SHQIPËRIA PARCIALE, OSE E PJESËSHME

0
355
Kuvendi i Shqipërisë
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Në demokraci dalin në pah më shumë prirjet e njerëzve drejt mendimit të tyre autokton. Ajo që i bashkon këta njerëz janë interesat. Dhe kur interesat prishen, njeriu synon prapë drejt ndarjes, drejt mëvehtësisë. Prandaj në demokraci vërehen më shumë këto tendenca drejt anarkisë e destruktivitetit, sepse lidhjet e njerëzve me njëri-tjetrin nuk janë aq të forta sa të qëndrojnë, pasi bazohen vetëm mbi interesat. Bien interesat, bie bashkëpunimi.

Në zgjedhjet e ardhëshme vërejmë një konglomerat partishë të djathta, që u krijuan nga pakënaqësia e politikanëve të veçantë ndaj lidershipit të Partisë Demokratike. Kemi pra parti të pjesëshme, one-man party (parti të një njeriu), që të gjithë bashkë duan të rrëzojnë Ramën, por nuk dinë të bëhen bashkë megjithatë, për ta rrëzuar atë, sepse nuk i kanë interesat e përbashkëta. Këta të djathtët shqiptarë paskan qenë kështu more, anarkistë gjithmonë. Sidomos tek ne, në Shqipëri.

Kemi “Bindjen Demokratike” të Astrit Patozit, kemi “Ballin Kombëtar” të Adriatik Alimadhit, kemi “Nismën Thurje” të Astrit Shabanit e Rudina Hajdarit, “Lëvizjen Demokratike” të Myslim Murrizit, “Lëvizjen për Ndryshim” të Jozefina Topallit, edhe kjo don pjesën e vet, se ka marrë pak, kemi “Bashkimin Popullor” rreth Kujtim Gjuzit, “Lëvizjen e Re” të Arian Galdinit, apo “Aleancën Demokracia e Re” të Edmond Strojkut, etj. Të gjitha këto parti të vogla e kanë vështirë të hyjnë në Kuvend, qoftë edhe me nga një deputet, nëse nuk i blejnë votat si Tom Doshi i Partisë Socialdemokrate.

Prandaj ka zëra që thonë se ndonjë prej këtyre partive po jep para për të blerë vota. E nëse këto parti japin para për të hyrë në Kuvend, ku ndryshojnë këto atëherë nga Rama, Saliu, Luli, Meta e Monika? Pra, bie që në fillim morali i daljes së tyre ndopak në skenën politike shqiptare. Pastaj duhen së paku 1 milion Euro për të futur një deputet në Kuvend nga partitë e vogla, a ia vlen barra qeranë? Ku me i marrë paratë?

Përveç këtyre partive satelite të PD-së, që i sillen rrotull e ajo nuk i pranon, kemi edhe disa parti të tjera të djathta gjithashtu, që janë sjellë kështu dikur dhe janë futur tani brenda listës së PD-së, si “Partia Republikane” e Fatmir Mediut, “Partia Demokristiane” e Nard Ndokës, partia “Lëvizja për Zhvillim” e Dashamir Shehit, “Partia Agrare” e Agron Dukës, “Dukës së krimit” – pëlliste Saliu dikur, partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” e Vangjel Dules (partia e minoritetit grek), apo “Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet” e Shpëtim Idrizit (partiae çamëve), të dy në vende të sigurta me Fatmir Mediun e Dashamir Shehun në listën e Tiranës. Pra, siç e shohim kemi një konglomerat partishë të djathta, të cilat nuk dinë të jenë bashkë dhe e parcializojnë Shqipërinë, se nuk dinë të bashkohen, tipar karakteristik shqiptar i trashëguar në shekuj, që na ka sjellë shumë humbje si popull.

Shqipëria parciale, ose e pjesëshme është Shqipëria e këtyre, që kanë mendime të ndryshme për zhvilimin e vendit, e këtyre që kanë të drejtë gjithmonë, që duan pushtet, por janë të vegjël dhe për të ardhur në pushtet mund të përdorin të njëjtat metoda si këta që i kemi në pushtet tani dhe nëse vijnë në pushtet ndonjëherë si Jozefina psh., ata sillen po ashtu në të njëjtën mënyrë, se është bërë një psikologji e përgjithshme sociale tani e pushtetarëve shqiptarë, të gjithë vjedhin e abuzojnë! Ndërsa Rama ua ka mbledhë rrenat disi tani, dhe po u mbarohet karburanti, prandaj po përpërliten kaq shumë që ta rrëzojnë!

Por morali i fabulës është njëjtë, ata premtojnë se mund të sjellin një ndryshim, ndërsa në fakt ata shikojnë të hyjnë në Kuvend dhe të marrin pak pushtet, të bëhen pjesë e konjukturave dhe influencave politike të vendit, për të përfituar edhe ata, si këta tjerët më parë, në këto 30 vjet. Ndryshimi vjen vetëm nga një forcë e madhe politike, si PS në këtë rast, kur merr pushtet maksimal dhe mirë ose keq, i merr vendimet vetë!

Shteti shqiptar në historinë e Shqipërisë nuk është qeverisur kurrë më mirë se sot, dhe as investime publike nuk janë bërë kurrë si sot. As investmet e huaja nuk kanë qenë asnjëherë në këto përmasa sa sot. Atëherë çfarë po kërkojmë? Konglomerati i partive shikon të shqyejë nga një copë, secili për vete, nuk mund ta bëjnë kurrë më mirë qeverisjen…