtare i çështjes kombëtare dhe, së fundi, duke qenë bashkëpunëtor i fundit i Gjon Serreçit. Rrugën e tij e ka vazhduar pinjolli i tij, në këtë rast edhe vetë Prof. Isuf Bajraktari, që e ka trashëguar emrin e babëgjyshit. Ndaj, poezia dhe vargjet poetike të autorit dëshmojnë se uji i burimeve nuk i ka fikur vatrat e Mirashajve:

Kohët e kalimit kurrë nuk ndryshken
Jeta e Mirashjanve në këtë vend nuk dihet
Oxhaku i parë i tymosur thonë se është TARA[2]

 E uji i burimeve tona kurrë nuk i fiki vatrat. Në disa raste fshihet transparaneca në tërësi, duke mos dhënë as edhe një refleks poetik që ngjall emocione të fuqishme vepruese dhe i japin kualitet artistik përmbajtjes së poezisë, që shumë shpesh lidhet me realitetin e përditshëm të kohës kur autori i ka përjetuar. Një përjetim autori e shfaq në poezinë e titulluar “KUR TË VIJ NË QYTET”, në strofën e dytë:

Ti do të më pritësh n’takim
Unë emrin tënd e harrova n’fshat
Do ta mësojmë jetën e dashur më shumë
Ti u linde herët me këngën tonë.

Kjo poezi ka kuptim racional,[3] me tkurrje emocionesh, por që autori favorizon idenë poetike. I përkushtohet edhe fatit të jetës, por me

të drejtë, në disa raste, nuk identifikon personazhin.

Shumë herë, me të drejtë, poeti Bajraktari shfaq emocionet me nostalgji, ngase poeti e përjeton rëndë mallin për vendin e tij të lindjes, duke qenë i bindur se idealet e njeriut të gjallë nuk plaken kurrë.

Kroi një ditë ndalet
E lisit i bien degët nga të thatët
Dheu i thith yjet
Ideali i përbashkët nuk plaket.

Poezitë e tilla zakonisht përjetohen dhimbshëm edhe nga vetë autori, por edhe nga lexuesi, sepse shfaqen dukuri të të përjetuarit në një kohe kur poeti ka vepruar me vetëdijen e tij të plotë. Me të drejtë, poeti në këtë poezi përcjell mesazhe me elemente të përbashkëta, të cilat asnjëherë nuk do të plaken.

Autori, në brendinë e librit përfshin shumë figura kombëtare të të gjitha trojeve etnike, ku me shumë sukses arrin kombinimin e figurave dhe me shumë kualitet në vargun poetik, ku në të njëjtën kohë  na kujton ngjarje me rëndësi historike.

Në veçanti, autori Prof. Isuf Bajraktari ngre prirjen poetike para lexuesit, në radhë të parë, me një përjetim të thellë dhe janë rezultat i një përvoje të kohës moderne në fushën e krijimtarisë poetike.


[1] Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarë dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Autor dhe bashkautor i 19 veprave artistike dhe publicistike.

[2] Sipas gojëdhënave është familja e parë në fshatin Mirash.

[3] Që mbështetet në arsyen e shëndoshë, që është në përputhje me logjikën e ngjarjeve e të rrethanave të jetës; që është peshuar e llogaritur mirë