“Kukulla jeme”

0
1665

Marrë nga Gjin Musa, tek faqja e Jozefina Traboinit

Isha e re, 13 vjeç e gjysë. Një vajzë e zhvillume, si me trup ashtu edhe me mend, të paktën kështu me thojshin të gjithë. Pasioni im ishte binomi shkollë–punë. Unë kam kohën teme të paharrume. Më pëlqenin shumë kukullat, vazhdoj edhe sot me ketë pëlqim, ndoshta sepse unë e pata të shkrueme, mos të kisha një vajzë. Ani!! kam dy djem, si dy drita. Baba më kishte ba dhuratë një kukull kur unë isha shumë e vogël, ma kish ble me valutë, më thoshte nana, ishte shumë e bukur, kish flokët karrurrela të verdha si eme motër Ana, e sytë bojë qielli që Çezari em vëlla m`ja kishte prishë tuj lujte me të, ma kishte ba kukllen qorre, sa gjynah! shumë kjava atë ditë, unë e dojsha shumë atë. Nana për me me ba të lumtun ma m`shehte g`jatë ditës në syzën e tretë të komohit, një komoh të vjetër që kishim, po që mbante tesha të pastra si biluri nga dora e saj. Dhe kur unë doja me lujtë me të, ma nxjerrte që atje, tuj me kënaqe mu me Idhullin tem, me Kultin tem.

Merrja peca të ndryshme që gjeja në shtëpi e në kojshi, i prisja dhe i qepja me duart e mia të njoma, me funde, bluza, kotulla, pra me një fjalë e stilisja kukllën teme “moderne“ fjalë e veper e madhe në atë kohë. Nana tuj pa pasonin tem për ktë zanat, një ditë me thotë: Fini ! nana ka folë me një murgeshë, e ka shtëpinë të Dugajt e Reja, dhe don me të qu atje me mësu zanatin, mbas që ty të pëlqen shumë. Eshtë murgeshë Seleziane, është rrobaqepse me thotë, në krye të Dugajve të Reja është një derë e madhe dërrase, shtëpi tipike shkodrane , ku jeton me të vëllanë Luigjin e familjen e të vellaut. Motër Domenika e ka emnin. Unë u hodha nalt nga gëzimi, tuj e ngacmu nanën se ku do i merrte lektë ajo me më pagu mu kursin? nana e baba sakrifojshim shumë për ne të tre.

Do t’ja marr borxh një shoqe më tha nana e do tja laj avash avash, boll që tu nana ta plotesojë qefin. Unë nanen teme e falënderova për jetë për ketë që po bante për mu. Ishin vite të komunizmit gri. Kohë shumë të vështira për familjet tona. Ishte shumë frikë, të mësoje kurse tek murgeshat, atë kohë, apo gjuhë të huaja siq mësonte vëllai i murgeshës Luigji. Fillova kursin, pasionin tem, isha vetëm 14 vjece. Pasioni, dëshira, dhe mundësia ishin tri gjana të ndryshme, te vullneti jem. Ishin tri rrugë jete të bashkume në një që për mue merrte emnin MESIM. Çdo jave shkoja si flutur me andërrimet e moshës dy herë në kurs. Kaloja drejt nga shtëpia jeme në rrugicën e tretuarit të ngushtë të Sarreqit ecja anash tij deri që delja në krye të Dugajve të Reja, fletorën e kursit e m`shehja nën xhaketë sikur të ishte “Trakt“. Mund t’i thojsha vedit edhe e guximshe në atë kohë edhe për rrethanat e biografisë tone familjare.“

Imagjinoni mjerimin idologjik të një pushteti, dhe metamorfozën krahasuese, të një fëmije me deshirë të mësojë një zanat “TINZASH” që koha s`ta lejonte. Dhe marrëzia e dashnisë teme, ishte të mësoja të qepja. Ndërsa armiku im ishte murgesha për rregjimin e asaj kohe, vetëm e vetëm se ishte murgeshë. Ndoshta rrëfimet tona për kohën e sotme duken paranojake, por ja qe ne i jetuam. Çdo herë kur u afroja derës së kursit shikoja para e mbrapa siq me kishte thanë nana dhe me një shpejtësi si prej sportistje hyja mbrënda, në mënyre që mos të më shihte kush, mos ti bëja dam, asaj dhe familjes teme. Unë mësova shumë nga ajo. Isha një nxenëse e bindun, dhe e rregullt e saja, e cila me ç`monte pa masë. Më mbante jashtë orarit të kursit për me bisedue me mu gjana “të ndaluna në atë kohë”, por që kishte kriju besim të marrë tek unë dhe pse diferenca moshore ishte si mbesa me gjyshen. Ndoshta se fytyra apo karakteri jem i nepmin me kuptu se kemi të njëjtin mendim, dhe koha kështu e provoj.

Ajo të psikoliste, të fotogarfonte dhe të filozofonte si fizionomi, mua ma kish ba ketë test, prandaj u bamë shumë mike. Ishte tip shumë studioz. Kish një kulture dhe një disiplinë të mrekullueshme, tepër admiruse për mu. Këndonte italisht, frengjisht, më shpjegonte shumë çështje të ditës, me mësonte, me edukim. Thjesht, u ba për mua treguese jete. E doja shumë motër Domeniken. Kështu e quanin. Javët kalonin dhe unë çdo herë e më shumë mësoja, mësoja, që më vlejti shumë. Gatuante shumë mirë dhe ku shkoja në kurs mi ruante, e më thoshte haji, i kam ba edhe për ty. E unë si dhuratë i çoja letrat bojë kafe, letra që mbështilleshin makarona 500 lekëshe quheshin atëherë, kallepët e prera e të qepuna nga unë si detyrë shtëpie, e cila kur i shihte i shëndrisinin sytë nga gezimi dhe me thoshte: “ti je filizi i lulës që dua” Kishte një odë të madhe, shtëpi dy katëshe që edhe sot është, sa herë që shkoj në Shkodren teme, kur kaloj para saj, mallëngjehem fort, tuj thanë me vedi, “këtu mësova tinzash zanatin”.

Oborrin e kishte mbushë me zymbyla krezmimi, dranofille, karajfila, pemë. Mbante edhe pula, natyrisht, tinzash në atë kohë Kishte një mbesë Anin, që në atë kohë u bamë shoqe. Kujtesa për mu është respekt për njerzit që i dua. Më kujtohet një ditë ishte dimen. Mua me kish ra gripi, dhe murgesha jeme ishte ba shumë merak që unë nuk po shkoja në kurs. Ateherë nuk kishte telefona, hahhahahha, që të merreshim vesht pse mungoja në kurs. Bjen dera, dhe nana nget me e hapë, kur sheh në derë murgeshën teme. Ishte pështjelle me një shall të madh të zi, si njitesh e mbaj mend, por që nuk njihej, kishte në dorë një safrabes të madh Shkodre të punuem bukur e lidhun si fjongo në mes, e kish mbushë plot me vezë, të fresktëta pule, me fruta e amëlcina që i kishte ba për mu.

E dijshe që je e ligë më tha! më merr malli shumë për ty. Të pres me padurim . Unë e vlerësova shumë gjestin e saj, pasi ajo nuk dilte kurrë nga shtëpia dhe nuk shkonte askund ,dhe te askush. Ajo ishte e veçantë, ishte mesuesja dhe demagogja jeme. Fini ashtu siq e don zotin, më thoshte, ka me të dashtë gjithmonë ai ty, dhe gjithkënd kush e do. Kujtimet e kohëve të bukura e të vështira mua më pelqen ti kujtoj, edhe me shkrimet e mia, ndonjë herë emocionohem shumë, ndaj dhe i derdh në letra, ndoshta sepse është mënyra më e bukur për të mbetë të gllendura nga dora jeme. Një ditë prej ditëve mbarova kursin dhe binte shi si don zoti, hajde shkojmë në oden tjetër më thotë, nuk ke ku shkon pa pushu shiu, aty ajo mbante një radio të madhe, të vjetër, ku çdo ditë dëgjonte radio Vatikanin, e luteshe me të. Atë ditë u lut për mu. Fini ti do ta gëzojsh lirinë, unë jo. Këto nuk e kanë shumë të g`jatë më tha, mua të gjitha këto fjalë mu nguliteshn në krye e shpesh me futnin në mendime të pjekuna, edhe pse isha veq 14 vjece.

Ateherë ishte kohë e madhe krize, zije ekonomike, ishin tullonat. Motër Domenika e pinte shumë kafen, si gjithë shkodrant, dhe kur e bante e bante taman tërrnake. Kishte gjithmonë kafe në shtëpi edhe pse në atë kohë nuk gjindej kund, mua ajo ma mësoj kafen dhe e pinin bashkë me lezet e muhabet. Mbarova dhe u largova nga kursi, por mbeta mike zemre shumë me të, kurrë se harrova. Vazhdova të qepja tinzash edhe në shpi, për të ndihmu familjen që kishim nevojë. E ajo sa herë merrte vesht që këtë ma ka qepë Fini, me komplimentonte me gjithë zemër, tuj u kënaqe me nxënesën e saj, e unë me mesuesën teme. U bana rrobaqepse shumë e re, dhe gjenë e parë që kam qepe në makinën teme që nana ma kish ba dhuratë tuj u futë në lotari, dhe sot nana ma ruan si relike, të vyeme, qepa një kustum për kukllen teme, dashurinë teme të paharrume kurrë. Sa e lumtun isha atë ditë, nuk fleja nga gëzimi tuj e kujtue arkitekturën e mendjës dhe duarve të mia se si arrita të qepja një kostum femne në miniature, për kukllen teme. Ishte maketi më i bukur i provimit tem.

Ishte vëmendja që i kisha kushtue mësimit të motër Domenikës. Dhe i lashë kujtim të shpia jeme. Një ditë emigrova. Zanatin kurrë se harrova, e mora dhe e mbaj me vete kudo. Dhe pengu im është që nuk hapa një Atelie me emnin tem. Një ditë më vjen lajmi se motër Domenika kishte vdekë, dhe në spital më kish përmende emnin tem, kam kja shumë që nuk mushje ti isha afër. Peng në zemer e kam. Kur erdha në Shkoder i shkova te vorri, dhe si kujtim mes lulesh mora një filxhan e mbusha me kafe pluhun e ja vuna të kryet. U luta, për të, tuj i thanë erdha me pi një kafe me ty, po të la dashninë, rrespektin e mirnjohjen që pata e do ta ruaj gjithmonë për ty, e po marr kujtesen e mësimin tand kudo që të shkoj. Ndoshta një ditë do bëhem t’i dhuroj ndonjë kukull, mbesave të mia, e bashkë me të do i rrefëj edhe kujtimet e mia. Kushedi… sa larg e mendoj .Sa deshirë do kisha.

Fini Traboini. Shkurt 2017