Kostandini Madh, kolosi i gjakut e origjinës dardane, në kontekstin Dardan dhe Dardani

0
836
Heiliger Konstantin der Große - holzfigur geschnitzt Tirol Römischer Kaiser

Nga Revista Drini23 Maj 2019

Më 22 maj të vitit 337 shënohet dita e vdekjës së Kostandinit të Madh (306-307; 307-337), një kolos nga Ballkani Qëndror i gjakut dhe i origjinës dardane

Prof. Dr. Jahja Drançolli Jahja Drançolli, historian nga Prishtina

Në gjashtë shekujt e parë të erës tonë, edhe pse administrata romake kishte sjellur procese të reja ekonomike, shoqërore, politike, fetare e kulturore, qyteti i lindjes së Kostandinit, Naissus, si dhe provinca e Dardanisë ku është gjendur qyteti në fjalë, sipas burimeve të kohës përfshiheshin në kuadrin e konceptit etnogjeografik “Dardani”, respektivisht “Iliri”. Themeluesi i dinastisë, babai i Kostandinit, Flavius Valerius Constantius Chlorus, ishte nga Iliriku, “Illyricum patria fuit”, sikurse shkruante Aurelii Victoris në Liber Caesaribus, respektivisht në Jetëshkrimin e Perandorëve. Për vendlindjen e Kostadinit, qytetin Naissus shkruante Anonymi Valesiani, në Origo Constantini Imperatoris. Gjithashtu, për këtë qytetet si vendlindje të Kostandinit shkruante edhe Prisci në Fragmenta, Historia Gothica ku theksohet se Naissus ishte qytet në Iliri.

Origjinë dardane kishte edhe perandori ngadhnjimtar mbi gotët, Klaudi II (268-270), i cili për nga linia femërore ruante lidhje perandorake. Këtë njoftim e ndeshim në shkrimin Vita Aureliani në Historia Augusta, ku thuhet se Klaudi II ishte nip i Eutropit me origjinë nga një familje e respektuar dardane (Eutropius, nobilissimus gentis Dardanae vir). Eutropi, siç është e njohur ka qenë babai i Constantius Chlorus-it. Njoftime të përafërta ndeshim edhe te panegjerikët e Kostandinit. Mirëpo, ndonjë historian i sotëm lidhjet gjeneaologjike të Kostandinit me Klaudin II i pranon ca me rezerva.

Duhët përkujtuar edhe fakti se në Dardani, respektivisht në Naissus sipas Olympiodori Fragmenta, kishte lindur edhe Flavius Constantius, respektivisht perandori romak Konstanci III, i cili vdiq në vitin 421. Ky ishte baba i perandorit tjetër romak, Valentianus III Flavius Placidius (425-455). Ndërkaq, në rajonin në mes të Naissus-it dhe Scupi-t rreth vitit 482 lindi njëri ndër perandorët më të mëdhenjë bizantin, Flavius Petrus Sabbatius Justinianus Augustus, respektivisht Justiniani I (527-565). Ky perandor me origjinë të gjakut dardan përveç se kishte themeluar qendrën e madhe Iusiniana Prima, sipas veprës De Aedificis, të Procopii Caesariensis, vetëm në provincën e tij të lindjës, Dardani, kishte rindërtuar 61 kështjella, dhe i kishte ndërtuar 8 kështjella të reja. Ekzistimi i këtyre kështjellave dëshmohet pjesërisht edhe nga autori bizantin, Marcellinus Comes në veprën e tij Chronicon, i cili duke bërë fjalë për termetin e madh të vitit 518, që kishte përfshirë provincën e Dardanisë ishin shkatërruar 24 kështjella.

E quaj më vend të theksoj se, pjesë të Dardanisë dhe dardanët i ndeshim edhe në pjesën veriperëndimore të Azisë dhe në disa zona në jug të Gadishullit Apenin. Për Heroin eponim të tyre, Eneun, këndon Homeri në këngën njëzetë të Iliadës si djalin e Zeusit dhe themeluesin i linjës mbretërore Trojës. Përveç Eneut, si themelues i fuqisë dhe lavdisë së Romës, me origjinë dardane krenoheshin edhe shumë popuj të botës së antikitetit – Epirotët, maqedonasit dhe romakët, si dhe shumë personalitete të shquara të historisë – Julius Caesar, Oktavian Augusti, Klaudi II, dhe natyrisht Kostandini i Madh dhe Justiniani.

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjën këtu është se, që nga mijëvjeçari i parë para/Kr., treva e qytetit të lindjës së Kostandinit të Madh, Naissusi është përfshirë brenda një uniteti kulturor e etnik të Dardanisë, respektivisht të dardanëve të Gadishullit Ballkanik, si një nga fiset kryesore ilire. Prania e këtij etnosi në këtë hapësirë dëshmohet edhe nga historianë dhe gjeografë më të shquar të antikitetit. Këtej, Herodoti në veprën Historia zbulon se territori i Dardanisë qe pjesë përbërse e Ilirisë. Historiani romak Apijani, si dhe gjeografi grek Straboni, shkruajnë për iliricitetin e dardanëve, sikurse edhe të fiset të tjera të kësaj hapësire. Pliniu, ndërkaq konstatatonte se lumi Vardar ndante Dardaninë prej Maqedonisë. Ndërkaq, historiani i madh romak, Tit Livi shkruante për luftrat kufitare dardano-maqedonase e për inkursionet romake në Dardani. Nga shek. II burimet lidhur me Naissusin janë gjithnjë më të shpeshta, më të plota, ndërkaq ngjarjet në qytet mund të ndiqën pa ndërprerje. Atëbotë, qyteti në fjalë ishte bërë qendër për organizimin e mbrojtjës së Dardanisë Veriore.

Edhe kartografia e kohës antike, si, Tabula Peutingerianadhe gjeografi Ptolomeuofrojnë të dhëna për shtrirjen gjeografike të Dardanisë, që mund të ndiqet përmes kufijve veriorë Novi Pazar-Nish, e gjithë treva e Kosovës dhe e Maqedonisë Veripërendimore me kryeqendër, Scupin. Në këtë kuadër, ndonjë studiues ka bërë përpjekje që të përkufizonte edhe kufirin etnogjeografik të Dardanisë, kufij ky që mund të ndiqet përmes kufijëve Perëndimor sipas linjës së sotme Gjakovë-Pejë-Novipazar-Ivanjicë-Çaçak, e cila ishte njëkohësisht edhe kufiri i provincës. Në Lindje ndërkaq, kufirin e Dardanisë duhet kërkuar nga pozicioni Kumanovë-Vranje, deri në rrethet e Remesianës (Bela Palanka e sotme) te lumi Nishava. Kufiri Verior është shtrirë mbi rajonin e qytetit Naissus. Në mbështetje të kësaj bën fjalë edhe një njoftim i Ptolomeuttë përmendur më lartë, sipas të cilit, Naissus ishte njëri ndër katër qytete të Dardanisë, njoftim ky që pajtohet deri diku me pohimet e Plinit, sipas të cilit, lumejtë e njohur Margus, Timachus dhe Pingus rrjedhin nga Dardania. Ndërkaq, sipas një monumenti epigrafik ku përmendet Dea Dardania, të zbuluar në vendin Kamenica, në mes të Kragujevacit dhe Milanovcit të Epërm, mund të dyshohet se kufiri i Dardanisë shkon edhe më në veri nga kufiri, të cilin e përcaktonin, Ptolomeu dhe Plini.

Se territori i Naissusit dhe Timachus Maius dhe Timachus Minus, gjendën në trevën e Dardanisë, dëshmohet jo vetëm nga materiali epigrafik, por edhe ai arkeologjik. Së këtejmi, element me peshë nuk është onomastika, sa do të ishte arti ose stili i përmendoreve nga trualli i Naissusit dhe Timokut, art ose stil ky i quajtur Dardan, që ishte identik edhe me përmendoret të tjera të territorit klasik të Dardanisë. Aq më tepër kjo ngjashmëri stilistike shpjegohet edhe me faktin se në truallin e Dardanisë nga mesi i shek. II, dhe sidomos pas vitit 250 ishin të lidhura dy kohorte, si milici territoriale të rekrutuar nga popullata autoktone lokale: I Aurelia Dardanorum me seli në Nais, dhe II Aurelia Dardanorum e vendosur në Timachum Minus.

Nga kapërcyelli i shek. III, respektivisht në vitin 297 perandori Dioklecian pasi që kishte reformuar adminsitratën romake, Dardania paraqitet si provincë në vete, që dëshmohet nga një mbishkrim i zbuluar në Romë: [Nai]sso Darda(niae). Është për të vënë re se, Provinca e Dardanisë përfshinte në verilindje këto qytete: Naissus, Remesiana (Bela Palanka e sotme), Justinopolis (Cariçin Grad i sotëm), dhe Serdica(Sofia e sotme), qendra këto, të cilat do të bëhen edhe qendra kryesore administrative të Dardanisë. Për ta zbardhur sa më mirë këtë çështje lypset të ndalemi edhe në të dhëna të autorëve dhe burimeve të antikitetit të vonë dhe bizantinë. Më këtë rast mua më pëlqen tu referohem më tepër këtyre burimeve: Eutropius, Joan Malala, Laterculus Veronensis, Lucius Caecilius Firmianus Lactantius, Marcellinus Comes, Notitia Dignitatum, Prisci, Sozomenus, Vita Aureliani në Historia Augusta, etj.

Një gjendje e këtillë e rregullimit adminstrativ romak ka vazhduar gjatë gjithë shek. IV, por edhe pas ndarjës së Perandorisë Romake në vitin 395 dhe deri në vitin 618, vit ky i përmendur sipas Miracula Sancti Demetri, ku qyteti Naissus qe përfshirë në Provincën e Dardanisë, e cila sikurse edhe provincat të tjera jugore të Ilirikut kanë hyrë në përbërjen e Perandorisë Bizantine. Gjatë kësaj kohe janë vërejtur në mjaftë vendbanime të lashta dhe të reja që kanë të bëjnë me gjallërimin e popullsisë autoktone dhe me forcimin e karakterit etnik të saj. Në këtë kontekst, duke lexuar veprën e Hieroclis Synecdemus, burim i rëndësishëm i shek. VI-të për njohjen e gjeografisë dhe të organizimit administrativ të Ilirikut, do të shohim se provincën e Dardanisë e kanë adminstruar tre hegjemonë të qyteteve: Skupometropolis, Meriondhe Ulpiana. Në këtë kohë, kufiri lindor i Dardanisë, përputhej me kufirin verior të municipiumit të Ulpianës, me kufirin lindor të municipiumit DD (në veri të Mitrovicës) dhe me kufirin perëndimor të municipiumit Naissus.

Nga ajo që u tha më sipër del se, ky territor kaq i gjërë Dardanisë, dhe papullata dardane që ka jetuar këtu ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e etnosit ilir dhe në zhvillimin e historisë ilire gjatë gjithë procesit deri në transformimin e tyre në arbër. Për këtë çështje është ruajtur një bibliografi e pasur e shkruar në gjuhë të ndryshme botërore. Në këtë kontekst, sipas studiuesit A. Mocsy në kohën e perandorit Kostandin, është bërë një reformë e re administrative ku qyteti Naissus sërish është përfshirë brenda Provincës së Dardanisë. Arsyen për një reformë të këtillë adminsitrative të Kostandinit duhet kërkuar jo vetëm në pragmatizmin e tij politik, meqë, sipas tij ai i cili do të zotëronte Naissusin, do të kontrollonte kahjet që shpienin në Lindje dhe Perëndim. Me fjalë të tjera, Naissus paraqiste atëbotë udhëkryqin e magjistralës transballkanike dhe transpanonike, pjesë e së cilës kanë qenë edhe rrugët e njohur Via publica, e cila nga Naissus përmes Serdikës shpiente për në Constantinopilis, si dhe rruga tjetër e njohur: Naissus – Lissus, Nish-Lezhë, rrugë kjo e cila sipas Tabula Peutingeriana zotëronte këtë listë të stacioneve, si dhe distancën mes tyre sipas kësaj radhe: Naisso XIV Ad Herculem VI Hammeo XX Ad Fines XX Vindenis XIX Viciano XXV Theranda XXX Gabuleo XVII Creveni XXX Ad Picaria XXX Lissum. Distanca mes Nishit dhe Lezhës sipas burimit në fjalë ishte 211 mila (rreth 315 km). Po në këtë qytet të Dardanisë në vitet 315-334 janë nënshkruar disa edikte perandorake, çështje kjo e cila dëshmohet sipas Codex Theodosianus të shekullit të V. Nga realizimi i këtyre edikteve perandorake njëkohësisht mund të dëshmohën edhe vizitat e shpeshta të perandorit Kostandin, si dhe të pasuesve të tij, që i kishin bërë Naissus-it dhe Medianës në afërsi (3 mila), një rezidencë e tij verore sikurse na njoftonte Ammianus Marcellinus (325/330-ca. 391) në veprën Res Gestae ose ndryshe të quajtur Historiae.

Gjatë shekujve I-VI, Dardania ishte një nga regjionet ballkanike më pak të romanizuar, dhe pothuaj tërësisht i krishterizuar, dukuri kjo, që ndryshe nga ardhacakët sllavë, bullgarë e hungarezë, të cilët krishterimin e kishin përqafuar në fazat e mëvonshme të saj, dardanët si popullatë autoktone e përqafuan krishterimin që në fazën e parë, e cila, sipas Shën Palit kishte përfshirë edhe Ilirinë. Sipas Illyricum Sacri, të Farlatit mund të dëshmohet se në Dardani, i pari prej apostujve që ka predikuar Ungjillin ka qenë Mateu, i cili në radhët e apostujve ishte zgjedhur në vend të Judës Iskariot. Ai ua ka predikuar krishterimin fiseve maqedone, dardane, tribale dhe bastarne (“Gentes Macedonum, Dardanorum, Triballorum, Bastarnorum”).

Burimët e ruajtura flasin se gjatë kësaj përiudhe në provincat jugore të Ilirikut kishte afro 20 qytete të njohura. Këto emra qytetesh, në trajtë origjinale ilire-arbërore, u ruajtën gjatë gjithë shekujve të historisë sonë. Në mesin e tyre përmendën edhe disa qytete të Dardanisë, si, Binça (Arribantium), Lipian (Ulpiana), Nishi (Naissus), Shkupi(Scupi). Nga këto të dhëna onomastike, si dhe nga fondi i më së 200 fjalëve të ruajtura nga leksiku bimor del se Dardania ishte një nga vatrat e formimit të arbërve dhe gjuhës shqipe. Prandaj, prania shumë e lashtë iliro-arbërore e shoqëruar me krishterim nga periudha apostolike në Dardani, bëri që më shumë studiues të shpjegojnë takimet intensive të shqipës së këtyre anëve me gjuhë të tjera të moçme të Ballkanit.

Kultura materiale

Gjetjet arkeologjike të rastit nga studiues të huaj dhe studiues vendor provojnë se, gjurmët materiale të kulturës paleokristiane në trevat e Dardanisë i ndeshim nga shek. II, dhe që këtej duke u ngjitur në shek. III-XI janë zbuluar njoftime interesante për çështjën që e kemi në shqyrtim. Në lokalitet arkeologjike, si, Bardh të Madh, Bajicë dhe Stdenicë të Pejës, Buçan, Caričin Grad, Çeçan të Vushtrisë, Dërrsnik, Graçanicë, Harilaq, Kabash, Korishë të Prizrenit, Lece, Leskovac dhe rrethe, Lipjan, Medianë, Novobërdë, Pejë, Prizren, Raçë të Gjakovës, Shashkoc dhe Veletin të Janjevës, Greme, Nerodime dhe Surçin të Ferizajit, Syroganë të Skënderajt, Shtime, etj. janë zbuluar burime të bollshme të trashëgimisë së luajtshme dhe të palujatshme të periudhës paleokristiane.

Një ndër qendrat dardane, që gjatë gërmimeve arkeologjike në shek. XX ka ofruar material të pasur të kulturës materiale është vendlindja e Kostandinit të Madh, Naissus. Aty është zbuluar dhe më pastaj është botuar materiali pasur epigrafik i shkruar ekskluzivisht në gjuhën latine, si, monogrami i Krishtit i qujatur signum Christi,. Është fjala për një shenjë të fitorës së Krishtit, të cilin për herë të parë e kishte përdorur Kostandini i Madh në vitin 313. Ndërkaq, në lagjën-Jagodin të Nishit, në murin lindor të një varri është zbuluar një monogram në kurorë të gjethës së palmës kushtuar Krishtit, ndërsa në anën e majtë dhe në anën e djathtë të saj janë paraqitur dy figura burrash në këmbë. Njëra që mban një libër dhe tjetra bekimin. Si një homolog të këtyre paraqitjeve në murin perëndimor të varrit dyshohet se është paraqitur motivi kushtuar apostujve, Pjetri dhe Pali.

Në Ulpianë, si qendër ipeshvnore, nga arkeologë është zbuluar një bazilikë e madhe, ku janë ruajtur reliktet, përkatësisht eshtrat e martirëve të Ulpianës, Floritdhe Laurit.Në këtë kontekst mund të përmendën edhe martirët Prokuli dhe Maksimi, mësues të Florit dhe Laurit, të cilët u përsekutuan gjatë kohës së perandorit Hadrian (117-138). Kur është fjala për Florin dhe Laurin, është për të vënë re se, martirët në fjalë dardanë nga Ulpiana, u ngritën gjatë mesjetës në kultin e martirëve kishtarë bizantin, si dhe të sllavëve të ardhur, të cilët krishterimin e përqafuan nga gjysma e dytë e shek. IX. Që këtej, në një kalendar palestinezo-gruzian të shekullit X (atëbotë pjesë të Bizantit), përmendet Flori dhe Lauri, së bashku me Palin e me motrën Julianën:“Flor et Lauri, Pauli et sororis eius Juliana […]”. Emri i këtyre martirëve nepërmjet kishës bizantine, është nderuar shekuj me radhë edhe nga sllavët e ritit ortodoks. Me siguri se, emrat e këtyre martirëve, sllavët i përvetësuan nga popullësia vendëse arbërore. Një shembull të mirë ku përmendet Flori dhe Lauri është menologu i Patrikanës së Pejës i vitit 1561. Po në këtë monument të kultit, në kishën e Shën Apostujve ruhet edhe afreska nga fillimët e shek. XIV kushtuar Shën Kostandinit dhe gruas së tij Helenës.

Së fundi, është për të vënë re se, dardanët nuk arritën për të realizuar apogeun kulturor, sepse forcat e tyre më të mira u shfytëzuan për të mbrojtur atdheun nga armiqët e shumtë, së pari nga të ashtuquajturit trako-kimerët, e më vonë nga ana e maqedonsasve, keltëve dhe përfundimisht për tu inkuadruar nën Perandorin Romake, forcat e tyre ishin fshehur plotësisht, por në shek. III – VII, gjatë periudhës së krizës dhe rënies së Perandorisë Romake, Provinca e Dardanisë dhe popullata e saj u gjendën përseri në fokus të ngjarjeve historike, kulturore dhe fetare. Kolosi nga Ballkani Qëndror-Kostandini Madh – sikurse i realizonte të gjitha aspiratat e paraardhësve të tij të largët: vendlindjen e tij e ngriti në masën më të madhe të mundshme, duke reziduar në Romën e Re – Kostandinopojën, e cila ishte ndërtuar në dalje të Dardaneleve, në zonën, ku ajo dikur sundohej nga paraardhësi tij i largët Dardani.