Gëzimi i katolikëve për Sandër Lleshin, ‘priftin e Kandaharit’

0
609

Alfred Lela, Politico.al

Q’prej Ahmet Zogut e këtej, hiq Enver Hoxhën dhe komunistët e tjerë, ka patur një përkujdesje të butë si mëndafshi për përfaqësimin multifetar në hierarkinë shtetnore. Në tranizicion, Sali Berisha është treguar i vëmendshëm dhe shtetar, duke ia lënë edhe emërimin e Ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan ekskluzivisht në dorë Kishës Katolike. Eshtë e kotë të kujtohet se në kohën e z. Berisha, Pjetër Arbnori dhe Jozefina Topalli kanë përfaqësuar katolikët në krye të Kuvendit të Shqipërisë, dhe po kështu Aleksandër Meksi, në Qeverinë e parë, mundësoi edhe brinjën ortodokse në trirremën e lartë të shtetit.

Fatos Nano nuk e ka patur këtë kujdes dhe ka hepuar më shumë nga ortodoksët në enturazhin e tij shtetëror, pra ai nuk e ka kapërcyer veten. Megjithatë, duke qenë një tipologji më vete liberali, nuk mund të thuash se z. Nano bënte përzgjedhje fetare në shtet. Ai ndoshta qe më shumë një laik me nota hedonizmi se sa dikush që kujdesej për një ‘regjencë treshe’ në krye të superstrukturës.

Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet raporti i përfaqësimit është përmbysur në favor të neo-komunistëve (të etiketuar si progresistë) të cilët kanë aversion si për fenë (janë ateistë), dhe sidomos për katolikët. Paradoksalisht, Rama e proklamon veten sa katolik e sa shkodran, pa dhënë, megjithatë, ndonjë shenjë afektive ndaj atyre që ndajnë lutjen e Trinisë së Shenjtë. I duhet dhënë ky kredit, Edi Rama, në atë që mund të quhet ‘syprina e gjërave’, i ka siguruar Shqipërisë pamjen e një ‘afresku oksidental’. Vizita e Papës, përzgjedhja që Bulevardi të dekorohej me portretet e martirëve të Kishës dhe, në përgjithësi kujdesi për ta animuar me ngjyra burokracinë dhe pushtetin, që janë gjërat të ftohta.

Edi Rama e njeh pushtetin e estetikës në të njëjtën masë që, me sa duket, nuk njeh shtetin. Dhe ai, jo fort paradoksalisht për një popull si shqiptarët të trumhazur nga imazhi dhe mirazhi, po qeveris me penel dhe retorikë të cilat i kthen shpesh edhe në shpatë. Duhet thënë se, një pjesë të armiqësisë ai e fiton edhe prej kësaj. Partia Demokratike, kundërshtarja e tij, derisa në krye të PS erdhi Rama, me blunë, të bardhën, dy gishtat, europeizmin, oksidentalizmin etj., ruante një epërsi imazhi mbi karakatinën që ishte PS-ja e ardhur nga partia më e zymtë në botë, ajo e Punës së Shqipërisë.

Rama e përmbysi këtë. Kjo ndërkallje nuk është argumenti i këtij editoriali. I cili don të argumentojë, se me katolikun Sandër Lleshi, Edi Rama nuk i bën nder dhe as e zgjidh borxhin, që i ka këtij komuniteti. Madje, për të qeshur me ta, janë ata katolikë të ngazëllyem me emërimin e Gjeneralit Ministër i Brendshëm. A ju kujtohet zonjave dhe zotërinjve se me kë zgjodhi t’i përfaqësonte kreu i ‘Rilindjes së re’ në zonat që kanë shumica katolike? Çfarë mendojnë ata për ato zgjedhje? A janë ndjerë të përfaqësuar prej tyre?

Katolikët që në Rilindjen Kombëtare (atë të njëmendtën) kanë një vulë të artë oksidentalizmi, duke mundësuar jo vetëm tanësinë e kombit, por edhe duke shërbyer, me shqiptarinë dhe kryqin, si provë e pakundërshtueshme se shqiptarët janë europianë besimesh të ndryshme dhe jo ‘turq në Ballkan’.

Rama, të cilit i falenderohen për zgjedhjen e një gjenerali katolik në krye të Punëve të Brendshme, e ka përdhosur njëherë, aspak krishtershëm, komunitetin në fjalë. Sigurisht që Sandër Lleshi do të kishte qenë zgjedhja e shkëlqyer si deputet për Lezhën, Shkodrën, Pukën apo Mirditën. Siç do të kishin qenë të tillë edhe shumë katolikë të tjerë me edukim, formim dhe bindje oksidentale. Përkundër kësaj, shefi i Rilindjes futi ‘në Kuvendin e kishës’ dhe në Kuvendin e Kombit njerëz të hurit dhe litarit. Të tillë që e njihnin Perëndimin nga kundravajtjet, shkeljet ligjore, qelitë dhe listat e të kërkuarve.

Sandër Lleshi, në këtë kuadër me pamje guernike pikturuar bash nga kujdestari i tij politik, duket si një prift i vetmuar dhe i pashpresë në një qytet nën kontrollin e talebanëve.