Gjuha e huaj është mjet për ta sunduar tjetrin!

0
196
Prof. Dr. Artan Fuga

Artan Fuga

Përtej anës humoristike, çështja e gjuhës turke në sistemin arsimor shqiptar është shumë e thellë dhe kërkon kujdes në trajtim dhe profesionalizëm. Mos e merrni kaq lehtë. Nuk e ka fajin gjuha turke sepse ajo është po aq e bukur për kombin e vet sa edhe shqipja për ne. Mos bëhemi etnocentristë paranojakë. Mos e ngatërrojmë gjuhën me historinë politike.

Sepse ashtu nëse e quajmë gjuhë pushtuesi nuk duhet të mësojmë as greqisht, as italisht, as gjermanisht, as bullgarisht, asgjë prej gjëje. Kombet e vegjël si ne nuk e kanë këtë luks. Por, ne nuk mund ta trajtojmë çështjen e gjuhës turke në arsim si monedhë shkëmbimi: Me jep një spital në Fier për vota të jap ca orë nga jeta e fëmijëve shqiptarë harxhuar në orë turqishteje. Ky është thjesht një marifet turqinie a arnautllik mediokër.

Por, nuk ka faj gjuha në vetete.
Reforma e gjuhëve të huaja në arsimin e mesëm apo universitar shqiptar është një reformë madhore, e cila nuk zgjidhet me metoda halldupçe. Gjendja e gjuhëve të huaja në edukim te ne është për faqe të zezë. Ajo zgjidhet duke u sintetizuar me reformën e mësimdhënies të gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Ndryshe do të vazhdojmë të kemi Tur Gallofin që nuk ka lexuar veçse përgjysëm një histori me një europian që vret një arab te i Huaji i Kamysë. Injorancë totale për letërsinë e sotme në botë.

Zyshat e letersisë i kanë lënë pa kualifikim dhe pa informacion, lëre që nuk bëhet fjalë të ketë laboratore dixhitale audiovizive gjuhësh të huaja, lëre literaturë dhe civilizim të huaj.

Nuk mësohet halldupçe gjuha e huaj! Të dëgjosh ca zysha si flasin gjuhën e huaj që ua mësojnë nxënësve dhe studentëve, të vjen të ikësh me vrap, me vraaaaaaaaap, të mbytesh diku në Bosfor a në Oqeanin Paqësor, a në Mesdhe: Gurin në qafë dhe hë!
Në sistemin parauniversitar duhet të ketë një hierarki në lëndët e gjuhëve të huaja:

Në bazë janë lëndët e gjuhëve të huaja të bashkimit evropian: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, gjermanisht e ndonjë tjetër. Pästaj si lëndë gjuhe e huaj e nivelit të dytë janë gjuhët e fqinjëve apo të trevës sonë a pak më larg, serbokroatisht, turqisht, greqisht, maqedonisht.

Pastaj më specifikisht edhe kinezçe, rusisht, a më tej.

Popull i privilegjuar është ai popull që njeh gjuhët e tjetrit, qoftë edhe të rivalëve, konkurrentëve, apo miqve të vet. Kur unë njoh tjetrin dhe tjetri nuk më njeh mua, jam unë superior jo tjetri. Hapja te kultura e tjetrit është fuqi. Por, jo si shkëmbime e monedha për lojra politike e gjeopolitike si po bëhet edhe me vaksinën ku tregu shqiptar është fiksuar te një e vetme.

Shqiptarët në Mal të Zi janë më të fortë nëse njohin gjuhën malazeze dhe serbokroatisht, në Bosnje atë bosnjake, në Serbi atë serbe, në Maqedoni atë maqedonase.
Mos bëhemi budallenj, na duhet shqipja si jona, por edhe gjuhët e të tjerëve si armë për t’i sunduar, si tregje për t’i çarë, si kultura për të përfituar.
Kush ka fuqi edhe mongolçe, indiançe, hebraisht !