Mes vëllezërve shqiptarë në Kanada

0
936
Shqiptarët në Kanada

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

Lucia Martino*

Kur u nisëm nga Frascineto, fshat arbëresh në provincën e Kozencës në Kalabri, as unë dhe as studentja arbëreshe Maria Ferrari, nuk e kishim menduar që në Kanada na prisnin aq shumë emocione e mbresa të këndshme midis vëllezërve shqiptarë. Ishim të ftuara në festën e kulturës shqiptare në Kanada nga presidentja e nderit e shoqatës kulturore shqiptaro- kanadeze, Rukie Kondi dhe presidenti i radhës, Ramazan Këllezi. Vëllezërit shqiptarë në Kanada na pritën me një ngrohtësi e dashuri emocionuese.

Tek shikoja se sa bukur harmonizoheshin kostumet tona arbëreshe me ato popullore shqiptare e ndjeja edhe më mirë që ne i përkasim të njëjtës tokë e të njëjtit komb, kemi të njëjtën kulturë e të njëjtën gjuhë. Neve na është dashur që t’i mbrojmë ato nga asimilimi për më shumë se 500 vjet në fshatrat arbëreshe ku u ngulën të parët tanë që erdhën në këto anë pas vdekjes së Skënderbeut. Dhe me kënaqësi po shikojmë që të njëjtat përpjekje për t’i ruajtur këto vlera bëjnë edhe emigrantët e sotëm shqiptarë apo “arbëreshët e rinj”, kudo që janë jashtë Shqipërisë.

E kisha përjetuar këtë fakt në festivalin e kulturës shqiptare në Mantova të Italisë, organizuar nga Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) e drejtuar nga presidenti i saj Ndue Lazri dhe shoqata “Le Aquile” e Mantovës e drejtuar nga Anila Kaja. Për tre ditë patëm kënaqësinë të shikonim vlera të mirëfillta të kulturës shqiptare shpalosur përpara emigrantëve shqiptarë, por edhe qytetarëve të shumtë italianë e turistëve nga vende të ndryshme të botës.

Dhe ja tani, kemi kapërcyer oqeanin e ndodhemi në Kanada. Përsëri mes vëllezërish shqiptarë, përsëri mes vlerave kulturore kombëtare, kostumeve të bukura që tërheqin vëmendjen, mes këngëve e valleve aq të bukura e dinamike. Ishte emocionues fillimi i aktiviteteve festive me Himnin e Flamurit, kënduar aq bukur nga studentja arbëreshe Maria Ferrari dhe e shoqëruar nga të gjithë të pranishmit. Ndodheshin në këtë festë edhe plot personalitete shtetërore e lokale dhe personazhe të njohura të kulturës.

Në ndërhyrjen time si presidente e shoqatës kulturore arbëreshe “Vorea”, fola për rëndësinë e lidhjeve të vazhdueshme midis arbëreshëve e shqiptarëve për të ruajtur vlerat tona historike e kombëtare, duke i ftuar vëllezërit shqiptarë që të vijnë të vizitojnë fshatrat arbëreshe e të shkëmbejmë përvojat për një punë të përbashkët si vëllezër të një gjaku.

Theksova që, edhe pse të shpërndarë tashmë në shumë vende të botës, ne mbetemi perherë i njëjti popull, arbëresh e shqiptarë, krenarë për origjinën tonë, për rrënjët tona historike, për vetë historinë e vendit tonë, për kulturën e gjuhën e nënës.

Studentja Maria Ferrari, e veshur me kostum kombëtar, përveç Himnit të Flamurit interpretoi edhe këngët “Moj e bukura More” dhe “Kur ne arbëreshët”, duke shkaktuar emocione të vërteta për publikun.

Pasditen e festës e kaluam në Parlamentin e Ontarios Toronto, ku ishin protagoniste sërish vallet e kostumet popullore, një bufe e pasur për të pranishmit, atmosfera vëllazërore e mikpritja karakteristike e shqiptarit.

Ishte emocionuese paraqitja e tortës së madhe të festës e cila ishte vizatuar me motivet e kostumeve popullore arbëreshe. Ministrja Laura Albanese na dorëzoi edhe Çertifikatën e pjesëmarrjes në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Ndërsa ktheheshim përsëri me Marien për në fshatin tonë arbëresh, bisedonim për aktivitetet e ardhshme në gjirin e federatës FNAI ku shoqata jonë bën pjesë, për manifestimet e ardhshme kulturore në Tiranë e Shkodër etj. Gjithnjë me ndjenjën e krenarisë që jemi arbëreshe, që jemi shqiptare.

*Mjeshtër i Madh
Presidente e shoqatës kulturore “Vorea”, Fraschineto, Kalabri