Legjenda e lëmit të Hasan-Nikës

0
351
Hekuran Halili

Hekuran Halili

( Kjo legjende eshte e detyruar te lexohet me kujdes dhe te mesohet nga banoret e zones time, Konispol-Mursi-Sopik… te reflektojne, se jane vellezer, pamvarsisht nga feja, tua tregojne femijeve te tyre, niperve dhe mbesave, te mos keq perdoren nga te tjeret, te huajt, qe i nxisin te prishin vellazerine qe i karakterizon mardheniet e tyre ne shekuj. Te tjeret lexues, per kulture. Faleminderit! )

Koshadhet turke nuk kishin as dhjet vjet që e kishin shtënë në dorë Konispolin me gjithë zonën për rreth, pas luftimesh të egra me dyzet kapedanët e popullin e zonës. Shekulli i pesëmbëdhjet ish.

Në krye të dhjetë viteve kërkuan që banorët të ndrronin fe, të bëheshin myslimanë. Konispolatët, që e kishin banimin kryesisht në Bregun e Kostës, ( Bregun e Koçit), u mblodhën në kuvend.

Një pjesë nga presioni pranuan, por pati jo pak që nuk e pranuan këtë.
Ata që nuk pranuan të ndërronin fe, dhe nuk ishin pak, lanë Konispolin dhe u vendosën në pronat e tyre në malin e Milesë.

Në Mile ndërtuan me murë të thatë shtëpitë e tyre, mbi dyzetë, ndërtuan kishën, bënë sterra, rregulluan burimin e vetëm që kishte vendi, burim i cili në verë thahej.

Shtuan mushkat, kuajt dhe gomerët, për të sjellë në fshat ujë nga burimet e Bezhanit të Mursisë, kur uji në sterrat dhe burim shterronte.

Fshati pas pesëdhjetë vitesh u rrit aq shumë, sa nuk përballohej furnizimi me ujë me mushka e gomerë.

Kishin dy mundësi.

Ose të ktheheshin prap nga kishin ikur e të ndrronin fe, ose të zbrisnin në kodrat e Mursisë, prap pronë e tyre, por që për rreth kishte shumë moçale e klimë jo fort të mirë.

Në dimër fusha përmbytej nga lumi i Pvlës, që i binte asaj mes për mes dhe derdhej në liqen të Buthrotit, në Kalivua.

U mblodh pleqësia e Milesë, eme gjithë njerëzia, tek sheshi i kishës dhe kuvenduan.
Vendosën të mos ktheheshin në vendin nga kishin ikur, t’i nënshtroheshin turkut e të ndrronin fe, por të zbrisnin në Mursi të ndërtonin fshat të ri..

Kështu bënë, zbritën në Mursi dhe e nisën nga e para atë, fillimisht me kasoll me kashtë, pastaj me shtëpi guri.

Një pjesë e kundërshtuan këtë vendim, me frikën se në fushë koshadhet turke do t’u binin në qafë sa herë të donin.

Kjo pjesë vendosi të zbriste në brrinjën veriore të malit të Milesë, vend më i mbrojtur, ndërtuan fshatin Sopik.

Pjesa më e madhe e banorëve të Milesë që u vendosën në Mursi, u shtua shpejt. Ndërtuan kalanë, të mbroheshin nga koshadhet turke,muret e së cilës janë edhe sot, kishën e madhe, rregulluan çezmat e Bajtopullës, të Bezhanit, të Vuvoit, dhe nisën të punonin fushën në pranverë e verë, kur lumi veshte si kostum shtratin e tij.

Bagëtia e imët me kullotat e pa shoqe të Milesë, Stillos, shtohej me orë, sa më nuk numërohej, ndërsa fusha e Kestrinës (Vrinës), u mbulua me lopët e panumërta që kishin sjellë nga Lopësi, matanë Qafë-Botës.

Nuk kaloi shumë kohë dhe koshadhet turke e sulmuan për t’a marrë.
Fshati pothuaj u dogj i tëri. Njerzit vrapuan në Kala për t’u mbrojtur. Por turqit e pushtuan edhe atë.

Ata vranë e prenë, sa deshën. Fëmijët mbi shtatë vjeç i morën dhe i hipën mbi karroca me kuaj dhe i nisën në Turqi për t’i bërë jeniçerë.

Mes këtyre fëmijëve ishte edhe një djalë dhjetë vjeçar, nga fisi i Lolovasajve.
Turqit, djalit në Stamboll i vunë emrin Hasan. Hasani u rrit shumë shpejt dhe u bë një luftëtar i rrallë.

Për meritat e dëftuar në luftrat që bënte Turqi,Hasanit i dhanë titullin “Aga”, (kryetar).
Në kohën që Hasani mori këtë titull, dyzet kapedanët e zonës së Konispolit, të Mursisë dhe Sopikut, që ishin nga e njëjta rrënjë dhe nuk i kishin shkëputur lidhjet, kishin ngritur krye dhe e kishin çliruar të gjithë krahinën nga pushtuesit turq.

Sulltani e dërgon Hasanin në zonë për ta shypur e sunduar.
Aga Hasani, biri i Lolovasenjëve, i bërë turk, kishte mësuar në shkolla të gjitha trimëritë dhe drredhitë e tyre.

Me të ardhur në krye të një reparti ushtarak të madh, nuk u ndesh ballazi me ushtrinë e dyzet kapedanëve të zonës, që për komandant kishin Nik Konispolatin, por i ftoi në një darkë në Manastirin e Amalthresë, (Mallathresë), gjoja për të darkuar dhe për të biseduar me ta.

U betua se nuk do t’i priste në besë dhe nuk kishte për të ndodhur asgjë e keqe në këtë darkë.

Një pjesë të tyre e njihte dhe e mbante mënd që nga mosha e fëmijërisë, mbasi kur turqit e morën për jeniçer, ishte goxha djalë, dhjetë vjeç.

Ca nga njohja, ca nga naiviteti që i karakterizon këta njerëz të zonës sot e gjithë ditës, kapedanët e besuan. Të dyzetë i shkuan në takimin e Manastirit.

Manastiri ishte pastruar dhe ndriçuar si për pritje miqsh të rrallë. Kryeprifti, natyrisht i vënë në shërbim të Turqisë, siç e udhëzonin nga Patriakana e Stambollit,kishte marrë të gjitha masat.

Mish të pjekur, verë e rrallë, e fortë, por me lëngje brënda që të përgjumnin, shërbetor të shumtë, tavolina dhe frone për të gjithë.

Sipas zakonit, armët i dorëzuan në hyrje të sallës ku ish shtruar gostia.
Kryeprifti, si i zoti i shtëpisë, e hapi darkën, duke u uruar mirëse ardhjen atyre burrave të shquar e luftëtarë të zot.

Në krye të tavolinave nga njëra anë, Hasan agai me priftin, nga ana tjetër Nik Konispolati me Kostën e Koçajve.

Pas priftit e mori fjalën Hasan Agai, i cili në gjuhën shqip, gjuhën e nënës, u foli për një plan që sillte nga sulltani, për paqe dhe bindje nga kapedanët dhe e gjithë zona.
Kushtet për këtë paqe dhe nënshtrim ishin shumë të rënda. Kapedanët pas debatesh të shumta nuk i pranuan dhe u ngritën të iknin.

Po kush i linte?! Ishin marrë të gjitha masat nga Hasani, për të mos lënë të dilte i gjallë asnjë nga të ftuarit. Ushtarët turq të fshehur në podrumet e Manastirit, hynë në sallë dhe i kaluan në teh të shpatës e në majë të thikës të gjithë kapedanët.

Ata u munduan të luftonin, por ishte e pa mundur. U grrinë. Pabesia të ha!
I vetmi që arriti e doli nga kasapana, ishte Nik Konispolati.

Kërkoi kalin t’ja hipte dhe të nisej në Konispol, të jepte kushtrimin, por kuajt u a kishin marrë.

U nis më vrap në këmbë. Errësirë, kohë e keqe, shi, erë. Vetëtima, bubullima. Ishte dhjetor, dhe dhjetori në këtë zonë bën hata e madhe.

Nga pas Nikës ju vu në ndjekje vet Hasani, dhe pas tij e gjithë koshadhja që kishte sjellë.
Nika në këmbë, Hasani majë kalit.

Nika vraponte si një dre, por sa do të vraponte, me kalin nuk e vinte dot. Tek lëmi në fund të Konispolit, Hasani e arriti. Filluan të luftonin për jetë a vdekje me njëri tjetrin.
Hasani mbi kalë, Nika në këmbë, Hasani i armatosur, Nika me duar, Nika i lodhur nga vrapimi, Hasani qiqër.

Dyluftimi nuk zgjati shumë. Hasani e vrau Nikën.
Bashkë me ushtarët e tij atë natë pushtoi të gjitha lagjet e Konispolit dhe luftëtarët e zënë në befasi i shkoi në shpatë ose i vari.

Për nder të kësaj fitoreje, sulltani e emëroi sundimtar të Konispolit dhe të gjithë zonës.
Hasan Agait, më nuk i flitej në emër, por veçse Aga.

Ndërtoi një kala të madhe ku vendosi familjen dhe garnizonin e vet.
Kalaja ishte plot kube, biruca, e rrethuar me mure të larta.

Në këto biruca ai burgosi të gjithë kundërshtarët dhe luftëtarët e zonës.
Rrënojat e kësaj kalaje janë ende në këmbë dhe të tromaksin me hijen e tyre.

Ndërtoi një lagje të re me shtëpi për vete, oficerët, shërbetorët dhe besnikët e tij që edhe sot e gjithë ditës quhet lagjia e Ali agait, ose Aliagat.

Rregulloi një krua që rridhte në anë të përroit me ujë të mrekullueshëm, krua që edhe sot mban emrin e tij, Kroi i Agait.

Ndërtoi disa xhami dhe i detyroi njerëzinë e Konispolit të ndrronte fe, të bëheshim mysliman.

Lëmi ku Hasani vrau Nikë Konispolatin, Nikë Kapedanin, quhet sot e gjithë ditës,
Lëmi Hasan-Nikës…

Kjo është një legjendë me shumë të vërteta,që tregohet në zonë gojë pas goje, brez pas brezi nga njerzit e zonës, për të mos harraur, se të gjithë banorët vëndali, Konispol, Mursi, Sopik, janë në origjinë nga e njëjta rrënjë, nga Bregu i Kostës, Bregu i Koçit të Konispolit, emër që lagjia e ka sot e gjithë ditës…