“NATË NË MBAMENDJE” dhe “JETËSHKRIMI IM” nga Naxhije Doçi

0
529
Naxhije Doçi - poezi

Naxhije DoçiPrishtinë

NATË NË MBAMENDJE
(Poezi shkruar në kohë lufte 1999, në Kosovë)

Rrëbeshi i shiut e tmerri shungullues serb
trandin rreptë dritaren e dhomës sime
në mbjellje të trishtimit
Brenda saj vizioni i mbijetimit krenar
në injorim përflakjesh hipokrizuese.
Ishte një natë për të mbetur në mbamendje.

Gjumit ia theva marrëveshjen,
darsmor kohësh të bujshme qe bërë
shoqëruar më ngarendjen time vetëtimë.
Në kujtime udhëtova
nëpër vendet e vegimit tim,
me hove të përtërira e shpresa të pathyera,
lodhja kaherë tretur këndeve të humbura.
Në kullën e moçme frengjitë të njëjta,
edhe kthinat labirinthe të patrazuara.
Aty e gjeta galuç fëmijërinë time
strukur nga trembjet amorfe.
Rininë e vështrova në rezistencë
në mbyllje triumfale të ndryshkut të kohës.

Shtëpia e fëmijërisë sime me kate radhitur
shtresuar në palëzime edhe historia
në shprishje furtunash e përkundje djepash
Pritje e përcjellje me bujari
dashuri zemre në vazhdimësi.

Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë” – Naxhije Doçi – Prishtinë-2012

JETËSHKRIMI IM

U linda në kullën e gurtë të bajrakut
rrëzë Gardhinës plakë
me pirgje shekujsh në pamundësi numrimi,
dhe gjysh e stërgjysh rënë ndër beteja
për tokë dhe rrënjëthella mëtimi
pellazgo-iliro-shqiptare.
Përmallime të zjarrta kam për ta.

Gjuhën ma mësoi shqiponja e moteve
me bekimin e zotave të mij të parë
pasha tokë e qiell!
Gjyshja në sofrën e shtruar të bujarisë
përbehej me hirësinë e falënderimit
edhe pasha bukë e kripë e dritë e diell!

Është vullnet i shkruar i Zotit,
thënie kur qesh lindur unë,
me refrenin pastë fat në jetë
më bekuan.

Megjithatë, në shpirtin virgjëror apokalips
Nuk kishte krismë pushkësh në traditë
kur gëzoheshin edhe trerët e kullës
për përtëritjen e mirëfilltë të rrënjëve.
Në vetëdijen e tronditur eklipsesh
shtiza e bajrakut në pritje të dorës së trimit
për beteja të reja,
që nuk kishin kurrë të ndalur.

Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë” (I përkthyer në anglisht) – Naxhije Doçi – Prishtinë-2012