Fjala në litar

0
793
Havzi Nela

Zymer Mehani, portret Zymer Mehani

(Poetit Havzi Nela, i varur në litar më 10 gusht 1988)

A vritet bilbili ?!
Shqiponja a vritet ?!
Nuk varet Poeti…
Fjala e lirë s’venitet
Në Kukësin kreshnik
Te Agjencia e Udhëtarëve
Bishat dhe hijenat
U kallën tmerr shqiptarëve
Muaji Gusht, data Dhjetë
Viti Tetëdhjetetetë
Në Ora Dy të natës
Ngjau krim i vërtetë
Ngritet një Trekëmbësh
Në t’Kukësit Udhëkryq
Hodhën n’Litar Fjalën
Gojët për t’i kyçë
Poezia s’varet
E drejta jeton
Havzi Nela s’vdiq
N’ tonat zemra rron
Me vite të tëra
Në burgje e qeli
E mbyllën Havziun
Si bilbil n’kuvli
Por s’e ndale këngën
Asnjëherë, moj Shqipe…
Me emër dhe vepër
Lirinë e përligje
Kënga për Lirinë
Vargu Yt i dëlirë
I k’puti vargonjtë
Për Shqipërinë e Lirë
“Në qelitë e burgut
Pa ajër e pa dritë”
Shpeshherë t’u zu fryma
Shpesh t’u errën sytë
Poet Havzi Nela….
Me mund të Tantalit
S’ju frikove vdekjes
Varjes as litarit
S’u mposhte, s’u trete
Shkëmb graniti mbete
Porore vuajtjen pate
Shok e hije jete
I qëndise vargjet
Pa laps e fletore
Qëndrove i pathyeshëm
Me zemër burrërore
Je martir i Shqipes
Je Shqipe n’Flamur
E para është Fjala
Fjala nuk vdes kurrë.